Nga Kimberli Kadriu

Shpesh përditshmërinë tonë e veshim me zakone të pashpjegueshme

që bëhen pjesë e pandashme e rutinës sonë. Disa prej nesh preferojnë të hedhin një monedhë nëse vendosen para 2 zgjedhjesh, ndërsa disa të tjerë nuk e nisin kurrë një eksperiencë të re pa e kaluar pragun me këmbën e djathtë. Në qoftë se këto “besëtytni” ju duken të habitshme, me siguri nuk keni dëgjuar akoma për veprimet e çuditshme prej të cilave shkrimtarët frymëzohen për të shkruar librat e tyre.

Më poshtë do të lexoni 5 zakonet më të çuditshme që nxisin inspirimin tek shkrimtarët.

1. Për të shkruar duhet të përjetosh…

“100 vjet vetmi” është një nga librat më të suksesshëm të shkrimtarit nobelist latin Gabriel García Márquez, i përkthyer në 37 gjuhë të ndryshme të botës. Edhe pse Marquez nuk kishte pritshmëri të mëdha për librin e tij, suksesi i veprës e pati “koston” e saj. Kur flas për kosto nuk i referohem shpenzimeve monetare, por iniciativës që ai ndërmori për ta sjellë veprën e tij tek lexuesi sa më të prekshme dhe të ndjerë. Gabito e izoloi veten e tij në shtëpi për të shkruar pa u ndërprerë. Shumë nga miqtë e tij menduan se ai ishte çmendur sepse u izolua për plot 18 muaj nga bota jashtë, pikërisht në momentin kur familja e tij po përjetonte një krizë financiare. Megjithatë, ky veprim i tij nuk shpjegohet vetëm me faktin se ai nuk donte të shqetësohej gjatë procesit të shkrimit, por sepse Marquez donte të përjetonte vërtetë çdo të thoshte vetmi përpara se të shkruante për të. Çmenduri ose jo, libri pati një sukses të jashtëzakonshëm botëror dhe mund të themi me plot gojë se vetmia ndihet në çdo rresht të veprës së Gabitos.

2. Ndiqni lajmet!!!

Autori i mirënjohur i bestsellerit “Gjuetari i balonave”, Khaled Hosseini, pohon se frymëzimin për të shkruar librin e tij e ka marrë teksa ndiqte lajmet një ditë të zakonshme pranvere të vitit 1999. Ai po ndiqte një kronikë mbi Talebanët dhe për rregullat që ato kishin vendosur kundrejt popullësisë afgane, teksa dëgjoi të përmendej se ata lëshonin balona në qiell. Hosseinit iu kujtuan kohërat kur ai kish qenë veçse një djalë i vogël që lëshonte balona në qiellin e Kabulit. I frymëzuar nga kjo ndodhi, ai u ul dhe shkruajti një histori të shkurtër prej 25 faqesh dhe më pas e la atë mënjanë. Më vonë, në 2001 ai e gjeti dorëshkrimin në garazhin e tij dhe e ktheu në “Gjuetari i balonave”.

3. Besojini intuitës, sado e çuditshme të tingëlloj.

John Ronald Reuel Tolkien, autor i librit “The Hobbit” me më shumë se 100 milionë kopje të shitura në gjithë botën, ka një histori akoma më të çuditshme frymëzimi. Teksa po korrigjonte provimet e studentëve të tij, në mes të atij pirgu me fleta provimesh, ai gjeti një letër të bardhë. Tolkien shkruajti në atë letër të parën gjë që i erdhi në mendje: “Në një vrimë nën tokë jetonte një hobbit.” Ai nuk kishte as më të voglën ide se çfarë ishte një hobbit, aq më pak arsyen pse jetonte nën tokë, prandaj ai vendosi t’i shkonte deri në fund këtij misteri.

4. Ëndrrat mund të bëhen realitet.

E kush nuk ka dëgjuar ndonjëherë për historinë e famshme të dashurisë midis të vdekshmes Bella dhe vampirit tejet misterioz Edward Cullen. Por pyetja qëndron se si lindi gjithë kjo dashuri pasionante midis dy protagonistëve? Stephenie Meyer, autorja e sagës Twilight, thotë se një natë ajo u zgjua nga një ëndërr që dukej tepër e gjallë dhe shumë afër realitetit. Në ëndrrën e saj ishin dy njerëz që bisedonin në një livadh në pyll. Një nga këto persona qe një vajzë e

zakonshme njerëzore. Ndërsa tjetri qe tejmase i bukur, ndriçues, vampir. Ato po diskutonin midis tyre mbi faktin se po binin në dashuri me njëri-tjetrin dhe se ndërkohë vampiri dhe pse e donte, kishte një dëshirë të papërmbajtshme për gjakun e saj. Kaq u desh për autoren Meyer për tu frymëzuar dhe shkruar librat e saj, të cilët patën një sukses të madh jo vetëm si libra por dhe si filma.

5. Dy vende magjike: kafenetë dhe trenat

Harry Potter, historia e djalit që i mbijetoi vdekjes dhe rrëmbeu zemrat e fëmijëve e të rriturve gjithashtu. Kush do ta mendonte se magjia mund të lind dhe në vendet më të zakonshme si kafenetë apo trenat? Përpara se J.K Rowling të njihej si autorja e shkollës së magjisë, ajo punontë në një punë më pak fantanstike. Rowling ishte e punësuar në Dhomën e Tregtisë së Londrës e cila ishte 4 orë me tren larg nga Manchesteri. Ishte pikërisht në tren, gjate kohës kur udhëtonte për në punë kur i lindi ideja për të shkruar mbi një djalë magjistar dhe shkollën e magjisë. Një pjesë të librit të saj ajo e shkruajti në një kafene në Edinburgh, të quajtur “Shtëpia e Elefantit”. Kjo kafene edhe sot e kësaj dite mbart një shenjë në xhamat e saj që tregon se aty ka “lindur” Harry Potter.

Njerëzit shpesh ankohen se nuk janë të frymëzuar për të çuar deri në fund idetë apo projektet e tyre. Ajo çfarë këta autorë të mëdhenj na tregojnë është se frymëzimi lind dhe në gjërat e vogla, bazike në jetën e përditshme që ne i injorojmë. Bota është kaq e bukur dhe e larmishme, mjafton të kemi sy për të parë dhe zemër për të rendur pas gjurmëve që ajo lë pas për ne.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *