Sipas Ajurvedës, mjekësisë tradicionale indiane, secili prej nesh zotërohet nga një “dosha”, që ndikon në karakterin dhe shëndetin tonë. Dosha përbëhet nga ai element që mbizotëron në trupin tonë, domethënë, Pitta (zjarri), Vata (ajri), apo Kapha (toka-uji). Zbuloni cili është elementi juaj dhe çfarë duhet të bëni për të qenë në formë…

1. Lëkura juaj është:
a. E yndyrshme
b. E thatë
c. Normale

2. Silueta juaj është:
a. Në përpjestim të mirë dhe me muskuj
b. Peshoni pak dhe keni kocka të holla
c. Jeni i/e rrumbullakët dhe me forma

3. Qarkullimi i gjakut…
a. Ju keni shpesh vapë
b. Keni shpesh të ftohtë në gjymtyrë
c. Në përgjithësi, ndjeheni mirë.

4. Si ushqeheni?
a. Hani vend e pa vend, pa llogaritur kaloritë
b. Keni një oreks shumë të mirë.
c. Jeni i/e rregullt si sahat dhe hani me masë.

5. Emocionet tuaja:
a. Jeni tip që irritoheni lehtë dhe zemëroheni shpesh.
b. Shqetësoheni për hiçmosgjë.
c. Jeni i/e qetë dhe emocionet i mbani për vete.

6. Fundjava që do t’ju relaksonte:
a. Merreni me një sport me shumë konkurrencë ose militoni për një parti politike.
b. Niseni për një udhëtim, ose shkoni për të parë një ekspozitë.
c. Merreni me kopshtari, ose bëni një shëtitje të gjatë në breg të detit.

7. Gjumi juaj:
a. Morfeu është miku juaj, pasi flini mirë.
b. Është i shqetësuar, flini pak.
c. Është i rëndë, flini shumë.

8. Energjia juaj:
a. Keni rezerva të mira energjie.
b. Keni shumë energji, por ajo nuk mban për shumë kohë.
c. Rezistenca juaj nuk ka kufi.

9. Mënyra si flisni:
a. Shtruar
b. Shpejt
c. Ngadalë

10. Mënyra si ecni dhe silleni:
a. Elegante dhe e kujdesshme
b. Me imagjinatë dhe koketëri
c. E thjeshtë dhe klasike

Rezultatet
Nëse keni më shumë përgjigje a. Jeni Pitta (zjarr): Kujdes nga shpërthimet!
Ju jeni i/e pajisur me një energji të madhe. Mendoni pak për zjarrin: Flakët e tij janë të forta dhe të vështira për t’u mposhtur, xixat shpërthejnë gjithandej. Njerëzit me temperamentin pitta, zotëruar nga zjarri, janë të vendosur dhe nuk kanë frikë nga asgjë. Një temperament të tillë kanë VIP-at; të ngrohtë dhe të veçantë, me një bukuri shpërthyese. Megjithatë, nëse gjendet nën presion, një person i tillë mund të tregohet shpesh i paduruar, me një tendencë të theksuar për agresivitet. Para së gjithash, kini parasysh masën. Përkujdesjet ajurvedike e kanë parasysh këtë për të ekuilibruar dosha-n tuaj.
Ekuilibri juaj bazohet kryesisht tek ushqimi: Ushqimet e nxehta, shumë pikante dhe stimulues të tjerë, rrezikojnë t’ju nxisin edhe më shumë. Për të rigjetur këtë barazpeshë të brendshme, duhet të evitoni ushqimet me ngjyrë të kuqe-portokalli, të ngarkuara me zjarr. Përkundrazi, perimet e ushqyera me ujë nga rrënjët, si: selinoja, brokoli apo asparagët, duhet t’ju qetësojnë. Po kështu, edhe frutat e buta: Rrushi, pjepri, mango. Fakti i thjeshtë i zgjedhjes së shijeve të hidhura, të ëmbla apo të tharta ekuilibron këtë lloj temperamenti, sigurojnë mjekët ajurvedikë.
Lëkura juaj është shumë reaktive: Elementi zjarr i pitta-s është i lidhur me tretjen. Në rast problemi shfaqen helmet, lëkura humbet shkëlqimin e saj dhe mund të reagojë dhunshëm. Akneja, ekzema dhe inflamacione të tjera janë disa nga problemet që ju prekin dhe epiderma juaj është shumë e ndjeshme ndaj produkteve kimike. Pra, hiqni dorë nga kremërat që kanë shumë konservues, preferoni më mirë produkte më natyrale. Për të pasur një lëkurë të shëndetshme bëni maskë me kurkuma ose dru santali, me veti pastruese. Një tjetër mundësi: Masazhi i lëkurës së kokës në shtëpi, ose në një institut bukurie me vajra freskuese (kokos në verë, susam në dimër), që do të qetësojë zjarrin tuaj të brendshëm.
Ju zemëroheni shpesh. Për ajurvedën, zemërimi apo xhelozia janë sinjal i mungesës së ekuilibrit. Kështu, bëni një kurë që do të qetësojë doshën tuaj: Thithni aromën e santalit, meditoni, bëni shëtitje me hënën e plotë, bëni banja me esenca melise apo kamomili (përziejini të dyja në ujin e vaskës, nga 10 pika secila). Gjithçka ka për qëllim që t’ju qetësojë. Nëse jeni i/e prirur për t’u marrë me një sport konkurues, evitojeni, sepse do të shtonte agresivitetin tuaj. Më mirë merruni me një aktivitet ujor (noti, kanoe), që do t’ju freskojë.

Nëse keni më shumë përgjigje a. Jeni Vata (ajër) : Kujdes rregullin!
Ashti si ajri, elementi juaj, ju nuk rrini kurrë pa lëvizur. Jeni të shpejtë dhe të lehtë, të pajisur me një imagjinatë krijuese. Në dashuri, si kudo, ju ndjeni lehtë pasion dhe afërsi. Zotëroni një energji ngjitëse, por ndodh nganjëherë që nervat t’i keni të brishta. Për të evituar eksitimin dhe ndryshimin e humorit, duhet para së gjithash të vendosni rregull.
Ju jeni të lehtë, duhet të rëndoheni! Ushqimi juaj duhet të jetë tonik. Preferoni bulmetin, ushqimet me erëza, me yndyrë, por evitoni sallatërat dhe perimet e gjalla. Këto ushqime të ftohta shkaktojnë shqetësim në elementin tuaj. Sipas mjekësisë ajuverdike, shijet e ushqimeve ndikojnë si në trupin, ashtu edhe në shpirtin tuaj. Kështu, e kripura, e tharta dhe e ëmbla ekuilibrojnë lehtësinë e vata-s. Nëse ju pëlqejnë frutat e tharta, zgjidhni qershi apo kumbulla. Kur dosha juaj është e pështjelluar, keni tendencë të humbisni oreksin. Përpiquni të hani në orare të rregullta… megjithëse e urreni rutinën.
Stresi, lodhja… Fytyra juaj e ndjen këtë. Mos u lodhni shumë, pasi lëkura juaj ka tendencë të thahet, të shfaqen rrudhat e parakohshme, ose buzët të plasariten. Lëkura juaj ka nevojë për butësi; ideal është një automasazh me vaj susami të vakët, qetësues dhe hidratues. Ngroheni vajin me banjo-mari, pastaj bëjeni masazhin me lëvizje rrethore, duke këmbëngulur në pjesën e poshtme të barkut dhe shpinës, vendi i energjisë suaj. Përdorni gjithashtu edhe kremëra me vajra vegjetale (bajame, ose kajsi), ideale për hidratim.
Mësoni të kanalizoni energjinë tuaj. Është “prana” (impulsi i jetës), thelbi i vata-s që shkakton lëvizjen dhe e bën dosha-n tuaj shumë dinamike. Ju mund të merreni me shumë aktivitete në mënyrë frenetike dhe kështu, të ndjeheni të lodhur. Joga apo tai-chi do t’ju relaksojnë dhe do t’ju shtojnë energjinë, sepse njëkohësisht do të harxhoni energji, por do të kontrolloni edhe stresin. Esteticienët ajurvedikë propozojnë gjithashtu të bëni banjo me esenca trëndafili dhe të pini çajra qetësues (me sherebelë dhe kanellë).

Nëse keni më shumë përgjigje a. Jeni Kapha (tokë-ujë): Lëvizni!
Ju keni natyrë të duruar. Mendoni pak për tokën në të cilën ecni, për baltën në duart e skulptorit… Të dominuar nga ky element, ju ecni përpara të vendosur drejt qëllimit tuaj dhe tregoheni realistë e besnikë. Sido që të jetë, nuk jeni nga ata tipa që u futen me kokë aventurave. Megjithatë, pas qetësisë dhe urtësisë suaj, fshihet një tendencë për të rënë në trishtim. Kështu, pas një zhgënjimi, ju mund të ndjeheni të dembelosur dhe të mërzitur. Për ta evituar, ajurveda ka vetëm një fjalë: Lëvizni!
Metabolizmi juaj është i ngadaltë. Ju duhet të evitoni ushqimin e rëndë, si makaronat apo orizi, që janë thelbësisht “tokë” dhe “ujë”. Përndryshe, do të ndjeni gjumë dhe do të shtoni në peshë. Përkundrazi, frutat me shije të fortë (mollët, dardhët), evitojnë mbajtjen e ujit nga organizmi, pika juaj e dobët. Preferoni më shumë shijet pikante (piperi, speci djegës, mustarda) dhe evitoni sa të mundni sheqerin. E dimë që në rast problemi, keni tendencë të kërkoni ngushëllim në një pjatë me makarona, apo një akullore gjigande… Mos abuzoni pra me to, përpiquni më shumë t’i shprehni emocionet tuaja.
Dhuntia juaj në bukuri: Jeni natyral/e. Keni lëkurë bardhoshe, të butë, të hidratuar, keni forma të rrumbullakosura (Rubensi do t’ju kishte marrë për modele). Kremërat ideale për lëkurën tuaj do të ishin ato me bazë uji. Me një falë, ju duhet t’u kushtoni vëmendje rezervave ujore dhe një qarkullimi të mirë të limfës (bëni drenazhime). Lëkura juaj është më me shkëlqim kur dosha juaj është e ekuilibruar. Në përgjithësi, përkujdesjet klasike mjaftojnë, pra, pastrimi, ushqimi dhe hidratimi i lëkurës. Hiqeni grimin duke përdorur vaj susami, të cilit i keni shtuar pak limon dhe kastravec, i ndjekur me një maskë eksfoliuese me neem, një bimë indiane. Programi i bukurisë përfshin edhe masazhin. Meqë ju i mbani brenda emocionet tuaja, ai duhet të jetë i fortë dhe tonik, që të çlirojë tensionet e grumbulluara. Vaji i mustardës, i nxehtë dhe pikant, është ideal për këtë.
Kultivoni vitalitetin tuaj. Për të qëndruar tonikë, një sfidë kjo për doshën tuaj, nuk është mirë të flini në drekë. Ndryshoni zakonet tuaja, ecni të paktën 20 minuta në ditë, ose bëni një kurs joge. Sekreti i energjisë suaj qëndron te lëvizja. Sipas specialistëve, është mirë gjithashtu të shpërndani në atmosferë një përzierje vajrash esenciale eukalipti, sherebele dhe myshku, që shërbejnë si tonifikues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *