Genc Salihu quhet trajneri i ri në spektaklin “The Voice Of Albania 4”. Djali karizmatik vjen nga Prishtina dhe do t’ju shoqërojë çdo fundjavë në ekranin e Top-Channel. Artisti 33 vjeçar, edhe pse nuk është shumë i njohur për publikun shqiptar të Shqipërisë, ndër vite ka evidentuar talentin dhe profesionalizmin e tij. Genc Salihu i ka ngjitur gradualisht shkallët e karrierës artistike me hapa të vendosur dhe të menduara mirë. Sot ka ardhur koha që ai të korrë frytin e asaj çfarë ka mbjellë deri më tani.

Sava Lena: – Një trajner i ri në “The Voice Of Albania”, por edhe më pak i njohur se trajnerët e tjerë. Si e shihni veten krah tyre?
Genc Salihu: – Është nder të jesh krah tyre! Alma Bektashi dhe Sidrit Bejleri janë dy njerëz me përvojë të madhe në artin e të kënduarit. Ata janë tashmë veteranë të spektaklit “The Voice Of Albania” dhe prej tyre mund të mësohen si gjërat elementare, ashtu edhe ato më të nevojshmet. Sa i përket Elsa Lilës, ajo është një artiste e rrallë dhe shoqëria e saj është një privilegj. Megjithatë, unë jam ftuar që të sjell stilin tim muzikor dhe këtë, do të mundohem ta bëj sa më mirë.
– Përse konkurrentët duhet të kenë besim dhe t’ju zgjedhin juve?
– Pyetje e mirë… Pjesa më e madhe e publikut në Shqipëri nuk më njeh, por konkurrentët bëjnë hulumtime para se të vijnë në audicion. Ata të gjithë e kanë të qartë tashmë se kush jam unë dhe çfarë mund të presin nga puna me mua. Do të më zgjedhin ata që duan të eksplorojnë jashtë rrymave kryesore, komerciale, të muzikës.
– Mendoni se jeni ulur në atë karrigë të “The Voice Of Albania” në kohën dhe momentin e duhur?
– Po. Eshtë një kohë në jetën time ku e kam akumuluar një përvojë të mirë në punën me muzikën dhe me talentët e rinj po merrem prej disa vitesh. Njëkohësisht, jam në një pikë ku kam shumë energji dhe është nder që të mund ta shpenzoj në këtë mënyrë, me një përgjegjësi kaq të madhe publike.
– Është e lehtë apo e vështirë për të vazhduar një punë të nisur më parë nga, Elton Deda?
– E kam theksuar disa here se Elton Deda është një prej figurave kryesore të artit dhe kulturës bashkëkohore shqiptare. Një muzikant i jashtëzakonshëm. Është nder dhe sfidë njëkohësisht që ta zëvendësosh atë, por kur ulesh në karrigen e trajnerit, duhet të marrësh përgjegjësi për veten dhe ta bësh karrigen tënden.
– Me cilët nga trajnerët e këtij sezoni jeni miqësuar më shumë?
– Me Elsën kemi të njëjtën moshë dhe jemi miqësuar mjaft. Almën e njoh gjithë jetën dhe e kam shumë të afërt. Sidi është një nga shqiptarët më sharmantë që kam njohur dhe është kënaqësi ta dëgjosh duke folur.
– Deri në këto momente, si e shihni konkurrencën e këtij viti?
– Është akoma herët, duhet parë si zhvillohen konkurrentët nga java në javë, por përshtypja ime e momentit është se do të jetë një finale epike në fund.
– Çfarë do i thoni atij publiku që ju sheh nga ekrani, por nuk ju njeh?
– Të rekalsohen dhe ta shikojnë “The Voice”. Do të jetë një sezon shumë zbavitës.
– Kur ishte ajo shkëndija e parë që e bëri familjen tuaj të bindej se ju kishit talent për muzikë?
– Shumë, shumë herët. Kur isha 8 muajsh. Kam kënduar para se të flas. (Qesh)
– Kanë kaluar rreth dy dekada që nga koha kur ju keni debutuar për herë të parë në skenë. Përse nuk bëtë përpjekje më herët për t’u bërë i njohur edhe në Shqipëri?
– Nuk është diçka e planifikuar, thjesht kam qenë i zënë me krijimin dhe aspekti i pushtimit të tregjeve ka qenë gjithmonë sekondar. Tani që kjo po ndodh jam tepër i lumtur dhe falënderues sepse Shqipërinë e sidomos Tiranën, e dua shumë.
– Ju jeni solist i grupit shumë të njohur në Kosovë “Cute Babulja”. Na tregoni pak për zanafillën e këtij grupi?
– Ky ishte fillimisht një “duo” që e themeluam me Enes Bajramliqin, një prej shokëve të mi më të ngushtë. E realizuam një album në vitin 2004 në të cilin të gjitha instrumentet i luajtëm vetë dhe e konstruktuam sipas qejfit tonë. Për fat, doli shumë i suksesshëm. Pas 10 vitesh pushimi, kur të dy ishim të fokusuar në punët tona, u rikthyem me Cute Babuljën në një format të zgjeruar, me më shumë anëtarë dhe të gjithë shumë më të rinj, njëri prej të cilëve është vëllai im. Jemi shumë entuziastë për albumin e ardhshëm.
– Si është të bashkëpunoni në një grup me vëllain?
– Kënaqësi. Ne kuptohemi thelbësisht dhe i japim njëri-tjetrit siguri të madhe, por Arbëri, duke qenë më i vogël, jam i sigurt se heq mjaft nga tirania ime që është tipike e një vëllai të madh (këtë nuk e tregon). E kemi një marrëdhënie tepër të thellë edhe muzikalisht, jemi totalisht në të njëjtat valë.
– Kam dëgjuar në Youtube një koncert tuajin në Festivalin “Into The Park” të mbajtur një vit më parë në, Pejë të Kosovës dhe jam mrekulluar nga vokali, këngët, emocioni që transmetoni në interpretim… A do të ketë shtrirje më tej një koncert i tillë live?
– Faleminderit! Do të vijmë gjithsesi për ta promovuar albumin e radhës në Shqipëri vitin e ardhshëm. Mezi po e pres atë ditë!
– Ju i realizoni vetë tekstet dhe kompozimin e këngëve. Nga ju vjen gjithë ky frymëzim për këto këngë kaq të veçanta?
– Nuk e di. Është pyetje shumë e vjetër dhe asnjë artist nuk ka pasë përgjigje për të ndonjëherë.
Për mua frymëzimi vjen si etja apo uria, si diçka urgjente, shumë konkrete, që duhet të trajtohet menjëherë, por hera-herës është edhe e bezdisshme sepse ndodh në momente të papërshtatshme, për shembull kur shtrihem të fle, apo në ndonjë takim pune. (Qesh)
– Çfarë do të bëni për tregun muzikor në Shqipëri?
– Si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, muzikës i duhet një ringjallje. Muzika shqiptare e ditëve tona nuk është shumë imagjinative. Ka shumë talente në të tria anët e kufirit, por rrinë izoluar. Dominon muzika e laboratorëve komerciale. Duhet të gjejmë mënyra që të krijojmë skena alternative, të pavarura nga mediat dhe bizneset e njëkohësisht duhet të gjejmë mënyra se si t’i bëjmë mediat kurioze për dukuritë e reja kulturore. Shenjat e para të kësaj, tashmë kanë filluar.
– Do t’ju pëlqente të zgjidhnit Tiranën për të jetuar?
– Absolutisht po! Në fakt, ka kohë që po e kërkoj një arsye të vij. Për këtë falënderoj shumë “The Voice Of Albania”.
– Si është një ditë e juaja nga mëngjesi në mbrëmje?
– Hëm… Kur jam duke punuar, dita është shumë dinamike dhe e mbushur plot me aventura. Kur nuk kam asgjë për të bërë, atëhere është mjaft e mërzitshme. Kohëve të fundit gjej kënaqësi të madhe në familje dhe kjo më ndihmon.
– Cila është gjëja më e rëndësishme për ju e pa të cilën nuk bëni dot?
– Ah! Kjo pyetje! Të mendoj pak… Pianoja!
– Cili është statusi juaj në gjendjen civile?
– Jam civil, nuk jam ushtar. (Qesh)
– Çfarë mesazhi do t’u jepnit talenteve të spektaklit The Voice Of Albania dhe publikut që do t’ju ndjekë për javë me radhë?
– Mos kini frikë nga asgjë! Yjet janë të rradhitura për ju!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *