– Kam një pyetje për instruktorin. U bë disa kohë që bëj palestër dhe më në fund kam arritur rezultatin që dëshiroja prej kohësh. Ajo çfarë dua të di nga ju është se si ta ruaj tani këtë formë që kam arritur, kuptohet përveç palestrës që besoj do ta ndjek, edhe pse e kam lënë për pak kohë, për shkak të pushimeve. Kam më shumë problemin e ushqimit. Pres një përgjigje nga ju. Faleminderit. Marina.
Mario, instruktor: – E nderuar Marina, duke qenë se keni arritur rezultatet që dëshironi në fizikun tuaj, atëhere duhet të përpiqeni të mos rrezikoni ta çoni dëm sakrificën tuaj sepse ndodh që për një periudhë shumë të shkurtër, merr po aq kile sa ke humbur. Duhet t’i kushtoni kujdes të veçantë fizikut tuaj, siç keni bërë edhe në kohën kur frekuentonit palestrën. Edhe kur nuk jeni në palestër keni rastin të ushtroheni, duke bërë not vazhdimisht duke qenë se është ende periudhë vere. Ku ka sport më të bukur sesa noti, i cili është edhe shumë i dobishëm për fizikun? Ndërsa përsa i përket ushqimit, mjaftojnë disa këshilla te vogla për të evituar rrezikun e marrjes së kileve të tepërta. Duhet të mbani regjim ushqimor, që do të thotë:
– Çdo vakt ka rëndësinë e tij. Mëngjesi, zemra, dreka e darka nuk duhet të mungojnë. Evitoni të mënjanoni një apo më shumë vakte sepse pas një ore not, për shembull, do të keni shumë uri dhe atëherë do të rrezikoni të konsumoni ç’ju del përpara. Konsumoni çdo vakt jo duke e tepruar, por me ushqime të shëndetshme.
– Pini sa më shumë ujë, për të rifituar lëngjet e humbura nga i nxehti. Janë të këshillueshme te paktën 2 litra ujë në ditë dhe gjer në 3 litra, në varësi të organizmit dhe nevojës suaj.
– Një rëndësi të veçantë ka sasia e asaj çfarë konsumoni. Merrni gjithmonë porcione të vogla. Nëse jeni e detyruar të hani në restorant, preferoni porcione të vogla dhe pa yndyrë. Nëse ndiheni e pangopur, merrni një sallatë të madhe me perime që do t’ju kënaqë syrin dhe që ju ngop. Bëhet fjalë për një këshillë shumë të thjeshtë të cilën mund ta ndiqni edhe kur të ktheheni, si një regjim ushqimor për të ruajtur linjat tuaja.
– Planifikojini gjithmonë vaktet tuaja. Organizojeni ushqimin që në fillim të ditës suaj, duke shikuar kaloritë që merrni.
– Duhet të evitoni sa më shumë picat. Nëse konsumoni të tilla, merrni porcione të vogla dhe me pak kalori, jo me katër djathrat për shembull.
– Mos i ndani nga tavolina juaj frutat dhe perimet. Mos harroni se një mollë apo një frut tjetër, janë një zgjidhje e shkëlqyer për një vakt dietik jashtë shtëpisë.
– Konsumimi i pijeve alkoolike është mirë të evitohet. Preferoni një çaj të ftohtë apo një koktejl joalkoolik. Për darkë, do t’ju sugjeronim diçka të lehtë, mundësisht një sallatë me pak vaj e kripë dhe, nëse nuk ndiheni e ngopur, shoqërojeni me ndonjë racion peshk, apo fruta deti.