Vrojtimi i sinjaleve që na dërgon trupi nëpërmjet pjesëve të tij, si lëkurës, thonjve, flokëve, duarve dhe gjuhës, mund të na ndihmojnë të identifikojmë probleme të ndryshme shëndetësore, qofshin ato mungesa ushqimore që mund të rregullohen, apo sëmundje të vërteta. Sidomos lëkura është në gjendje të na dërgojë mesazhe të dukshme që flasin për probleme të brendshme. Le të mësojmë të mos t’i nënvlerësojmë këto sinjale…
1. Thonjtë
Nëpërmjet vrojtimit të thonjve mund të zbulojmë nëse ndonjë gjë nuk po funksionon si duhet në trupin tonë. Për shembull, vijat vertikale në thonj mund të jenë sinjal i mungesave ushqimore, si për shembull, hekurit. Vijat horizontale mund të tregojnë se nuk po marrim sasinë e duhur të kalçiumit, vitaminave të grupit B ose vitaminës A. Çfarë mund të themi për thonjtë e zverdhur? Ato mund të jenë sinjal i anemisë, ose tregues të problemeve me veshkat apo mëlçinë.
2. Gjuha
Pamja e gjuhës është e lidhur në mënyrë të veçantë me gjendjen e zemrës dhe funksionimin e stomakut. Një gjuhë e shëndetshme duhet të ketë ngjyrë rozë dhe të paraqesë një sipërfaqe të ashpër, me puprrat e veta. Prania e njollave apo aftave (njollave të bardha) mund të tregojë se keni probleme me stomakun. Gjithashtu, është e rëndësishme të vlerësoni ngjyrën e gjuhës. Nëse ajo është e zbehtë, mund të ekzistojë mundësia e anemisë. Ngjyra e bardhë mund të jetë shenjë e një infeksioni, ose e pranisë së një gastriti, e një ulçere gastrike, ose nga stresi. Gjuha mund të ketë ngjyrë të errët, kafe ose të zezë, për shkak të tymit të duhanit, për shkak të një infeksioni bakterial ose një gastriti. Ngjyra e verdhë mund të tregojë probleme të mëlçisë. Tharja e gjuhës mund të shkaktohet nga dehidratimi, diabeti ose probleme me veshkat, ndërsa gjuha si hartë gjeografie, mund të tregojë një gjendje alergjike.
3. Flokët
Sipas ekspertëve, flokët, ashtu si edhe thonjtë, janë tregues të ndonjë sëmundjeje të organizmit tonë. Përsa i përket diagnozës së sëmundjeve të ashtuquajtura autoimunitare, rënia e flokëve, në shumë raste, përfaqëson një shenjë klinike. Rënia e flokëve ose brishtësia e tyre, që shkakton këputjen e flokëve, janë shpesh sinjale të mungesës së vitaminave, kripërave minerale apo acideve proteinike. Rënia e flokëve në një zonë të caktuar të kokës (alopecia), mund të shkaktohet nga pulmoniti, hipertiroidizmi, meningiti, diabeti, gripi dhe nga probleme të pankreasit.
4. Duart
Sipas mjekësisë orientale, duart përfaqësojnë një pjesë të trupit, shumë të rëndësishme për t’u vrojtuar, në mënyrë që të dallohet prania e sëmundjeve. Nëse gishtat e dorës dhe pëllëmba janë të holla e si të brishta, kjo është shenjë e një shëndeti të dobët e delikat. Enët e gjakut të pranishme në kurrizin e dorës, nuk duhet të jenë të dukshme dhe nëse janë të dala, mund të jenë tregues të nevojës se duhet të pini më pak ujë. Një lëkurë shumë e trashë mund të tregojë se individi po ha në mënyrë jo të ekuilibruar, për shembull, konsumon shumë kripë dhe proteina shtazore.
5. Lëkura
Lëkura është një organ që mbulon gjithë trupin tonë dhe nëpërmjet saj, mund të identifikohen disa sinjale që tregojnë gjendjen e tij shëndetësore. Për shembull, prania e njollave ngjyrë lejla mbi lëkurë mund të tregojnë një mungesë të vitaminës C, ose një çarje të kapilarëve nën lëkurë. Lëkura e verdhë mund të jetë shenjë e anemisë, ose e një mungese serioze të hekurit në gjak. Disa patologji, si kruarja apo skuqja, mund të jenë sinjale të stresit. Lëkura si e verdhë në portokalli, sidomos në shputat e këmbëve dhe pëllëmbët e duarve, mund të jetë sinjal i hipertiroidizmit.