– I nderuar avokat! Prej kohësh tashmë diskutohet kudo çështja e përgjimeve, aq sa kjo që dikur ishte një tabu, tashmë duket si gjëja më normale në botë… Nga ana ligjore, cili organ mund t’i kryejë përgjimet?
– Fillimisht, ju falënderoj për intervistën. Është e vërtetë që përgjimet nuk janë më tabu. Ato tashmë janë bërë problem i madh, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Përgjimet ndahen në dy kategori ose grupe: në grupin e parë janë përgjimet në funksion të parandalimit, zbulimit të kriminalitetit ose të personave, organizatave kriminale të cilat kryejnë veprimtari kriminale. Zakonisht, këto përgjime bëhen duke zbatuar Kodin e Procedurës Penale. Pra, të gjitha përgjimet që kryhen duke anashkaluar këtë Kod, janë absolutisht të pavlefshme, nëse këto paraqiten si provë në gjykatë për të akuzuar dikë. Ato nuk kanë asnjë efekt juridik. Ligjvënësi e ka parë të arsyeshme ta përcaktojë këtë si mbrojtje që i bëhet çdo njeriu i cili mund të bjerë pre e shantazhit, kurthit etj. Përgjimet që kryen duke ndjekur rrugën ligjore nga çdo agjenci ligjzbatuese për mbrojtjen e qytetarëve dhe shtetit nga çdo subjekt që mund të kryejë vepër penale, përcaktohen nga neni 222 i Kodit të Procedurës Penale. Në të thuhet se këto përgjime kryen:
1. Me kërkesën e prokurorit ose të të dëmtuarit akuzues, gjykata autorizon përgjimin me vendim të motivuar për rastet e lejuara me ligj, kur ai është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara dhe kur ka prova të mjaftueshme për vërtetimin e akuzës. Kundër vendimit të gjykatës që refuzon kërkesën mund të bëhet ankim i veçantë.
Përgjimi në vende publike, regjistrimi i numrave të telefonit, hyrës dhe dalës, si dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes, autorizohen nga prokurori.
2. Kur ka arsye të bazuara për të menduar se nga vonesa mund t’i vijë një dëm i rëndë hetimeve, prokurori vendos përgjimin me akt të motivuar dhe njofton gjykatën menjëherë, por jo më vonë se njëzet e katër orë. Gjykata brenda dyzet e tetë orëve nga vendimi i prokurorit bën vleftësimin me vendim të arsyetuar. Kur vleftësimi nuk bëhet në afatin e caktuar, përgjimi nuk mund të vazhdojë dhe rezultatet e tij nuk mund të përdoren.
3. Vendimi për përgjimin tregon mënyrën e kryerjes dhe kohëzgjatjen e veprimeve, e cila nuk mund t’i kalojë pesëmbëdhjetë ditët. Ky afat, me kërkesë të prokurorit, mund të zgjatet nga gjykata sa herë është e nevojshme, për një periudhë prej 20 ditësh kur procedohet për krime dhe 40 ditësh kur procedohet për krime të rënda.
Në vendimin e gjykatës për përgjimin e fshehtë, fotografik ose me video, ose për përgjimin e bisedave në vende private mund të autorizohet oficeri i policisë gjyqësore ose specialisti i kualifikuar për të hyrë në këto vende, në mënyrë të fshehtë, duke vepruar në përputhje me vendimin. Ky autorizim duhet të zbatohet brenda 15 ditëve.
4. Për kryerjen e përgjimit, prokurori vepron vetë ose me anën e një oficeri të policisë gjyqësore.
5. Në regjistrin që mbahet në prokurori shënohen aktet që urdhërojnë, autorizojnë, vleftësojnë ose zgjasin përgjimet, si dhe fillimin e mbarimin e veprimeve të çdo përgjimi.
Në grupin e dytë bëjnë pjesë përgjimet joformale ose joligjore për mbledhje informacioni. Informacioni është pushtet shumë i rëndësishëm në kohët e sotme dhe shtetet e mëdha e shfrytëzojnë këtë për të shtrirë ndikimin e tyre në botë, për të zgjeruar zonat e influencës në vendet që ato dëshirojnë etj. Përgjimet mund t’i aplikojnë edhe kompanitë e fuqishme që duan të marrin informacione rreth konkurrentëve të tyre, lidhur me strategji biznesi, formula kimike etj. Në vendet të cilat janë me demokraci në zhvillim, ekzekutivi mundohet ta përdorë shërbimin informativ në funksion të luftës politike me opozitën. Me informacionet mblidhen, mësohen taktikat që ndjek opozita, lidhjet me persona të veçantë të cilët mund të jenë mbështetës të saj dhe pasi qeveria merr informacion, i shantazhon ata me gjoba etj. Por këto përgjime mund t’i ndeshim edhe në vendet e zhvilluara, siç mund të jetë rasti kur shteti gjerman ka përgjuar një sërë qeverish evropiane, apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përgjuar shumë vende të tjera të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.
– Sipas ligjit, si mund të përgjojë shteti një njeri?
– Neni 221 i Kodit të Procedurës Penale përcakton kufijtë e lejimit të përgjimit: Përgjimi i komunikimeve të një personi ose të një numri telefoni me telefon, faks, kompjuter ose me mjete të tjera të çdo lloji, përgjimi i fshehtë me mjete teknike i bisedave në vende private, përgjimi me audio dhe video në vende private dhe regjistrimi i numrave të telefonit, hyrës dhe dalës, lejohen vetëm kur procedohet: a) për krimet e kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se shtatë vjet; b) për kundërvajtjet penale të fyerjes e të kanosjes, të kryera me mjete të telekomunikimit.
Përgjimi i fshehtë fotografik, filmik ose me video i personave në vende publike dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes lejohen vetëm kur procedohet për krime të kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se dy vjet. Përgjimi mund të urdhërohet kundër: të dyshuarit për kryerjen e një vepre penale; personit që dyshohet se merr ose transmeton komunikime nga i dyshuari; personit që merr pjesë në transanksione me të dyshuarin; personit, vëzhgimi i të cilit mund të çojë në zbulimin e vendndodhjes ose të identitetit të të dyshuarit. Rezultati i përgjimit është i vlefshëm për të gjithë komunikuesit. Përgjimi parandalues rregullohet me ligj të veçantë. Rezultatet e tij nuk mund të përdoren si provë.
– Çfarë parashikon ligji shqiptar në mbrojtje të qytetarit? A është e drejtë të përgjohemi dhe sa të rrezikuar jemi ne nga përgjimet?
– Gjithsecili nga ne mund të jetë i përgjuara nga organet e kompetente për arsye nga më të ndryshmet. Ne nuk mund t’i shmangemi përgjimit që realizohet konform ligjit penal procedural, të cilin e përmendëm më sipër. Kjo është diçka e drejtë, pasi shteti është ai që mbron qytetarët dhe Republkën e Shqipërisë nga çdo subjekt që mund të kryejë vepër penale dhe të dëmtojë rendin kushtetues etj.
Qytetarët e Republikës së Shqipërisë janë të mbrojtur vetëm nga persona që kryejnë përgjime të paligjshme për të shantazhuar, shtrënguar etj. Personat të cilët përgjohen nga individë privatë janë të mbrojtur nga neni 123 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë i cili përcakton se: Kryerja me dashje e veprimeve të tilla si asgjësimi, mosdorëzimi, hapja dhe leximi i letrave apo çdo korrespondence tjetër, si dhe ndërprerja ose vënia nën kontroll, dëgjimi i bisedave telefonike, telegrafike, ose i çdo mjeti tjetër telekomunikimi, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim gjer në dy vjet.
– A ka rrezik manipulimi dhe shfrytëzimi të përgjimeve?
– Nuk ka asnjë rrezik për shfrytëzimin e përgjimeve të ligjshme, pasi personi kompetent i cili është vendosur në atë detyrë për t’u shërbyer qytetarëve, me veprimin që mund të bëjë për të manipuluar dhe shfrytëzuar përgjimet, mban përgjegjësi përpara ligjit pasi kryen shumë vepra penale njëkohësisht.
– Po nëse këto të mëparshmet ndodhin (manipulimi dhe shfrytëzimi i përgjimeve), e mbron dot ligji një qytetar të pafajshëm?
– Çdo qytetar është i pafajshëm përderisa nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë, kështu që fakti që ai është përgjuar dhe aludohet se mund të ketë kryer një vepër penale, edhe kur ky është i akuzuar nga prokuroria, është i pafajshëm derisa kjo çështje të sqarohet në gjykatë. Qytetarët të cilët akuzohen i kanë të gjitha mundësitë ligjore për t’u shfajësuar. Gjithashtu, prokuroria, nëse i përdor këto përgjime të manipuluara, do të paraqesë të gjitha provat që ato janë përgjime të drejta dhe pa manipulime. Organi i cili vendos për të vlerësuar fajësinë ose jo të personit, nëse akuzohet për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohet me provë të vetme përgjimin, është gjykata.
– Ne shtyp po thuhet se SHISH ka pergjuar edhe njerez me imunitet ose krere te opozites, jo direkt, por duke pergjuar ligjshmerisht bisedat e tyre me njerez qe ishin ne pergjim… A eshte normale kjo?
– Është i ligjshem çdo përgjim që zbaton procedurën që përcakton ligji procedural penal. Specialistët që kryejnë këto përgjime, i selektojnë përgjimet të cilat atyre u interesojne. Pra, atyre u interesojnë vetem ata persona që janë bashkëpunëtorë të personave që kanë nën përgjim, kanë dijeni lidhur me veprimtarinë kriminale që ai kryen etj. Biseda të tjera të cilat janë jashtë qëllimit të përgjimit, fshihen, nuk transkriptohen dhe asgjësohen nga specialisti që ka këtë funksion. Pra, është kategorisht e ndaluar publikimi, shpërndarja dhe informimi i personave jokompetentë për bisedat që mund të bëjnë personat që janë objekt përgjimi dhe politikanët.
( Vazhdimin e intervistes mund ta lexoni ne numrine kesaj jave te gazaetes INTERVISTA)