– Kush është Uenxhi Kapri, për ata njerëz që nuk e njohin?

– Uenxhi është një vajzë këmbëngulëse, shumë kokëfortë dhe, mbi të gjitha, një vajzë që përpiqet më shumë se 100% për të realizuar atë që do…

– Kjo është pika jote e fortë?
– Po, jam e palodhur. Mund të dal që në 5 të mëngjesit nga shtëpia, të punoj deri në 12 të natës dhe prapë kam fuqi. Nuk lodhem kurrë së bëri atë që dua.
– Ndjehet VIP Uenxhi, tani që po drejton një emision televiziv?
– Ndjehem mirë që po bëj diçka të bukur. Ndjehem e plotësuar sidomos teksa shoh moshatarët e mi që rrinë gjithë kohës kafeneve duke bërë thashetheme. Unë kam mundësinë të bëj diçka ndryshe…
– Si arrite të punësohesh në një televizion, ndërkohë që je ende studente?
– Unë vërtet vazhdoj studimet për Kimi dhe Teknologji Ushqimore, por ëndrra ime ka qenë gjithnjë prezantimi. Ardhja ime në Planet TV ishte aq e menjëhershme saqë as vetë nuk e kuptova se si u bëra pjesë e stafit. Gjithçka ndodhi shpejt, menjëherë pas provës…
– Emisioni ishte ideja jote, apo e stafit të televizionit?
– Emisioni është një modifikim i idesë që kishim bashkë me prezantuesen tjetër. Ai u kushtohet kryesisht talenteve që nuk e gjejnë dot rrugën për të ecur në karrierën e tyre dhe kanë nevojë për një shtysë.
– E sheh të ardhmen në televizion apo ke plane të tjera?
– Televizioni është diçka që më mbush dhe tani që jam mësuar, nuk e di nëse do të rrija dot pa të… Pse të mos jetoj gjithë jetën me këtë pasion?
– E bën emisionin vetëm për kënaqësi e pasion apo për ty ka rëndësi edhe ana materiale?
– Në fakt, unë e nisa këtë rrugë për të plotësuar ëndrrën time, por në momentin kur fillon dhe harxhon para për veshje apo për shumë gjëra të tjera që i kërkon televizioni, normalisht, lind nevoja e një page…
– A kanë ndryshuar marrëdhëniet e tua me shoqërinë pas fillimit të punës së re?
– Po, në fakt, shoqet dhe shokët e mi mërziten shpesh sepse tani s’dal më me orë të zgjatura si më parë. Madje, më kanë kërcenuar se do më rrahin… (Qesh) Bëj shaka, ata më kuptojnë, më mbështesin dhe më ndjekin gjithmonë. Janë kritikët e mi më të mirë…
– Po me lokalet e natës, si i ke marrëdhëniet?
– Jemi “divorcuar” prej kohësh. Shkolla, emisioni, familja e shoqëria s’më lënë asnjë çikë kohë për to…
– Je e lidhur me familjen?
– Po, dhe kam familjen më të mirë në botë. Kam prindërit më mirëkuptues që ekzistojnë. Ata më besojnë dhe më përkrahin për çdo gjë.
– Aktualisht, ke ndonjë partner përkrah teje?
– Partner? Ta thashë: Unë s’kam kohë për lokale nate jo më për partner! E sigurtë që do të më braktiste menjëherë, edhe po ta kisha…
– Më tepër vlerëson jetën e natës sesa një partner?!
– (Qesh) Jo, aspak, por kur nuk kam kohë për disa orë me shoqërinë vetëm për argëtim, si mund te kem kohë për partner?!
– E ke menduar se kjo rrugë që ke nisur do të të bëjë pjesë të thashethemeve të publikut apo shtypit të shkruar?
– Po, e kam menduar dhe i kam marrë parasysh të gjitha. E di që televizioni, ashtu siç mund të të ngrejë, mund edhe të të ulë e të të bëjë objekt diskutimi, por jam njeri shumë sportiv, që nuk e vras mendjen. Gjithashtu, nuk do ta lija kurrsesi ëndrrën time vetëm për t’iu shmangur thashethemeve.
– Cilat janë vështirësitë dhe kënaqësitë që të dhuron puna në televizion?
– Vështirësia është vetëm te koha që e kam shumë të kufizuar prej shkollës e kurseve që ndjek, ndërsa kënaqësitë janë të shumta. Kam arritur të njoh aq shumë njerëz në një kohë kaq të shkurtër sa s’do t’i kisha njohur për një vit, plus që kam takuar dhe disa prej idhujve të mi, si grupi Lynx apo grupi Revolt Klan.
– Po me kolegen si ia kalon? Njiheshit më parë?
– Jemi njohur në një audicion për moderatore dhe që në momentin që jemi prezantuar e kuptuam që do bëheshim të pandara dhe vendosem që më vonë të aplikonim bashkë për TV Planet. Kuptohemi shumë mirë me njera-tjetrën, madje e dimë gjithmonë se ç’ka në mendje tjetra… Shkojmë shumë mirë, dalim bashkë edhe pas pune. Jemi bërë në njëfarë mënyre si tenxherja me kapakun…
– Përveç televizionit, çfarë pasioni ke tjetër?
-Unë shkruaj dhe së shpejti, shpresoj të botoj librin tim të parë që do të jetë një roman dashurie.
– Çne roman dashurie? Na the që je singëll… Apo ke rënë “pre” e dashurisë…
– Pyetje e bukur kjo! Në fakt, kam zgjedhur të trajtoj temën e dashurisë pasi është një nga ndjenjat më të mëdha që na shoqëron gjithmonë. Libri nuk ka lidhje me jetën time, është thjesht një histori e trilluar për një çift që dashurohen që në bangat e shkollës së mesme dhe që tejkalojnë çdo vështirësi që u del përpara. Ai përcjell mesazhin e dashurisë së vërtetë…
– Televizioni, në ekranin e të cilit do të të shohim në të ardhmen?
– Do të punopja në çdo televizion që do të më bënte të ndihesha mirë dhe që s’do të ndërhynte në mënyrën time të të moderuarit. Për momentin, jam shumë e lumtur këtu ku jam.
– Duke të falënderuar për këtë intervistë, do të doja një koment për ata të rinj që aspirojnë të jenë pjesë e televizionit. Çfarë do t’u thoje?
– Të guxojnë e të kërkojnë të bëjnë emisione, ta ndjekin deri në fund ëndrrën e tyre, ashtu siç bëra edhe unë. Kjo është edhe në të mirë të televizioneve. Duhet të ketë sa më shumë fytyra të reja. Jemi lodhur duke parë në ekran të njëjtat fytyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *