Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Brenga e dy pleqve të mbetur vetëm
Si të kapërcesh 8 etapat më të vështira të jetës në çift
Ta nisim ditën me të qeshur

Si të kapërcesh 8 etapat më të vështira të jetës në çift

Të gjitha përrallat që ne njohim, mbarojnë me frazën “U martuan dhe jetuan të lumtur përgjithmonë…”. Gabimi i tyre është se krijojnë një vizion shumë të thjeshtëzuar të dashurisë. Askush nuk na kishte thënë se në lidhje, duhet të kapërcesh disa etapa. Jeta në çift, nuk është gjithmonë e lehtë. Ka evenimente që përmbysin jetën e të dashuruarve, si lindja e një fëmije, bashkëjetesa, etj. Pas këtyre etapave fshihen momente të lumtura dhe vështirësi që nuk mendoje se do t’i hasje në jetë. Ashtu si thonë psikologët, bëhet fjalë për sprova zjarri që duhen kapërcyer në çift. Gjëja pozitive është se, nëse arrin t’i kapërcesh këto sprova, mund të dalësh më i fortë dhe më i dashuruar prej tyre… Ja cilat janë ato:

1. Etapa e 3 vjetëve
“Dashuria zgjat 3 vjet” është titulli i librit të shkrimtarit francez Frederik Begbede, që është bërë edhe film. Libri flet për historinë e trishtuar të shkrimtarit me ish-të dashurën e vet, Anën. Mërzia dhe rutina qenë shkatërrimtare për lidhjen e tij.
Çfarë ndodh: Para kësaj date të famshme (pak a shumë), dy partnerët jetojnë periudhën e shkrirjes te njëri-tjetri: Mendojnë të njëjtën gjë, kanë të njëjtat projekte, bile edhe duan të njëjtat gjëra. Vetëm se pas 3 vjetësh, realiteti troket në derën e tyre dhe ata fillojnë të zbulojnë plot gjëra befasuese: Ai nuk di të kujdeset për veten, ajo flet shumë, etj, etj. Me një fjalë, kuptojmë se e kemi idealizuar pak tjetrin dhe, në këtë stad, ekzistojnë dy rreziqe:
– Ose përpiqesh ta ndryshosh tjetrin, për ta bërë këtë të përkryer, pra, ekspozohesh ndaj fërkimeve…
– Ose përpiqesh të ruash këtë imazh ideal, duke adoptuar strategjinë e evitimit. Anashkalon atë që të nervikos, grumbullon mllef përbrenda në heshtje…
Këshillat e psikologut për të kapërcyer këtë etapë:
– Së pari, duhet dalë nga politika e strucit: Përballesh me atë që kishe ëndërruar dhe realitetin.
– Ai (ajo) nuk është siç e mendonit? Në vend që të frikësohemi, e shohim këtë si një mënyrë për të zbuluar (më në fund) partnerin tonë, ashtu siç është në realitet.
– Flasim së bashku. Nuk hezitojmë të theksojmë rastet kur ai/ajo na kanë befasuar dhe jo gjithmonë në sensin e keq! Objektivi ynë është të çdramatizojmë këtë zbulim dhe të sigurojmë njeri-tjetrin reciprokisht. Me një fjalë, unë nuk jam i vetmi/e vetmja që ndjej një ndryshim!
– Më parë, që ta pëlqenim njëri-tjetrin, mbase kemi fshehur disa aspekte të temperamentit ose jetës sonë. Kjo etapë është një rast i mirë për t’u sjellë në mënyrë autentike dhe për të mbajtur marrëdhënie “të vërteta” dhe pa gënjeshtra. Rilidhim marrëdhëniet me shoqërinë që kishim para se të binim në dashuri, për shembull, me ata shokë/shoqe që nuk i kemi parë që prej 3 vjetësh!

2. Etapa e 7 vjetëve
Në filmin francez “7 vjet martesë”, Odrit dhe Alenit, lidhja e tyre u duket e mërzitshme. Para se rutina t’u shkatërrojë lidhjen, ata vendosin të konsultohen me një seksolog.
Çfarë ndodh: Kjo etapë mund të jetë e vështirë, nëse nuk është kapërcyer si duhet etapa e 3 vjetëve (kalimi nga shkrirja, në diferencim). Nëse ke bërë rolin e strucit për vite me radhë, vjen një moment kur nuk mund të shtiresh, kur je i detyruar të pranosh se situata nuk është tamam si më parë… Njëkohësisht, vëmë re që pasioni ia ka lënë vendin diçkaje tjetër, që shkakton më pak drithërima në zemër dhe duart më pak të lagështa kur dëgjojmë çelësin në vrimën e derës… Po sikur dashuria t’ia kishte lënë vendin një lidhjeje të thjeshtë? Fillon paniku, sepse ne i kemi dhënë fjalën njëri-tjetrit që të jemi të dashuruar gjithë jetën…
Këshillat e psikologut për të kapërcyer këtë etapë:
– Duhet pasur kujdes që të mos bëjmë gabim në diagnostikim: Nuk është gjithmonë fundi i dashurisë, por shpesh, vetëm fundi i pasionit! Dhe, aq më mirë, sepse nëse vazhdojnë gjatë, drithërimat i bëjnë keq zemrës… Duhet kuptuar se dashuria transformohet me kalimin e viteve, që merr një formë ndryshe, sepse përballet me realitetin dhe bëhet… reale.
– Dalim nga skema sipas të cilës nga njëra anë është pasioni dhe nga tjetra, mërzia. Rutinë quhet edhe krijimi i zakoneve në çift dhe kjo nuk është diçka e keqe. Ajo që ka rëndësi është që, herë pas here, të dalësh prej rutinës, për të pasur më pas kënaqësinë e rikthimit në të.
– Duhen krijuar në çift momentet e “shkrirjes”. Kjo afërsi mund të bëhet nëpërmjet seksit, por jo vetëm kaq. Mund të rigjejmë e riforcojmë intimitetin duke mësuar si ta prekim njeri-tjetrin, duke folur për momentet e bukura, duke evokuar ato që kemi kaluar së bashku.

Advertisement

3. Lindja e një fëmije
Filmi francez “Një ngjarje e lumtur”, vë në skenë një çift që përballet me vështirësitë që krijon sjellja në jetë e një fëmije. Ja, fraza e filmit që i përmbledh të gjitha (flet nëna për të bijën): “Ajo më shtyu të mbyllesha në vetvete, më bëri të kapërcej gjithë kufijtë e mi, më përballi me absoluten… Ajo më theu, më transformoi. Pse askush nuk më tha gjë? Pse nuk flitet për këtë?”
Çfarë ndodh: E kemi shpresuar, ëndërruar, pritur dhe, ja ku është! Megjithëse vetëm 50 centimetra, ai trondit strukturën e çiftit, të cilit i sjell një lumturi të pakrahasueshme. Megjithatë, nuk është gjithçka fushë me lule kur gjendemi të tre në shtëpi. Bebja përfaqëson një të tretën e çiftit, që do të harxhojë gjithë energjinë fizike dhe psikike të prindërve të vet. Nga çift, kalojmë në familje; nga burrë e grua, kalojmë në baba e mama. Kjo e fundit përjeton shpesh në momentin e lindjes ndjesi shumë të afërta me dashurinë me shikim të parë, edhe për shkak të oksitocinës (hormonit të dashurisë) që sekretohet gjatë lindjes. Megjithëse kufijtë mes rolit të nënës dhe babait nuk janë më aq të prera sa më parë, nuk është gjithmonë e lehtë për baballarët të gjejnë vendin e tyre në këtë histori të re dashurie dhe shkrirjeje.
Këshillat e psikologut për ta përjetuar sa më mirë lindjen e një fëmije:
– Kujdes nga etiketat që u vëmë në mënyrë të pandërgjegjshme fëmijëve që do të lindim, të tilla si “bebja e shansit të fundit”, apo “bebja që do të shpëtojë martesën”, të destinuara për të shëruar plagët e një çifti dhe që rrallë e kryejnë misionin që u caktohet…
– Autorizojini vetes edhe emocionet negative: Të ngrihesh natën është e lodhshme, mund të kesh frikë se nuk do t’ia dalësh mbanë, nuk e imagjinoje se do të ishte “kështu”. Nuk ekziston një mëmësi e atësi e përkryer dhe mos e fajësoni veten pse ndjeheni të zhgënjyer, të lodhur dhe në ankth.
– Duke kujtuar se nuk është mirë të ankohesh, prindërit kanë secili tendencë të mos i shprehin ankthet e tyre, që zmadhohen nga përshtypja se je i vetmi që i përjeton ato. Nëse i tregoni njëri-tjetrit frikërat dhe dështimet, mund ta qetësoni njeri-tjetrin reciprokisht.
– Është e rëndësishme të jesh i kujdesshëm ndaj sinjaleve të alarmit që tregojnë se jeni duke e lënë pas dore çiftin. Për shembull, nëse e keni të vështirë të shkëputeni nga fëmija qoftë edhe për një mbrëmje të vetme, kjo duhet t’ju nxisë të rivlerësoni vendin e fëmijës dhe çiftit në familje.
– Bëjini vetes pyetjet e duhura dhe mësoni të kuptoni edhe të pathënat e qëndrimeve tuaja. Pyeteni veten, për shembull, se pse keni frikë të flisni me tjetrin. Cilat biseda mundoheni të evitoni duke folur vetëm për fëmijën?

4. Bashkëjetesa
Në filmin “Një jetë dyshe” përshkruhet jeta e një çifti që prej ditës së takimit dhe tregon se si, ajo që na pëlqente te tjetri, duke jetuar me të, kthehet në atë që na largon prej partnerit/es…
Çfarë ndodh: Ju ëndërroni t’i keni furçat e dhëmbëve në të njëjtën gotë, dy emrat tuaj në kutinë postare. Jetesa e përbashkët është shpesh angazhimi i parë i një çifti, etapa që e kthen lidhjen nga diçka e rastësishme, në vullnet për t’u afirmuar. Ndërkohë që më parë shiheshit vetëm në disa momente të zgjedhura (që ishin edhe më të mirat), tashmë jeni në mëshirën e jetës së përditshme, të ndryshimeve të humorit reciprok. Nuk mund të gënjejmë më veten dhe tjetrin: Zakonet dhe manitë tona dalin në shesh dhe ndryshimet bëhen të dukshme.
Këshillat e psikologut për të kapërcyer këtë etapë:
– Bëjmë një përzgjedhje mes gjërave që na acarojnë. Mësojmë të tolerojmë dhe bile të qeshim me disa nga defektet e tij (pasta e dhëmbëve, rregullimi i gjërave, kapaku i tualetit…) të lidhura me zakonet e gjithësecilit. Këto minikonflikte krijojnë një lloj “acarimi të mirë” pa pasoja, bile i japin ngjyrë çiftit!
– Tregohemi të hapur ndaj propozimit të tjetrit, edhe sikur të mos jetë ekzaktësisht ai që prisnim.
– Ruajmë ekuilibrin e çmuar sipas të cilit 1+1=3, ti, unë dhe çifti. Për këtë arsye, i rezistojmë tundimit për t’u mbyllur në vetvete dhe nuk bëjmë gabimin për të shkëputur lidhjet me rrjetin shoqëror, familjar, etj. Nëse është e mundur, krijojmë një hapësirë ku secili të merret me punët e veta.
– Nëse është e mundur, krijojmë një fole neutrale, domethënë, të krijuar nga vetë çifti, pa ndërhyrjen dhe ndikimin e familjeve respektive.

5. Dramat e jetës
Në filmi “Lufta u shpall” flitet për një çift që përballet me sprovën më të vështirë, atë të sëmundjes së djalit të tyre të vogël…
Çfarë ndodh: Sëmundje, vdekje… Jeta në çift nuk është një lumë i gjatë, i qetë dhe nganjëherë sprovohet nga ngjarjet e vështira që janë pjesë e jetës, duke i dhënë kuptim shprehjes “Në të mirë dhe në të keqe”. Në letër kjo duket e thjeshtë, por në fakt, nuk është kështu. Megjithatë, përtej dhimbjes së madhe që shoqëron këtë etapë, ajo mund të jetë për çiftin burim i një hapi të madh drejt autenticitetit, intimitetit dhe mirëkuptimit.
Këshillat e psikologut për të kapërcyer këtë etapë:
– Angazhohuni përsëri… Ndërtimi i një çifti kalon nëpër dy elemente: Dëshira, që është e rastësishme dhe e lëvizshme e vullneti për të krijuar një çift. Dramat e jetës vënë në provë dëshirën. Mbetet të riafirmohet zgjedhja e të qenit së bashku, vullnetit për të kapërcyer sprovat.
– Të duash, supozon një formë braktisjeje dhe të dish të kërkosh ndihmë, bën pjesë në procesin e evolucionit të çiftit. Ne kemi tendencë të mendojmë se tjetri duhet ta kuptojë kur kemi nevojë për të. Por, t’i shprehesh partnerit/es se ke nevojë për të, nuk është një akt dobësie, përkundrazi, kjo eviton shumë keqkuptime…
– Megjithatë, kujdes! Nuk duhet pritur gjithçka nga partneri, pasi kështu rrezikon të vonosh shërimin dhe ta ngarkosh tjetrin me një barrë të rëndë për t’u mbajtur. Mbështetja e ofruar në çift duhet shoqëruar me një përgjegjësi individuale.
– Kujdes se mos shkëmbeni vend me partnerin. Nëse ju keni nevojë të rrëfeheni tek ai/ajo, kjo nuk do të thotë se ai ka nevojë për të njëjtën gjë!
– Përballë një sprove është thelbësore të kuptohet se strategjitë përballë dhimbjes nuk janë të njëjta. Heshtja, të qarët, agresiviteti, izolimi, secili ka mekanizmat e vet të mbrojtjes. Nuk ka mënyrë “të mirë” për të reaguar, vetëm individë që bëjnë ç‘është e mundur për të mposhtur dhimbjen e tyre

  1. Ndërrimi i shtëpisë

Në filmin “Dasma rebele”, Frank dhe Ejprëll Uiler përbëjnë një çift të qëndrueshëm dhe origjinal. Ata ndërrojnë shtëpi dhe shkojnë për të banuar në rrethinat e pasura të Amerikës të viteve ’50, gjë që do të sjellë në jetën e tyre ndryshime e përmbysje që as i imagjinonin më parë…

Çfarë ndodh: Një ndërrim shtëpie, pavarësisht nëse bëhet me apo pa dëshirë (i detyruar, për shembull, shkon për të banuar në një vend tjetër) mund të paraqesë një mundësi për të rigjallëruar çiftin, duke i sjellë një erë risie. Megjithatë, mos e nënvlerësoni rëndësinë e një ndryshimi në kuadrin e jetës, sepse duke ndryshuar muret e shtëpisë, ndryshoni edhe rutinën e jetës së përditshme.

Këshillat e psikologut:

– Mos e mbivlerësoni këtë ndryshim. Megjithëse ajo mund t’i sjellë çiftit një dozë të re risie dhe mund ta bëjë jetën më pikante, kujdes mos bini në kurthin: “Gjithçka do të shkojë më mirë kur të kemi një shtëpi të re”. Ashtu si lindja e një fëmije nuk rregullon gjithçka, edhe ndryshimi i shtëpisë nuk do të riparojë të gjitha defektet e çiftit me një shkop magjik…

– Nganjëherë ndërrimi i shtëpisë bëhet me nxitjen e njërit prej partnerëve, ndërkohë që tjetri, më në fund, jep pëlqimin e vet me peng në zemër. Në këtë rast, kujdes që ai që ka pranuar pa dëshirë ta mos e bëjë partnerin të “paguajë” për këtë vendim!

– Ndërkohë që kishim krijuar një rutinë ose zakone funksionimi, ritualesh, një banesë e re bën që gjërat të fillojnë nga zeroja dhe i vë dy partnerët ballë për ballë. Premisat e kësaj jete të re janë një mundësi ideale për të rigjetur veten, ripërcaktuar vendin e çiftit në familje, rregulluar organizmin e zakoneve në mënyrë që të riforcohet (ose rigjehet) një formë intimiteti.

 

  1. Zbulimi i një tradhtie

Të heshtësh dhe ta fillosh ndryshimin në heshtje, duke shpresuar në një të ardhme më të mirë… Është ky qëndrimi që zgjedh Gabriela në filmin “Ata u martuan dhe bënë shumë fëmijë”, kur zbulon tradhtinë e të shoqit. Filmi eksploron me finesë tradhtinë, dashurinë dhe çiftin.

Çfarë ndodh: Zbulimi i një tradhtie është gjithmonë një tërmet për çiftin. Plagëve të egos së partnerit të tradhtuar i shtohet një zhgënjim dhe një mosbesim kundrejt atij apo asaj që ka hedhur poshtë “kontratën” e besnikërisë. Sado e pakonceptueshme të duket për momentin, kjo etapë mund të përbëjë një shtysë që çifti të funksionojë më mirë.

Këshillat e psikologut:

– Pasi kalon faza e zemërimit, hapi i parë konsiston në përpjekjen për të analizuar situatën dhe për të kuptuar se çfarë ka ndodhur që e shtyu tjetrin të tradhtojë. Nëse vini gishtin në defektin që shkaktoi tradhtinë, mund të bëni një nisje të re për çiftin.

– Këto reflektime të bëra individualisht dhe në çift duhet të shpien në ndryshime, në rregullimin e gabimeve dhe jo në krijimin e mërive dhe mbylljen në vetvete. Konsultohuni me një terapeut, vendosni të bëni një javë pushimesh në vit vetëm të dy, ose një mbrëmje në javë…

– Një tradhti mund të jetë një rast për të ripërcaktuar së bashku pikat e kontratës së heshtur që ju lidh të dyve. Disa çifte mund të zgjedhin, për shembull, të jenë të lirë seksualisht…

  1. Vetëm të dy…

Në filmin francez “Tanguy”, trajtohet me humor tema e “fëmijëve” 30 vjeçarë të cilët e kanë të vështirë të ikin nga shtëpia e prindërve dhe të jenë të pavarur… ndërkohë që këta të fundit, mezi e presin këtë.

Çfarë ndodh: Shpeshherë, largimi i fëmijëve nga vatra familjare përkon edhe me daljen në pension, e cila në vetvete përbën një vështirësi më vete. Nuk është gjithmonë e lehtë për prindërit të përballen me këtë fazë të “folesë bosh”, pasi dy partnerët gjenden tashmë vetëm dhe ballë për ballë me njëri-tjetrin.

Këshillat e psikologut:

– Rrëfejuni njëri-tjetrit. Këto etapa janë gjithmonë përmbysëse, burim pyetjesh dhe ankthesh. Kjo do t’ju ndihmojë të kuptoni se nuk jeni i vetmi që stresoheni, por edhe do të evitojë të mos ua thoni ankthet tuaja fëmijëve, që rrezikojnë të ndjehen fajtorë për këtë.

– Riinvestoni në çiftin tuaj. Nëse boshllëku i lënë nga nisja e fëmijëve është i madh, është rasti të pyesni veten se çfarë vendi i keni lënë çiftit gjatë gjithë kësaj kohe. Po sikur, me dëshirën për të bërë mirë, keni bërë më shumë për fëmijët, duke e lënë pas dore çiftin?

– Përfitoni nga kjo liri e re duke bërë një aktivitet së bashku (ecje, etj.) ose projekte të reja (pushime, rinovim apo ndërrim shtëpie…). Kjo etapë është për disa çifte një nisje e re dhe një afrim dashuror mes dy partnerëve.

 

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Brenga e dy pleqve të mbetur vetëm

Next Post

Ta nisim ditën me të qeshur

Advertisement