– Dr. Dashamiri, u bënë tre muaj që më është fryra qafa në mes dhe jam bërë shumë merak. Veç kësaj, kam edhe rënie të flokëve. S’e di nëse janë këto shenja të ndonjë gjëndrre në tiroide. Ndryshimi tjetër që vë re te vetja është shëndoshja jo e mirë. Çfarë mjekimi më rekomandoni, apo çfarë analizash duhet të bëj? Pres një përgjigje nga ju. Faleminderit.
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – Ju falënderoj për përshkrimin e saktë dhe konçiz të pyetjes suaj, edhe pse do të kishte qenë mirë të jepnit disa të dhëna të tjera, si: Mosha juaj, gjinia, vendbanimi e, pse jo, diçka edhe nga historiku i shëndetit tuaj. Në një analizë të shpejtë të fakteve që më keni vënë në dispozicion, konkludoj se me shumë gjasa, problemi ekziston vërtet te tiroidja juaj. Në kuptimin e parë, kur më thoni “kam fryrje të qafës”, ky mund të interpretohet si një zmadhim total i gjendrrës tiroide që në gjuhë mjekësore njihet si struma e thjeshtë ose gusha, por ju nuk e keni vënë re më parë këtë rritje dhe fryrja prezantohet si një ngjarje e kohëve të fundit dhe e shpejtë. Ka shumë mundësi që ju të vuani nga formimi i nodujve të gjendrrës tiroide (kur themi nodul, nënkuptojmë një masë fizike të madhësive të ndryshme kryesisht në formë të rrumbullakët në konsistencë, si dhe me vendosje pak a shumë brenda gjendrrës tiroide ose në afërsi të saj). Këta noduj ose lytha, siç njihen edhe rëndom në gjuhën popullore, që i përshkruajnë edhe si “kokrra”, s’janë gjë tjetër veçse patologji apo sëmundje tumorale të gjendrrës tiroide. Këto sëmundje janë shumë të shpeshta në popullatën tonë, ato kapin 50 % të njerëzve dhe prekja nga këta noduj, rritet me kalimin e moshës. Në mbi 90 % të rasteve, këto paraqiten si procese tumorale beninje ose të mira, por në një përqindje relativisht të vogël, mund të jenë edhe procese apo lezione malinje ose kancerogjene.
– Deri këtu, po i trajtojmë nga pikëpamja mjekësore në mënyrë të përgjithshme fenomenet nodulare të gjendrrës tiroide të cilat rrjedhin përgjithësisht nga defiçenca apo mungesa e jodit që merret nëpërmjet dietës ushqimore. Por gjithashtu, një rol shumë të rëndësishëm në shfaqjen e tyre luajnë edhe komponentët gjenetikë, e thënë më thjesht, trashëgimia. Për t’u kthyer edhe një herë te rasti juaj konkret, siç ju informova edhe më lart, duhet me patjetër të kryeni një vlerësim më të thellë dhe më profesional të problematikës që paraqisni. Duke marrë në konsideratë këtë fakt, duhet t’u nënshtroheni patjetër ekzaminimeve biologjike (matja e hormoneve të tiroides), ekzaminimeve imazherike, ekografike, shintigrafi etj., si dhe një vizitë me një mjek specialist, për të konkluduar saktësisht diagnozën. Gjykuar në këtë pikëpamje, mbetet t’ju them që te tiroidja juaj ka shumë mundësi që krahas prekjes së saj nga proceset nodulare në shumë pak kohë, ajo mund të ketë shkuar drejt humbjes së funksionit të saj, pra, drejt hipotireozës apo pakicës së jodit. Kjo, për shkak të vuajtjes së kësaj gjendrre tiroide nga proceset e mësipërme. Në këtë fenomen gjen shpjegimin edhe shtimi në peshë dhe, pse jo, edhe rënia e flokëve, që shpesh janë tipare karakteristike të hipotireozes. Duke përfunduar, ju këshilloj që s’duhet të shqetësoheni, por duhet medoemos që sa më shpejt, të përcaktoni diagnozën e saktë të problemit tuaj dhe nëse keni të bëjmë me çrregullim nodular beninj apo malinj. Duhet vlerësuar domosdoshmërisht statusi dhe gjendja funksionale e gjendrrës suaj tiroide. Pres të më shkruani sërish. Gjithë të mirat!