Të zgjohet dua

Nuk di në duhet të qaj a të qesh

Turpin tim, ta vesh a ta zhvesh

A mos vallë në këtë turmë që heshtja ka zaptuar,

të gjithë jan’ në gjumë e unë jam zgjuar?

 

Kërkoj mes turmës si mua të tjerë,

me shpresë se nga gjumi këtë turmë do nxjerr,

se në këtë gjendje nuk do duroj dot edhe shumë,

ah sikur të mundesha, të flija dhe unë…

 

E me turmen te rreshqisja, pa ëndrra në radhë

…për ëndrra të prisja ….

 

Thertorja është hapur, fjetina gjithashtu,

thikat stolisur, e mund-gjaku gjer në gju,

padronët predikojnë se pas vdekjes është parajsa,

oh, janë kaq të bukura fjalët… E shkëlqejnë, gjasa!….

 

Një kufomë, varur në çengelat e sistemit,

unë, ti e miliarda të tjerë,

të vaditur me anestezi, përmbytur me iluzione,

vjedhjen e shpirtit për të mos ndier…

 

Por unë jam zgjuar dreqi e marrtë,

sepse nuk kam ëndrra, nga ëndrra jam gatuar,

dhe kur shoh këtë turmë të vendosur në radhë,

ndihem i pashpresë e ndihem i vetmuar…

 

Ndaj thërras e çirrem…

 

…Nuk trembem mos ndryshon radha,

e thika e kasapit më shënon mua të parin,

nëse mbi gjakun tim do të vdes përralla,

mbi të vërtetën e di, do të ma ngrenë varrin!

 

Veç të zgjohet dua, të zgjohet, të shpërthejë,

mos të rrij e mekur, e fjetur dhe e mjerë,

të ngrihet nga gjumi, të vërtetën të vështrojë,

e me këmbëngulje drejt saj të marshojë…

 

Veç të zgjohet dua e shpirtin ta ndjej,

se si pergjumja në heshtje i vjedh,

ëndrra e deshira, arsye për të jetuar …

…kjo nuk eshte jete, por lufte për t’mbijetuar

 

Nuk e di, të qaj a te qesh?…

…monolog i trishtuar e një shpresë që nuk vdes! (Jeton Shehu)

 

Fluturim fantazie

 

Ai shikimi yt i ëmbël…

Më bën me krahë të fluturoj..

Më çorienton, më çon në ëndërr

Në një përrallë të jetoj…

 

Imagjinata në mendjen time

Më çon në ishull tropikal

Dhe fillon e bën xhirime

Ne të dy në rol të parë

 

Në atë botë krejt magjike

Palmat gjigande bënin freski

Poshtë tyre ne, pinim pije ekzotike

Përballë kishim detin plot madhështi

 

Në gjirin e tij ai i ftonte

Dy shpirtrat tanë të dashuruar

Me ujin e tij t’i freskonte

Nga dielli i nxehtë i përvëluar!

 

Më pas vjen muzgu… Eh, ç’bukuri!

Horizonti mbushur ngjyra

Det e qiell një të dy

Shpërthim, romancë gjithë natyra

 

Një zjarr i ndezur; unë dhe ti

Përqafuar fort qëndronim

Yjet kishim për çati..

Më shumë se kaq, s’kishim ç’kërkonim! Laerta Kajtani

 

 

Ndjenja në varg të lirë

 

Unë jam malli yt, e dashur

Ai çast pa fjale orëve të vona

Ku i flet territ a vetes symbyllur

Me shpresën që unë të dëgjoj…

 

Jam kujtimi yt, nuk diskutohet

Kujtimi yt i vetëm gjer në mani

E në puthjet që dhuron atë dhurohen

Ti i mbyll sytë! Arsyen e di unë…

 

Domosdo që jam dëshira jote.

Era që fryn mbi ty çdo mëngjes.

Jam epshi yt i fshehur e i ndrojtur

Që vjen sa herë më sjell ndërmend

 

Edhe loti që rrëshqet mbi faqen tënde

Ka diçka nga unë edhe ai.

Të jenë vallë lëngu i shpirtit lotët?

…unë jam tërësisht gjithë shpirti yt…

 

Nëse është qielli aq sa duket

Atëhere për ty jam i pafund.

E nëse bëj pjesë në gjithë qenien tënde

Ndodh sepse jam dashuria jote e vetme

 

Nëse qielli është i pafund

Atëhere unë jam qielli yt! BLEDI   YLLI

 

Largësia

 

Largësia është si errësirë,

ma shton mërzitjen,

pret dashurinë si pemën e mbirë

filizat t’i rriten.

 

Largësia s’është e mirë

buzëqesh si tinëzare,

atë që i fal shpirtin e dlirë

ta largon fare.

 

Largësia punë më prish

(Mos pastë kurrë!)

jo thjesht ndjenjat më gërvisht

Qenka torturë.      ANILA MATAJ

 

PA SHKAK

 

Ke hije të rëndë pema ime,

hijet në mua kanë zënë vend,

nuk di shpirti në ç’zhgjendërr mërgon,

sonte…

 

Ke hije të rëndë pema ime,

edhe pse dielli rrezit nga pak,

une fikem,

kujtesa ç’më rri në prag,

sonte,

nën qerpik njomen hijet,

ashtu pa shkak…     Alma Tefa

 

E putha…

 

E putha shiun të të ndjej më pranë…

Në k’të natë të errët, ku nuk gjendesh ti…

Ato pika shiu zemrën seç ma vranë..

Për të patur pranë, lagem unë në shi… Maurisja Xhamaqi

 

Kështjella e dashurisë

 

Një ditë të bukur u deha,

Më rrëmbyen flatrat e poezisë,

Në prehër më ulën, u preha,

I hapa shtigjet dashurisë.

 

Humba vorbullave të mendimeve të mia

Lapsin rrëshqita mbi letër, qetë-qetë.

Nga ujëvara e shpirtit derdhej dashuria.

Përhapej dallgë-dallgë mbi fletë.

 

Dhe eca kështjellës së saj,

Mendueshëm, por edhe me gëzim.

Ia ndjeva aromën dhe bukurinë,

Si parfumin natyrës në blerim.

 

Sa hov i fala kureshtjes,

S’po ndaja dot ku fillonte e vërteta.

Në isha unë pushtues i kështjellës,

Apo i pushtuar mbeta brenda!  Klevis Bakillari

 

Të ëndërrova ty…

 

Të ëndërrova… Ti ishe Romeo,

Përtej kohës… Unë Zhulietë

Historia e një dashurie,

Në të kaluarën e thellë

E ndjenjave të ngrohta,

Dëgjimi qe… latin

Mrekullisht… i gjallë.

Sytë e mi magjepsur,

nga këngët e dashurisë,

Momente të lëvduar, fjalë e pafjalë,

Duke pritur buzët e tua

Mora frymën tënde, të dashuruar.

Ëndërrova magji,

Aroma dhe shije …

shtrirë në shtratin e tragjedisë,

Ti Romeo dhe Zhulietë unë

Pimë… u dehëm nga pasione pa fund… MARI  MAR

 

Blerta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *