Arsyeja pse sot mora iniciativën për të shkruar historinë e jetës sime, ishte pikërisht një aksident tragjik që ka ndodhur para pak ditësh. Dëshiroja të bisedoja me dikë dhe t’i tregoja historinë time, por në ditët e sotme, nuk mund t’i hapesh dikujt për të qarë një hall, pasi sot nuk i besohet as rrobës që mban veshur. Prandaj zgjodha gazetën tuaj, si një mënyrë për të rrëfyer atë histori që kalova në jetën time dhe që sot e kujtoj me lot në sy, edhe për shkak të një tragjedie, që i ndodhi personit që unë e doja dhe e adhuroja.
Thonë se njeriu vetëm një herë dashuron në jetë dhe historitë e tjera janë ndjenja për të kaluar monotoninë e përditshme, por në fakt, me mua nuk ndodhi kështu. Për ta kuptuar më mirë këtë, po jua tregoj më në detaje. Historia ime e dashurisë ndodhi pikërisht në fshatin ku unë u martova, edhe burrin e mora me dashuri dhe me të vërtetë kalonim një jetë shumë të lumtur. Ne kishim tre fëmijë, im shoq punonte drejtor në Shtëpinë e Kulturës, ndërsa unë punoja shitëse në një nga dyqanet e fshatit ku jetonim. Ishim për mrekulli të Zotit, deri në një periudhë kur vajza jonë e vogël filloi të kishte shumë probleme me shëndetin. Në fillim menduam se ajo kaloi një të ftohtë dhe se do të ishte diçka kalimtare, por në të vërtetë, nuk ishte kështu. Vajza ishte shumë e vogël, as një vjeç nuk kishte mbushur dhe doktorët më këshilluan ta shtroja në spitalin e fshatit, pasi ajo kishte shumë temperaturë. Edhe pse i jepnim ilaçet që na kishin dhënë në recetë doktorët, përsëri nuk kishte asnjë përmirësim. Kështu, u detyruam ta shtronim në spital. Sigurisht që vajza ishte shumë e vogël dhe më donte mua pranë në çdo kohë. Kjo gjë më detyroi të lija edhe punën si shitëse dhe t’i përkushtohesha vajzës sime të vogël. Halli që më kishte zënë, më bëri të rrija gjatë gjithë kohës në spital. Vetëm në disa raste, kur më zëvendësonte im shoq, shkoja në shtëpi, bëja ndonjë punë dhe kthehesha përsëri. Doktori që kujdesej për vajzën time kishte ardhur për të bërë specializimin në fshatin tonë, sepse atëhere ashtu ishte, nuk kishte doktor që të mos kalonte njëherë aty ku e emëronin.
Kisha gati një javë në spital dhe vajza ende nuk kishte përmirësimin që ne kërkonim, madje po bëhej më keq akoma. Një ditë, kur ora shënonte gati 12 e natës, kuptova se vajza u bë shumë keq dhe bërtita me të madhe. Në sekondë, erdhi doktori dhe dha ndihmën e shpejtë vajzës. Ai i bëri një gjilpërë në kokë dhe i vendosi përsëri serumin. Unë vetëm qaja kur shikoja vajzën aq të vogël që po luftonte me vdekjen dhe doktori, për herë të parë, më kapi nga krahët, duke më thënë:
– Vajza jote është më mirë dhe, nëse do të sillesh në këtë mënyrë, nuk do të kesh forcë për t’i shërbyer!
Nuk e di pse, por ato fjalë, në atë natë të ftohtë nëntori, më mbetën në mendje. Ishte i vetmi ngushëllim që kisha marrë në ato ditë vuajtjesh për vajzën dhe për mua. Vajza ishte nën efektin e ilaçeve dhe mua nuk më zinte gjumi. Po ecja në korridorin e gjatë të spitalit, kur dëgjova zërin e doktorit, i cili më ftoi në zyrën e tij për të pirë një çaj. Aty ai më sqaroi për problemin e vajzës dhe më tha se ajo, pas pak ditësh do të kishte përmirësim të dukshëm. Ai gjithashtu më tha se, nëse doja, mund të pushoja në dhomën ku flinte ai. Ndoshta ju nuk mund të më kuptoni, po në atë spital, në atë natë të ftohtë dimri dhe me atë hall që kisha unë, doktori u bë shoku im më i mirë. Ai më rrinte shumë pranë.
Pas dy ditësh, vajza filloi të reagonte dhe kishte përmirësim, ajo filloi të hante nga pak dhe një natë na kishte mbetur që do rrinim në spital e pastaj do shkonim në shtëpi. Atë natë, doktori më tha:
– Më dukesh shumë e zbehtë… Hajde në zyrë të të mas pak tensionin. Nëse nuk do të jesh mirë, nuk mund t’i shërbesh vajzës.
Ashtu bëra. Kur shkova në zyrën e tij, ai më kapi dorën dhe po më maste pulsin, por ajo qe kuptoja ishte se ne ishim shumë pranë njëri–tjetrit dhe prekja e tij më bënte të përhumbesha në një botë tjetër, kisha shumë nevojë për pak ngrohtësi në ato momente dhimbjeje për mua. Ndoshta këtë gjë doktori e kishte kuptuar dhe me një dorë ai më shtrëngonte dorën, kurse me dorën tjetër, më përkëdheli faqen. Unë buzëqesha dhe u duk sikur ai vetëm atë shenjë priti prej meje dhe afroi buzët e tij te të miat. Në ato momente, po më dukej vetja si një vajzë pesëmbëdhjetë vjeçare, ndoshta sepse doktori ishte pesë vjet më i vogël se unë. Ajo natë e fundit në spital ishte një natë e paharrueshme për mua, jo vetëm për kënaqësinë që ai më dhuroi, por edhe për një ndjenjë që lindi brenda meje. Nuk e dja nëse isha vetëm unë ajo nga e cila doktori përfitoi apo me të gjitha femrat ai sillej në këtë mënyrë, por kjo gjë nuk më interesonte. Në një natë vetmie të mbushur me dhembjen që ndjeja për vajzën time, në krahët e tij ndjeva ngrohtësinë dhe dashurinë që më kishte munguar. Për atë që bëra, nuk u ndjeva kurrë fajtore. Ai ishte një moment që ashtu e ndjeva dhe vetëm kaq. Përjetimi i asaj nate, nuk do të zhdukej kollaj nga kujtesa ime. Ndoshta doktori e quajti diçka kalimtare, siç mund t’i kishte ndodhur edhe me të tjerat, por për mua ishte fillimi i një ndjenje të re. Që prej asaj kohe, unë shkoja vazhdimisht në spital, gjoja për të kontrolluar vajzën, por doktori nuk ishte më i njëjti, ai ishte shumë i ftohtë me mua. Ndoshta këtë e bënte sepse nuk donte të rrezikonte vendin e punës. Unë ia shpreha ndjenjat e mia duke i thënë se çfarë ndjeja unë mbas asaj nate që kalova në spital, por ai ma ktheu:
– Zëre sikur nuk e kemi jetuar kurrë atë moment…
Mua m’u mbushën sytë me lot.
– Unë jam këtu për të të kënaqur ty dhe veten time… – i thashë, por asnjë përgjigje pozitive nuk mora prej tij.
E di çfarë mendoj sot? Si nuk kisha frikë se do të më dilte sekreti, si nuk kisha frikë se do ta merrte vesh im shoq dhe do bëhej nami?! Kot nuk thonë dashuria të bën të fortë dhe nuk pyet për pengesa. Ama, këtë tonën nuk mund ta quanim dashuri, pasi kishte më shumë gjëra që na ndanin sesa na bashkonin. Mbas dy vjetësh, doktorin e transferuan në një qytet tjetër dhe unë, nuk kisha marrë vesh asnjë gjë prej tij. Ajo natë mbeti shumë gjatë në kujtesën time, derisa një ditë, në ekranin e televizorit lexova emrin e tij… Kishte humbur jetën në një aksident automobilistik!
Në atë moment, lotët, ashtu si pa u ndjerë, rrodhën në faqet e mia. Im shoq më pyeti:
– Ç’të gjeti?
– Është doktori që shpëtoi vajzën tonë… – i thashë.
Mendova se e kisha harruar ata njeri, por ai erdhi përsëri në kujtesën time, tani, më dhembshëm se 20 vjet më parë.
Blerta