Kur e çuat në çerdhe për herë të parë, nuk e dinit se cili nga ju do të ndjehej më keq! Dhe, kur djali i madh ju tha se këtë verë do të shkonte me pushime me shoqërinë, ju ndjetë një sëmbim në zemër… Nuk është e lehtë, në fakt, të mësohesh me idenë se, të edukosh fëmijën, do të thotë ta mësosh të jetë i pavarur, duke i dhënë mjetet e nevojshme për këtë autonomi të ardhshme. Për të qenë i/e tillë, fëmija juaj ka nevojë për një marrëdhënie me prindin të karakterizuar nga respekti, dashuria, elasticiteti dhe siguria. Nganjëherë është e vështirë, por e nevojshme “të presësh kordonin e kërthizës”. Po ju, e keni të vështirë t’i lini fëmijët tuaj të fluturojnë vetë, me krahët e tyre, apo u qëndroni gjithmonë nga pas? Për ta kuptuar këtë, përgjigjjuni në mënyrë sa më spontane pyetjeve të mëposhtme:

1. Herën e parë që fëmija juaj ka shkuar për pushime vetëm, ju:
a. Luftonit me veten që të mos niseshit tek ai.
b. Merreshit me punë për të harruar.
c. E mbanit veten që të mos i telefononit çdo ditë.
d. Shijonit qetësinë tuaj

2. Jeni duke luajtur në park dhe ai u afrohet disa të panjohurve. Ju:
a. Shkoni dhe e merrni që të rrijë pranë jush
b. E thërrisni, duke i treguar lodra që ai të kthehet
c. E shoqëroni në takimet e reja
d. E lini t’ia dalë mbanë vetë, si një i madh

3. Keni parashikuar të dilni bashkë shëtitje me biçikletë, por ai ju thotë se do të shkojë te shoku (shoqja). Ju, i thoni që…
a. Nuk është e sjellshme t’ju lërë vetëm.
b. Ndjeheni i/e zhgënjyer, por do të dilni herë tjetër.
c. Nuk ka problem, ju e kuptoni.
d. Për ju është njësoj, mund të dilni edhe pa të.

4. Duke filluar nga klasa e gjashtë, për aktivitetet jashtëshkollore, ju:
a. E çoni dhe rrini aty për ta parë në pjesën më të madhe të kohës.
b. E çoni dhe bëni ndonjë pazar derisa vjen koha për ta marrë.
c. E lini herë pas here të vijë në shtëpi me shokët
d. E lini të lirë pa ju.

5. Ai ju prezanton të dashurën e parë të adoleshencës:
a. I thoni të ruhet nga veprimet impulsive të zemrës
b. E vëzhgoni gjatë këtë person.
c. I bëni disa pyetje që ta njihni më mirë.
d. I thoni “mirëdita” dhe vazhdoni punët tuaja.

6. Krizë adoleshence… Ai ju thotë se jeni një “prind koti” dhe ju i përgjigjeni:
a. “Pas gjithë atyre që kam bërë për ty?”
b. “E di mirë se nuk i mendon këto që thua…”
c. “Kot mbase jo, po me siguri, jo i/e përkryer”
d. “Po iki dhe po vij kur të kesh mbaruar”

7. Me diplomën në xhep, ai ju thotë se do të jetojë jashtë vendit:
a. Ju do të vdisni nëse ai do të jetojë larg jush!
b. Ju i dorëzoheni fatit të vështirë të prindit.
c. Do të jetë e vështirë, por çfarë aventure e bukur për të!
d. Nëse i pëlqen, atëhere…

8. Fëmija juaj është:
a. Arsyeja e vetme e ekzistencës suaj.
b. Një qenie që duhet udhëhequr në rrugën e jetës
c. Një burim kënaqësie dhe mrekulli e vërtetë
d. Një pjesëtar i tribusë suaj.

9. Zbuloni se ai/ajo mban një ditar:
a. Ju lexoni disa faqe
b. Pyesni veten nëse ka probleme për të cilat nuk guxon të flasë.
c. Ju konstatoni se ai ka kopshtin e vet sekret
d. Ju i thoni vetes se është një kalamallëk.

10. Ai është 25 vjeç dhe ka një konflikt në çift. Ju i thoni që…
a. Pa dyshim, ajo nuk është “personi i duhur”.
b. Vetëm te familja mund të mbështetesh dhe të kesh besim.
c. Do të ishte mirë të flisnit së bashku.
d. Asgjë të veçantë, nuk është puna juaj!

11. Kur ishit fëmijë, të dielën, fraza që dëgjonit më shpesh nga goja e prindërve:
a. “Ku do të shkojmë sot, lepurush?”
b. “S’ke për të dalë pa mua!”.
c. “Ejani, të gjithë në park!”.
d. “Bëj ç’të duash!”

12. Djali juaj i madh, 17 vjeç, kërkon t’i jepni më shumë para xhepi:
a. “Sigurisht, duhet të përfitosh sa më shumë nga rinia”.
b. “Merri, po më duket se e tepron pak”.
c. “Nëse ke nevojë për diçka, ma kërko mua dhe pastaj të shohim”.
d. “Jo. Pse nuk bën ndonjë punë të vogël, më mirë?”

13. Ndershmërisht, mosha që preferoni te një fëmijë:
a. 6 muajsh: Një bebe bukurosh që e mbani në krah!
b. 8 vjeç: Ai ju sheh në dritë të syrit!
c. 3 vjeç: Ai është një eksplorues i vogël!
d. 18 vjeç: Ai ia del mbanë vetë jetës!

14. Ai ju thotë “të kam xhan”. Kjo ngjall te ju:
a. Një ndjenjë rehatie të thellë
b. Një kënaqësi të pamatë
c. Një krenari të madhe
d. Një emocion të çuditshëm

15. Një vogëlush dy vjeç i afrohet një shkalle:
a. Ju vraponi tek ai i/e trembur.
b. Ju e vëzhgoni me vëmendje
c. E lini pasi siguroheni se edhe po ra, nuk do të vritet.
d. Jeni duke diskutuar dhe nuk e keni parë.

16. Të jesh prind, për ju, mbi të gjitha, do të thotë:
a. Të rrish gjithë kohën në ankth
b. Një homazh ndaj jetës.
c. Mundësi për një lidhje të privilegjuar.
d. Mundësi për të qenë të pavdekshëm.

17. Do të zbukuroni dhomën e fëmijëve:
a. E mbushni me kukulla dhe arushë.
b. Vini një tavolinë dhe rafte
c. Vini postera peizazhesh
d. Fusni gjërat tuaja

Rezultatet
Nëse keni më shumë përgjigje a. Ju jeni shumë i/e lidhur me fëmijën tuaj
Me sa duket, ju e keni të vështirë të krijoni një distancë me të. Doni ta keni pranë dhe të ndjeni dashurinë që ai ju sjell, duke e vënë në qendër të ekzistencës suaj. Jeni shumë i/e afërt me të, duke e shoqëruar ngado dhe duke i dhënë pa pushim mendimin tuaj, bile edhe (dhe sidomos) kur ai nuk jua kërkon! Dini gjithçka që ai bën dhe sheh, duke i patur sistematikisht sytë hapur mbi botën e tij. Ideja që një ditë ai do t’ju mënjanojë nga jeta e tij, ju duket e padurueshme… Doni t’i jepni shumë gjëra dhe i dhuroni dashurinë tuaj pa kufi. Kështu, ia plotësoni të gjitha dëshirat, që të mos ju qortojë për asgjë në këtë drejtim. Shkaku është se në shkëmbim dhe në mënyrë të pandërgjegjshme, prisni prej tij që t’jua shpërblejë me dashuri dhe t’ju mbushë me lumturi. Për këtë arsye, kur ai nuk është pranë jush, kur ju kundërshton, ose edhe më keq, ju mohon, mund të bini në panik. Nganjëherë, ju zemëroheni dhe e qortoni rëndë, ose e lusni dhe rrezikoni të bini në depresion duke i mbajtur një fjalim, ku bie në sy ndjesia se ju kanë braktisur. Me një fjalë, duke qenë i/e varur emocionalisht nga fëmija juaj, e keni të vështirë të pranoni autonominë e tij që rritet dhe të krijoni mes tij dhe jush një hapësirë të shëndetshme e të nevojshme që ai të ndjehet mirë (dhe ju, gjithashtu).

Nëse keni më shumë përgjigje b. Ju jeni kaq larg dhe afër me fëmijën tuaj…
Duket sikur ju arrini ta menaxhoni vështirësinë e distancës prind-fëmijë, duke bërë një dallim mes ndjenjave nga njëra anë dhe fjalëve e veprimeve tuaja, nga ana tjetër. Në fakt, ju do të donit të ishit burimi i vetëm i dashurisë së fëmijës suaj, përgjithmonë. Ju do të donit që ai të mos largohej kurrë nga ju, por meqë e keni të vështirë ta pranoni këtë, merrni një qëndrim që shkon kundër emocioneve tuaja. Ju i thoni se është i lirë të zgjedhë, se është i pavarur dhe ju doni vetëm një gjë: Që ai “të presë kordonin” dhe të fluturojë me krahët e tij. Por, fjalët tuaja përmbajnë edhe mjaft mesazhe të pandërgjegjshme që fëmija juaj të forcojë varësinë e tij kundrejt jush. Sinjalet që ai merr nga ana juaj janë: “Ik, por do ta shohësh sa nevojë ke për mua…” ose “Kënaqu me shoqërinë e të tjerëve, por do ta shohësh se ata nuk do të jenë gjithmonë pranë teje kur të kesh nevojë… ndryshe nga unë”. Ju e shtyni me një dorë, por e tërhiqni me tjetrën…

Nëse keni më shumë përgjigje c. Ju jeni mik i ngushtë me fëmijën tuaj
Me sa duket, ju ia keni dalë mbanë të krijoni me fëmijën një distancë të shëndetshme, të nevojshme për zhvillimin dhe krijimin e pavarësisë së tij. E keni pranuar dhe e vini në zbatim faktin se fati i një fëmije nuk është të jetë i varur nga prindërit e tij gjithë jetën… Përkundrazi, megjithëse ju sëmbon zemra kur ai niset me pushime pa ju, e inkurajoni të gjejë rrugën e tij, pa ju. Për ta bërë këtë, dini t’i qëndroni pranë dhe ta ndihmoni kur ka nevojë. Dhe, kur më në fund, ai ia del mbanë vetë, pranoni ta lini të niset dhe të provojë vetë etapat e ndryshme të rinisë së tij. Kështu, ju mund të shijoni qetësisht kënaqësinë, ndërsa e shihni fëmijën tuaj të mësojë, të bëjë përpara dhe të provojë eksperienca të reja.

Nëse keni më shumë përgjigje d. Ju jeni një prind i largët…
“Pse duhet t’i mbash kaq afër fëmijët?”, mendoni ju. “Ata duhet të mësojnë t’ia dalin mbanë vetë në jetë dhe sa më shpejt të jetë e mundur”. Për këtë arsye, ju keni tendencë të krijoni një distancë të madhe me fëmijët. Sigurisht, pak autonomi dhe pavarësi e ndihmojnë të rritet në mënyrë pozitive, pa u ndjerë i mbytur, por liria e tepruar mund të jetë e dëmshme! Fakti që i përsërisni se është i lirë dhe mund të bëjë ç’të dojë, pa i kërkuar kurrë llogari, mund të shtojë tek ai dëshirën që t’i bëni pyetje, sepse ky qëndrim krijon një kundërvarësi. Një fëmijë ka nevojë të ndjejë që po kujdesen për të dhe për këshilla, në mënyrë që një ditë ai t’i thotë vetes se nuk ka më nevojë për këtë, se mund të ecë me këmbët e veta. Nëse ai nuk e ndjen lidhjen që ju bashkon me të, si mund ta shkëpusë një ditë këtë lidhje dhe të nisë aventurën e jetës së tij prej të rrituri? Mund të largohesh vetëm nga ajo që njeh!
Ja, përse, kjo distancë kaq e madhe që krijoni mes jush dhe fëmijës suaj mund të jetë një mënyrë për të shtuar dëshirën e afrimit të këtij të fundit. Duke e pasur të vështirë të krijoni lidhjen me të, duke përfshirë këtu edhe frikën e largimit një ditë, mbase bëni që gjithë kjo lidhje dhe kjo nevojë për dashuri, të vijë vetëm prej tij. Ju krijoni një boshllëk, që ai të vijë t’jua mbushë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *