– Jam një lexues i rregullt i kësaj rubrike. Kam punuar prej vitesh në itali, por për arsye familjare, u ktheva në Shqipëri dhe për neglizhencë, nuk jam marrë me rinovimin e lejes së qëndrimit, pra, më ka skaduar. Tani më ka dalë një punë sezonale dhe pronari që e njoh, dëshiron të më lidhë kontratë, por unë s’kam leje qëndrimi. A mund të shkoj të punoj, edhe pse nuk kam leje qëndrimi? Si të veproj?
– I nderuar lexues, sipas ligjeve italiane, të gjithë të huajt që janë të pranishëm në territorin italian, mund të punësohen rregullisht, edhe në qoftë se e kanë lejen e qëndrimit të skaduar, por kjo bëhet me kusht që ju të keni kuponin që dëshmon paraqitjen e kërkesës për ripërtëritjen e saj, pra, të lejes së qëndrimit. Kërkesa e përtëritjes së këtij dokumenti duhet të paraqitet në periudhën që fillon 60 ditë para ditës së skadencës së dokumentit, deri në 60 ditë, pas skadencës. Nuk e di sa kohë ka që ju ka skaduar leja e qëndrimit, por uroj të jeni në kohë që të bëni kërkesën e ripërtëritjes. Ndërkohë që jeni në pritje të lëshimit të dokumentit të qëndrimit, ju mund të qëndroni në Itali dhe të punoni. Në qoftë se autoritetet e sigurisë publike gjejnë motive penguese për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit, ata lajmërojnë edhe punëdhënësin tuaj.
– Theksojmë gjithashtu që në bazë të një dekreti legjislativ në Itali, për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit për motive pune të varur, nuk nevojitet vetë-certifikimi i punëdhënësit që dëshmon se punonjësi ka një strehim të përshtatshëm dhe as kopja e kontratës së qëndrimit. Dokumenti që zëvendëson kontratën e qëndrimit, është deklarimi i marrëdhënies së punës familjare për bashkëpunëtorët shtëpiakë ose modeli UniLav për të gjithë punonjësit e varur. Uroj t’ju kemi ndihmuar sadopak me materialin ligjor që gjetëm për raste të tilla si juaji…