Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Çfarë tregon dhimbja e shpinës?

Ke dhimbje shpine që të bezdis? Pas një dhimbjeje, në dukje të thjeshtë, fshihen shumë gjëra. Përveç shkaqeve fiziologjike, dhimbja jonë e shpinës është gjithashtu një sinjal alarmi që duhet ta dëgjojmë, për të mësuar më shumë për veten dhe marrëdhënien tonë me të tjerët. Ja, cilat janë këto shkaqe:

Dhimbja e kurrizit dhe truri
“Kam gjithë kohën dhimbje shpine, por me stresin që kam në punë, kjo është normale!”. Shumë prej nesh e kanë ndjerë këtë lloj lidhjeje që ekziston me mendjes dhe kurrizit tonë, domethënë, mes problemeve psikologjike, tensioneve të kurrizit dhe dhimbjeve të tij. Është e vërtetë kjo? “Po, dihet prej shumë kohësh që mund të bashkangjitësh disa shqetësime ose ndryshime të humorit, sidomos depresionin, me dhimbjen kronike të shpinës”, saktëson specialisti. Megjithatë, nuk ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes kokës dhe kurrizit që mund të lejojë deshifrimin e origjinës së kësaj dhimbjeje. Gjithçka varet nga personat dhe situatat.
Në realitet, kjo lidhje është më e ndërlikuar nga ç’duket në shikim të parë. Ja, një shembull: Një person që po kalon një moment depresiv, e duron dhimbjen më pak se një tjetër. Në të njëjtën kohë, një dhimbje e filluar prej shumë kohësh mund të dëmtojë, me kalimin e kohës, mirëqenien dhe moralin e atij që vuan. “Gjatë konsultave e shohim mirë që lidhja mes kurrizit dhe mendjes nuk është në një drejtim të vetëm; ato janë reciproke. Megjithatë, kjo na tregon diçka: Rreziku më i madh në trajtimin e dhimbjes së shpinës është të ndash trupin nga truri, pasi ata janë gjithmonë në ndërveprim me njëri-tjetrin”.

Një sinjal alarmi
Pavarësisht nëse simptoma është fizike-një dhimbje-apo psikike-ankthi, për shembull, dhimbja jonë e shpinës është kështu një mesazher i çmuar: “Është një sinjal alarmi që tregon se kemi kapërcyer limitet tona”, vazhdon specialisti. Lindja e një fëmije, ndërrimi i shtëpisë, humbja e një personi të dashur, ose rritja në karrierë… Meqë dhimbja e shpinës shfaqet shpesh në momentet e rëndësishme të jetës, priremi t’ua hedhim gjithë fajin këtyre problemeve që kalojnë me vështirësi. Por, burimi i dhimbjes meriton shpesh të kërkohet më tutje. “Lidhja trup-mendje nuk është gjithmonë kaq e dukshme”, saktëson terapeuti. Në fakt, në shumicën e kohës, dhimbja e shpinës shfaqet pas një kohe të gjatë me simptoma të cilat zhvillohen nën rrogoz. Fillojmë të ndjejmë tensione në pjesën e poshtme të kurrizit kur jemi të stresuar dhe një ditë të bukur, nuk arrijmë as të çohemi nga krevati.”

Advertisement

Një gjuhë tjetër
Për psikoterapeutin, dhimbja jonë e shpinës është pra një gjuhë tjetër që kemi interes ta dëshifrojmë. “Është gjuha e trupit. Nganjëherë, kur jemi të zhytur në emocionet tona, në vështirësitë e jetës sonë, nuk jemi gjithmonë të aftë të analizojmë se çfarë na ndodh dhe çfarë ndjejmë. Ndjehemi nën tension, pa kuptuar shumë gjëra. Pikërisht aty mund të shfaqet dhimbja e shpinës, sepse nganjëherë, kjo është mënyra e vetme që kemi gjetur (në mënyrë të pandërgjegjshme) për të shprehur, po në mënyrë të pandërgjegjshme, një dhimbje shpirtërore”. Ja se pse, sapo të fillojë dhimbja e shpinës, duhet t’ia vëmë veshin asaj. Duhet të pyesim veten se çfarë na rëndon në shpirt, çfarë na tensionon e çfarë ka ndodhur në të shkuarën e afërt, për të krijuar një lidhje me dhimbjen. Të shoqëruar me një terapeut, ne mund të mësojmë nga dhimbja e shpinës gjëra që shpesh i injorojmë, ose nuk jemi gati për t’i parë.

Pyetjet që duhet t’i bëjmë vetes
“A është puna ime në përputhje me vlerat e mia? A jam vetvetja në çift?”
Dhimbja e shpinës shpesh fsheh mesazhe, me kusht që personi që vuan, të dojë ta dëgjojë këtë mesazh, gjë që nuk ndodh gjithmonë, qoftë sepse ne shohim në dhimbje dënimin e drejtë për një problem që kalojmë (“puna ime nuk është dakord me vlerat e mia, i meritoj dhimbjet”), qoftë sepse jemi bërë fatalistë (“është diçka që ka lidhje me trurin, nuk mund të bëj asgjë”).
E vështirë të tregohet shkencërisht lidhja mes vuajtjeve psikike dhe dhimbjeve të shpinës. Megjithatë, është vërtetuar lidhja mes dhimbjes dhe stresit nga një studim i Universitetit të Ohajos. Ajo tregonte se personat që i nënshtroheshin një stresi të madh gojor, nuk përdornin muskujt e duhur për të ngritur një peshë. Ata që arrinin të “zbraznin stresin” duke protestuar hapur kundër këtyre sulmeve gojore vazhdonin të përdornin muskujt e mirë. Megjithatë, psikoterapeuti na thotë se “Dhimbja mund të bëhet edhe një alibi e shkëlqyer, për shembull, për të qëndruar në varësinë e ilaçeve dhe përkujdesjeve, për të mos jetuar jetën. Sa herë kam dëgjuar në terapi: “Kam dhimbje aty, prandaj nuk arrij të takoj njeri”.
Kështu, dhimbja jonë e kurrizit nuk flet vetëm për ne, por edhe për marrëdhënien tonë me të tjerët. “Dhimbja jonë shpreh nganjëherë atë që nuk ia themi dot tjetrit ndryshe, e tipit “Shiko sa vuaj”, ose “Shiko sa vuaj me ty”. Në të dyja rastet, dhimbja psikike është reale dhe pikërisht aty ka vlerë puna e terapeutit. E dimë se dhimbja e kurrizit mund të shkaktojë një humbje autonomie, zelli, dëshire, pra, një humbje jete.

Ku duhet të drejtohemi
Kur dhimbja është shumë e gjallë, ose e vjetër, shpesh është e vështirë për personin që vuan, të dalë nga një lloj fatalizmi, ta bindësh që duhet të ndjekë një trajtim fizik dhe psikik, kur ai është mësuar ta mposhtë dhimbjen me ilaçe. Pra, është e vështirë ta bindë veten se ka të drejtë të jetë më mirë. Po ku mund të konsultohesh kur mjekësia e ashtuquajtur “klasike” nuk ka mundur të bëjë gjë? Zgjidhja, sipas specialistit, janë profesionistët e shëndetit (kinezoterapeutët, osteopatët) dhe një terapeut që bashkërendon trupin me mendjen. Kjo do të bëjë të mundur që personi që vuan, ta shohë ndryshe dhimbjen e tij, të nxjerrë jashtë emocionet që mban përbrenda dhe të rigjejë qetësinë shpirtërore e trupore.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Ta prish fejesen apo jo?

Next Post

Vajzat kerkojne djem...

Advertisement