Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Babai më goditi, unë e çova në burg!

Urrejtja është një fjalë e rëndë për t’u thënë dhe për ta ndjerë. Njerëzit kalojnë momente të vështira dhe çdo njeri ka problemet e veta, por a është kjo një arsye për të urryer dikë? Kur dëgjoj fjalën “urrejtje”, vetëm disa gjëra më vijnë në mendje dhe shkaku për këtë është babai im. Ka dy anë të ndjenjave të mia për të… Njëra është që e dua me gjithë zemër dhe tjetra, që e urrej për vdekje. Kemi patur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë bashkë, nuk ziheshim asnjëherë pasi unë do të mbetesha gjithmonë “vajza e tij e vogël”. Ai ishte një njeri i dashur dhe gazmor, ishte gjithmonë i gatshëm të ishte aty për mua kur unë kisha nevojë për të, por pasi ai filloi pijen, marrëdhënia jonë ndryshoi plotësisht. Thonë se çdo gjë lahet në këtë jetë sepse nuk ka një jetë tjetër ku mund të vuajmë pasojat e gabimeve me të cilat lëndojmë të tjerët. Ishim një familje normale që përbëhej nga pesë persona, ku mbizotëronte lumturia dhe harmonia që çdokush do ta dëshironte. Isha unë, im atë, ime më dhe dy vëllezërit e mi, njëri dhjetë vjet më i madh dhe vëllai tjetër, pesë vjet më i vogël. Jetoja e dashuruar me familjen time. Fjala “e lumtur” është pak për të përshkruar atë që ndjeja dhe qetësinë që më jepte familja në atë shtëpi të vogël ku mblidheshim së bashku dhe jetonim në qetësinë tonë.
Erdhi koha kur vëllai im u fejua dhe shumë shpejt, do martohej. Im atë nuk e priti edhe aq mirë ndarjen që do të pësonte familja jonë, për shkak se vëllai im do të shpërngulej të jetonte jashtë shtetit dhe jo në Shqipëri. Filloi të ngushëllohej te disa gota alkooli për të harruar mungesën e tij. Në fillim, asnjë nuk e mori seriozisht pijen e tij dhe menduam se kjo situatë do të ishte kalimtare, por kaluan muaj dhe gjendja e tij vazhdonte po njësoj. Ditët kalonin dhe gjendja po vështirësohej akoma më shumë. Kjo situatë ndikonte shumë keq në gjendjen tonë psikologjike. Unë u bëra një mbështetje shumë e madhe për vëllain tim të vogël, i cili nuk ishte akoma në gjendje të kuptonte se çfarë po ndodhte. Ai tashmë ishte nën kujdesin tim dhe të mamasë sime, pasi im atë nuk ishte më në gjendje të kujdesej për ne. Mundoheshim të flisnim me babin dhe ta mbanim afër, por kjo ishte e pamundur. Oraret e tij ndryshuan, filloi të kthehej vonë në shtëpi, në punë nuk shkonte më dhe ato pak raste që shkonte, shkonte i pirë dhe për këtë arsye e pushuan nga puna. Ky ishte një problem më tepër për ne. Në atë kohë vazhdoja shkollën, por u detyrova që paralelisht të filloja edhe punë, pasi ishte e pamundur të jetonim vetëm me një rrogë. Tani po jetonim një jetë komplet ndryshe nga ajo që ishim mësuar të bënim dikur. Ndonjëherë, më duhej të lija shkollën për të punuar me kohë të zgjatur, çdo ditë filluam të kishim debate për gjënë më të vogël. Ai nuk e pranonte që ishte kthyer në një vartës të alkoolit, madje refuzonte të vizitohej për të parë deri ku kishte arritur gjendja e tij. Nuk ishim më të qetë dhe, nga momenti në moment, prisnim që ai të vinte e të na e nxirrte neve pijen. Shpeshherë, gënjente duke na thënë se nisej për të kërkuar punë, por ne e dinim që kjo nuk ishte e vërtetë, ai nuk ishte më në gjendje të punonte, madje as të kontrollonte veprimet e veta, që shpeshherë ishin të dhunshme. Tashmë, ai njeri kishte ndryshuar plotësisht, nuk më qëndronte më pranë, nuk flisja më me të për problemet e mia sepse vetë ai u kthye në një problem për mua, gjë që më parë nuk e kisha menduar kurrë. Pak nga pak, ai po humbiste respektin tonë si prind dhe si gjithçka tjetër, por dukej se kjo nuk i bënte përshtypje. Për të, mjaftonte një shishe alkooli për t’u dhënë fund problemeve që kishte. Afrimiteti që një herë e një kohë na lidhte bashkë, tashmë ishte kthyer në mllef dhe, në sytë tanë, personaliteti i tij ishte zbehur. Vlerat që e karakterizonin si njeri, ai i kishte hedhur poshtë me idenë se alkooli e çonte në një botë tjetër dhe kjo zgjidhte çdo gjë në kokën e tij. Shembulli që ne i kishim dhënë njëri-tjetrit, u nda pjesë-pjesë. Gjithsecili, në mënyrë që të shpëtonte nga ajo situatë që ishte krijuar, mundohej të humbiste diku. Pija e tij u kthye në një problem edhe për ekonominë tonë. Unë isha e detyruar të mos paraqitesha në shkollë për t’iu përkushtuar punës. Si unë, ashtu edhe ime më. Nga ana tjetër, në momentin që ai ishte i sigurtë që kishte dy burime të ardhurash në shtëpi, nuk e merrte mundimin të kërkonte një punë, puna për të ishte opsioni i fundit. Për sa kohë ai merrte lekë në shtëpi për të pirë, për të nuk kishte më asnjë problem. Dilte në mëngjes dhe kthehej në darkë, shtëpia për të ishte kthyer në një hotel. Dhe, kur s’kishte më para në xhep, konfliktet dhe zënkat nuk kishin të mbaruar. Ai kërkonte me çdo kusht që ne të gjenim para për pijen e tij, edhe pse ne nuk kishim ku t’i gjenim. Herë-herë dhuna nuk mungonte, detyroheshim të hynim në borxhe për të sepse ndryshe ai bëhej shumë agresiv dhe nuk durohej. Gjendja psikologjike e tim vëllai që ishte thjesht një fëmijë, po përkeqësohej dita-ditës. Ai nuk donte të ishte pjesë e gjithë kësaj, kjo situatë rëndonte shumë mbi të, për të mos kaluar në gjendjen time psikologjike, pasi në atë kohë më kishte rënë një peshë shumë e madhe mbi supe. Duhet të punoja për të mbajtur me alkool personin që dikur më rriti si princeshë, me kushtet më të mira që një prind mund t’ia ofronte fëmijës së tij. Pagjumësia ishte bërë një problem tjetër shumë i madh. Ndoshta nga lodhja e tepërt dhe stresi, po fillonte të më dhimbte çdo pjesë e trupit. Nuk ndihesha më e aftë për asgjë. Shumë gjëra silleshin vërdallë në kokën time dhe një ditë u zgjova në gjendje të keqe shëndetësore. Pashë që im atë kishte ardhur në të gdhirë, aq i dehur sa këmbët nuk e mbanin. Ndodhesha vetëm unë me të në shtëpi dhe papritur një frikë më kaloi në gjithë trupin, por duhej të mblidhja veten. Për fat të mirë, vëllai dhe ime më nuk ishin aty për të parë ato skena që ai bënte. Përplasej me dyert dhe muret, fliste, por asgjë s’i kuptohej dhe, edhe pse ishte në gjendje të tillë, ai kërkonte shishen e alkoolit, që ta kishte gjithmonë me vete. Fillova ta ndihmoja që të merrte veten sepse alkooli e kishte kthyer në një njeri të dobët shpirtërisht dhe fizikisht, por kjo ishte e pamundur, nuk mund t’ia dilja e vetme me të. Më shtynte e më qëllonte sa herë i afrohesha dhe i flisja. Nga gjithë ai tension, i telefonova mamasë time që të kthehej sa më shpejt në shtëpi ose përndryshe, ai do të më vriste. Nuk durova dot më dhe fillova t’i bërtisja e t’i shfryhesha i për të gjithë këtë që po na ndodhte, por ai nuk dëgjonte. U ngrita dhe lajmërova policinë. Komshinjtë që kishim afër u mblodhën para derës për të na ndihmuar, ndërsa ai përfundoi në rajon, duke u dënuar për atë që na kishte bërë… Nuk mund ta duronim më një situatë të tillë. Donim që të largohej një herë e mirë nga shtëpia dhe nga jeta jonë! Ai nuk meritonte faljen e asnjërit prej nesh, nuk mund të kishim më besim te fjalët e tij dhe te gjërat që ai bënte. Donim që të na kthehej qetësia dhe siguria, gjëra që me atë nuk i kishim.
Për këtë arsye, ime më mori një tjetër vendim të rëndësishëm për ne dhe për veten e saj. Vendosi të ndahej nga ai dhe të jetonim të tre, ashtu siç e meritonim, pa patur frikën se çdo ditë ai do të vinte i dehur. Duke parë se nuk do të kthehej më ashtu siç ka qenë, një njeri i përgjegjshëm për familjen dhe veten, më dukej një vendim i drejtë, ai i marrë nga mamaja ime. Kishim kohë që nuk ishim një familje e bashkuar dhe po filloja të mësohesha me këtë fakt. Dënimi që kishin vendosur për të ishte gjashtë muaj dhe gjatë kësaj kohe, asnjëri nga ne nuk e mori mundimin të shkonte për ta parë, ishte kthyer në një të huaj që nuk na interesonte edhe po të ishte keq.
Pas daljes nga burgu, ai filloi të na kërkonte, donte të rregullonte gjërat që ishte ai vetë që i kishte shkatërruar dhe për këtë, ishte i vetëdijshëm, por edhe ai e dinte që tashmë ishte tepër vonë. Vëllai im dhe unë refuzonim ta takonim qoftë edhe për pak. Na duhej kohë e gjatë që të mernim përsëri veten nga gjithë ato skena dhe situata të tensionuara. Divorci ishte një tjetër çështje e papritur për të. Ai nuk donte që kjo të ndodhte, kërkonte me ngulm që të kthehej përsëri, por kjo nuk ndodhi. Prindërit e mi nuk ishin më ai çifti i lumtur dhe shembulli i dashurisë për ne, nuk doja ta shikoja më kurrë time më duke qarë për shkak të sjelljeve të dhunshme nga ana e tij. Divorci përfundoi brenda pak muajve, edhe pse kundër dëshirës së tij. Asgjë nuk na lidhte më me të. Kishte ardhur koha që të ngriheshim përsëri në këmbë nga gjithë kjo situatë. Përpjekjet e tij për të na parë dhe interesi që tregoi për ne, ndodhi shumë vonë. E rëndësishmja e gjithë kësaj, ishte se pa atë, jeta jonë filloi të rindërtohej sërish, unë përfundova shkollën, një gjë shumë e rëndësishme për mua, ndërsa ai, duke parë se çfarë humbi nga e gjithë kjo, vendosi të vizitohej dhe nisi një trajtim.
Sot, mamaja ime jeton e lumtur duke më patur mua dhe tim vëlla pranë në çdo moment. Tani që e kujtoj, mes gjithë skenave jo të këndshme që kemi përjetuar, dita që goditëm njëri-tjetrin do të jetojë me mua përgjithmonë. Unë e di që edhe ai pendohet sot për gabimet e tij që nuk kanë falje dhe çfarë është më e rëndësishmja, përpiqet të fitojë sërish respektin tonë, por kjo përpjekje do shumë kohë. Ndërkohë, ndjenjën e urrejtjes që kam për të, vazhdoj ta ndjej akoma…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

SHQIPERIA FITON NE PORTUGALI

Next Post

Cili masazh aziatik është më i mirë kundër stresit?

Advertisement