Fabjola Kuburi: – Anxhela, si je? Ku ndodheshe para se të takoheshim bashkë?
Anxhela Peristeri: – Përshëndetje! Si fillim, faleminderit për ftesën! Para se të vija këtu isha me stilistin Joni Peçi. Po diskutonim për disa veshje të reja.
– Ku ke qenë deri tani dhe si u riktheve me “Femër mediatike”?
– KOhet e fundit kam jetuar në Greqi dhe jam angazhuar andej intensivisht me këngën. Më duhej një rikthim në atdhe dhe ky ishte momenti i duhur, duke pasur parasysh edhe ofertën dinjitoze të Leonard Stratit te “Fari Music Live”, ku unë performoj çdo të premte dhe të shtunë.
– Në këtë klip, je shfaqur në formë fantastike! Je marrë me palestër?
– Jo, nuk jam marrë, madje kam shtuar disa kile, por do të merrem tani sepse palestra është shumë e rëndësishme për shëndetin dhe për të pasur një trup të bukur.
– Kujt i shkojnë meritat për realizimin e këtij klipi?
– Dua të falënderoj me shpirt Rozana Radin për tekstin dhe për kompozimin e këngës, Alandin, një kompozitor shumë i talentuar. Gjithashtu, edhe “Lorel Sallon” për make-up dhe flokët, te të cilët është angazhuar një staf i tërë. Faleminderit!
– Kush mund të quhet një femër mediatike, sipas teje?
– Një femër shumë e dashur nga mediat, për një ose shumë arsye!
– Ti vetë, je e tillë?
– Për momentin, po, jam një femër mediatike.
– Në intervistën e fundit që bëmë bashkë, me the që je vendosur përfundimisht në Greqi, ndërsa tani, je këtu. Do të jetosh në Shqipëri apo do të kthehesh në Greqi?
– Jeta ka shumë të papritura dhe asnjëherë nuk i dihet çfarë mund të ndodhë, kështu që nuk mund ta di me saktësi. Di të them që për momentin jam kthyer në atdhe dhe po jetoj këtu më shumë, por edhe lidhjet me Greqinë, nuk i kam ndërprerë.
– Përveç Greqisë, ç’vend do të zgjidhje për të jetuar?
– Kam vërtetuar se kudo që të jetoj, zemra qëndron në atdhe. Nuk do të doja të jetoja diku tjetër, por ndonjëherë është puna, situata e tillë që të detyron.
– Mendon se kjo këngë do bëjë boom, përveç të tjerave, edhe për faktin se ke qenë larg deri tani?
– Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjet vetëm publiku! Shpresoj të kenë mbetur të kënaqur nga ky klip.
– Vendimi më i vështirë që ke marrë ndonjëherë…
– Ikja dhe kthimi im në atdhe ishte i vështirë sepse ishte vendim që duhej marrë në momentin e duhur.
– Si mendon, të gjitha femrat janë pak rivale apo tradhtare?
– Po, të gjitha pa përjashtim.
– A je një mike e mirë për të dëgjuar historitë e shoqeve të tua edhe kur i përsërisin me qindra herë?
– Po, jam dëgjuese e mirë, ama ato janë dëgjuese shumë të mira.
– Çfarë vlerëson më shumë në jetë?
– Familjen dhe vetëm familjen!
– Mendon se bukuria është pjesë e suksesit në një fushë të caktuar apo në të gjitha fushat artistike?
– Po, sigurisht, është një pjesë shumë e rëndësishme në të gjitha fushat artistike.
– Bukuria, përveç të tjerave, mund të jetë një shenjë e një formimi të mirë familjar?
– Bukuria është diçka që rritet me njeriun dhe evoluon me të, megjithëse vazhdoj t’i qëndroj mendimit se për mua, një person vërtet i bukur, është ai që ka një shpirt të bukur.
– Bukuria lidhet zakonisht me konceptin e dietave ekstreme që mbajnë vajzat apo është diçka tjetër?
– Bukuria e një femre janë sytë e saj sepse ato kanë lidhje me zemrën. Siç e thashë edhe më sipër, për mua, bukuria është shpirt. Dietat dhe eleganca e tejskajshme janë për mua gabim dhe shumë, madje! Vajzat duhet të ushqehen normal dhe të palestrohen, nëse duan. Mjafton pak kujdes. Nuk është nevoja për ekzagjerim. Eleganca e tepërt për mua është e shëmtuar. Unë vetë kam qenë shumë e dobët dhe e preferoj veten më shumë tani që kam marrë disa kile.
– Publiku është ai që kërkon emocionin, argëtimin? Po vetë artisti, realisht, çfarë kërkon?
– Të flas për veten time, personalisht, kërkoj që shpirtin që vë te këngët e mia t’ia transmetoj dhe publikut. Një artist mbi të gjitha ka nevojë për dashurinë e njerëzve dhe krenohet kur vlerësohet arti i tij.
– Veç zërit, këngëtari duhet të ketë edhe një sjellje të bukur skenike. Sa e përqëndruar je ti në këtë pjesë?
– Shumë e përqendruar. Jo vetëm këngetarët, por të gjithë njerëzit duhet të jenë të sjellshëm, sepse në fund të fundit, është virtyt.
– Cila është pika jote e dobët?
– Pika ime e dobët është familja ime.
– Cila është gjëja e parë që të bie në sy te meshkujt?
– Sytë, përqendrohem shumë te sytë!
– A ka një person të veçantë në jetën e Anxhelës?
– Jo, nuk ka, por shpresoj shumë që në të ardhmen, të ketë!
– Ku i ke mësuar gjithçka që di për meshkujt?
– Në shkollë, tek ajo që shkojmë për të mësuar jo, por në shkollën e jetës, po. (Qesh)
– Ç’mund të thuhet për meshkujt, që vërtet t’ia vlejë?
– Mashkull të bën natyra, por burrë të bën sjellja!
– Ku do të doje të të çonte një mashkull, në takimin tuaj të parë?
– Nuk kam ndonjë preferencë për takimin e parë, them se do t’ia lija zgjedhjen atij.
– Si e sheh jetën tënde në këtë moment të saj?
– Shumë të bukur.
– Mban mend cila ka qenë gafa më e madhe që kë bërë, që edhe sot kur e kujton skuqesh?
– Gafa më e madhe?! Ah, kam bërë shumë, por po them një. Takova një mikun tim të vjetër, por fatkeqësisht i fola me emër tjetër dhe i thashë: “Dhimitri, sa paske ndryshuar!”. Ai më thotë: “Nuk jam Dhimitri” dhe unë ia prita: “Ua, paske ndryshuar edhe emrin?”. Kemi qeshur me të madhe!
– Çfarë natyre është Anxhela, solare, kapriçioze, arrogante?
– Jam pak kapriçioze!
– Cilat janë sekretet e tua, falë të cilave ti e bën jetën tënde një “strehë e ngrohtë” për këngën?
– Po t’i thoja, a thua do të quheshin më sekrete?! (Buzëqesh)
– Cili është personi më pozitiv që ke pranë teje?
– Kam shumë njerëz pozitivë rreth vetes, por do të veçoja shokun tim të ngushtë, Janin, i cili ndodhet në Selanik. Është njeriu më pozitiv që kam njohur deri më sot.
– Ka pasur ndonjë rast kur do të doje shumë të ishe gjetkë dhe jo duke kënduar?
– Kur këndoj nuk mendoj për asgjë tjetër dhe nuk më ka ndodhur asnjëherë.
– Komplimentet, fakti që të tjerët të njohin, të kënaq apo të vë në siklet?
– Ka raste që më pëlqen, ka raste që s’më pëlqen fare. Varet nga situatat…
– Anxhela, e di që je e bukur?
– Po, ma kanë thënë! (Buzëqesh)
– Më trego ndonjë ngjarje kur bukuria të ka prishur punë?
– Po, në një buzuk në Athinë, pronari nuk më mori në punë sepse isha e bukur dhe me zë të bukur. Promovonte të dashurën e tij atje, e cila nuk kishte asnjërën nga të dyja dhe ishte vetëm për t’u dukur ajo!
– Ke ndonjë pasion të veçantë, për të cilin ia vlen të ndalemi dhe të flasim?
– Jo, kënga është pasioni im më i madh. Ndonjëherë edhe shkruaj, por kjo, me raste.
– Je ndopak e zonja me paratë apo i ke duart e shpuara?
– Shumë të shpuara.
– A ka disa kredenciale të veçanta që duhet t’i përmbushë një këngëtare?
– Një këngëtare duhet të ketë një zë të bukur dhe një shpirt të madh.
– Sa orë kalon para pasqyrës, përpara se të dalësh nga shtëpia?
– Shumë pak kohë sepse bëhem gati shumë shpejt.
– Kombinimi më ekstravagant që ke bërë në veshje deri sot?
– Nuk jam ekstravagante pothuajse fare, përkundrazi, më pëlqen klasi.
– Cilat janë këngëtaret me famë botërore që të frymëzojnë e të cilave do të doje t’u “vidhje” ndonjë truk?
– Adele, më pëlqen shumë vitet e fundit dhe sigurisht, Maraja Keri, që e adhuroj qëkur isha fëmijë.
– Do të doje ndonjëherë të ndryshoje ndonjë gjë në jetën tënde?
– Jo, nuk jam bërë pishman për asgjë. Jeta është e bukur ashtu siç vjen dhe duhet të jetojmë momentin, siç na e ndjen zemra.
– Cila është filozofia që beson për të qenë e lumtur?
– Po bëre atë që ndjen, asnjëherë nuk është gabim.
– Libri i fundit që ke lexuar…
– “Sekreti”. Është libër filozofik, por shumë i bukur!
– Frika më e madhe që ke?
– Vdekja!
– Me sinqeritet dua të më thuash, si t’u duk kjo intervistë?
– Ishte një kënaqësi për mua dhe them me bindje që ishte një intervistë shumë e bukur, e veçantë dhe pa ato pyetjet standarde, që nuk di më si t’u përgjigjesh. Nga gazeta juaj, pritej kjo veçanti!
– Do t’i bëjmë një mbyllje origjinale “alla Anxhela Peristeri”?
– Për mbyllje dua t’u them të gjithë miqve që të buzëqeshin sa më shumë dhe ta jetojnë jetën e tyre me dashuri dhe paqe! Respekte nga Anxhela juaj!