Miq të gazetës “Intervista”, unë që po ju shkruaj, jam një vajzë nga Tirana. Quhem Enxhi. Tani jam shndërruar në një grua të rëndomtë, nuk jam më ajo vajza çapkëne plot jetë, që isha më parë. Jetoj me mungesë dashurie nga familja ime, e palidhur dhe jam një nënë beqare. Jeta ime i përngjan një telenovele me pak aktorë. Që jam e vetme nuk mund ta them, sepse kam një djalë të vogël, pese vjeç, por jam njeri pa njeri. Sigurisht, prindërit i kam gjallë, por ata më kanë nxjerrë jashtë nga shtëpia. Largimi im nga shtëpia ndodhi për arsye se unë u lidha me një djalë që ata nuk e donin. Unë e doja marrëzisht, por prindërit nxirrnin pretendimin se ai ishte moshatar me mua dhe nuk ishte i përgjegjshëm për veprimet që merrte. Më thoshin: “Ai do të kalojë kohën me ty” dhe shumë e shumë fraza të cilat mua tani më vjen turp t’i përmend pasi nuk kanë më vlerë. Ajo që di të them është se fjalët e tyre ishin më se të drejta për të ardhmen time…
Kur u njoha me këtë djalin (emrin e të cilit s’kam pse të përmend sepse tashmë ai ka vdekur për mua), ai ishte një djalë simpatik, kishte një makinë shumë të bukur dhe ishte djali i parë që puthja. U njoha me të në Facebook. Facebook-u, për një kohë të gjatë, ishte gjendje civile on line, sepse mund të kishe edhe të dashur në Facebook, por edhe jashtë tij. Unë, në atë kohë, pata fatin të lidhesha në Facebook, por edhe ta vazhdoja këtë lidhje jashtë rrjetit social. Kur hapa profil në Facebook për herë të parë, isha një nxënëse e mirë, me mesatare tetë dhe isha shumë e dhënë pas rrjetit social. Kjo bëri që edhe unë të bija shumë nga mësimet dhe që jeta ime të rrënohej. Unë kisha shumë miq dhe shokë, me të cilët flisja pa pushim, por edhe shoqëri të re bëja, pasi doja të njihja edhe njerëz të rinj me të cilët do të komunikoja. Fundja, kisha nevojë të dëgjoja fjalë ndryshe apo edhe të komunikoja ndryshe. Këtë komunikim virtual, ma ofronte Facebooku, i cili nisi të përdorej gjerësisht nga të rinjtë e asaj kohe.
Në Facebook, më erdhi ftesë nga një djalë që në fotografi kishte dalë në mënyrë të përkryer. Ishte djalë shumë i bukur, i pashëm, me një fytyrë të ëmbël. Kur e pashë, unë humba brenda asaj fotoje dhe nuk e kisha kuptuar që kisha ngrirë në vend e vetëm isha përqendruar në atë imazh. Nuk po e kuptoja as ku ndodhej emri, as nëse më kishte çuar ai ftesë; e humba kuptimin e çdo gjëje. Pashë se ai më kishte çuar ftesë për miqësi. E pranova pa u menduar dy herë. Ajo që tani unë doja më me padurim ishte t’i flisja dhe ta njihja. Mesazhi i parë që i çova, ishte: “Faleminderit për ftesën, në foto, ju jeni? Sepse jeni shumë i bukur”. Prita dy ditë rresht dhe asnjë përgjigje nuk mora nga ai, kur një ditë, ndërsa po luaja në Facebook, pashë se më erdhi një mesazh. Ishte ai! Uau, çfarë gëzimi që ndjeja ai më kishte shkruar: “Përshëndetje. Po, unë jam në foto. Është fotoja më e shëmtuar që kam”, më kishte shkruar me një të qeshur. S’e kuptoja se si ai mund ta quante atë foto të shëmtuar kur aty, ai ishte yll. Mendova, “kushedi sa i bukur do jetë po ta shoh live”. Po mirë, kështu nisi edhe biseda jonë. Ai ishte mosha ime, por dukej më i madh se unë dhe ishte shumë i pjekur (dua të them, dukej ndryshe nga moshatarët tanë, të cilët ishin tra la la). T’ju them të drejtën, këtë fillova ta pëlqeja shumë, po shumë ama. Nuk isha ndjerë kurrë kaq mirë me një mashkull! Megjithëse flisja nëpërmjet këtij rrjeti social dhe vetëm fotot i kisha parë, unë thoja se ndjeja dhe e pëlqeja shumë. Pas pesë muajsh komunikimi në Facebook, gjithashtu, kishim shkëmbyer edhe numrat e celularit. Unë mezi prisja që ta takoja, por ai nuk më thonte gjë dhe kjo nuk po më pëlqente, pasi unë doja me patjetër ta takoja dhe ta shihja drejt e në sy, në ata sytë blu. Ky djali ishte me origjinë nga Tepelena po dhe unë nga Tepelena dhe kështu, kuptoheshim për mrekulli. Po afronte datëlindja ime dhe ai më tha se kishte dëshirë të më takonte, por unë, edhe pse doja shumë të takoja, atë ditë e mendoja si të pamundur për t’u takuar me të dhe i thashë ta linim për të nesërmen, kurse ai më tha: “Po deri te shkallët poshtë, a ulesh dot?”. Nuk po u besoja syve kur po lexoja këtë mesazh nga ai, u hutova. E pyeta se ku ndodhej dhe ai më tha se ishte poshtë pallatit tim. Çfarë gëzimi, nuk po e besoja në ato që po thonte! Dola me vrap poshtë dhe ai ndodhej vërtet aty poshtë. Ishte me makinë dhe më ftoi që të hyja, pasi kishte merak mos na shihnin prindërit. Kur u futa në makinë, pashë një buqetë të madhe me trëndafila; 30 trëndafila. U çudita nga numri i trëndafilave dhe ai më tha se përkonte me datën e datëlindjes sime. Data 30, trëndafila 30. Epo, nuk i kisha edhe aq problem lulet, unë u gëzova që e pashë. Pas këtyre minutave të mrekullueshme, u bëra gati të dilja dhe ai më puthi lehtë në buzë. U skuqa e gjitha, ishte puthja e parë, djali i parë për të cilin ndjeja.
Pas kësaj dite, ne u takuam rregullisht çdo ditë dhe në rastin tim, nuk ishte ai që më propozoi mua, po isha unë që i thoja: “Tani, ti më puthe, ne jemi të lidhur” dhe po, në të gjitha format, ne ishim të lidhur. Një natë, ai më ftoi të shkoja te shtëpia e tij, por unë nuk dilja dot natën, kështu që i thashë të vinte e t’u merrte leje prindërve të mi. Mirë, ai erdhi, por prindërit e mi nuk e lanë, i thanë të më largohej, se ai nuk ishte i denjë për mua. S’e kuptoja përse ata silleshin ashtu, kur ai ishte një djalë i sjellshëm. Me gjithë pengesën që më vunë prindërit, unë pas dy muajsh u largova nga shtëpia dhe shkova të jetoja tek ai. Që nga ai moment, prindërit më konsideruan të vdekur. Unë jetoja e lumtur dhe nuk e kuptoja se përse mami dhe babi nuk donin t’më shihnin të lumtur. Për rreth katër muaj nuk komunikova fare me ata, por vendosa që ta thyeja unë e para akullin duke shkuar për t’i takuar dhe për t’u dhënë lajmin që tashmë prisja një fëmijë dhe se ata do të bëheshin gjyshër. Prita që të vinte i dashuri në shtëpi, pasi kishte dalë me shokët dhe i thashë se isha shtatzënë. Ai qeshi dhe pastaj më pyeti:
– Seriozisht e ke?
Pohova shumë e lumtur, kur papritur më erdhi një shpullë aq e fortë, sa rashë në tokë pa ndjenja. Ai më përzuri nga shtëpia duke më sharë me një mijë fjalë të ndyra dhe duke më thënë se më kishte marrë në shtëpi për të kaluar vetëm natën me mua, pasi nuk më donte aspak.
Kanë kaluar shumë vite nga ajo braktisje. Unë tani kam një djalë pesë vjeç, i cili më ngjan mua, veç sytë ka si i ati. Para disa ditësh, u ndesha me babain e djalit tim në parkun e lojërave. Shtanga, por jo nga dashuria; nga urrejtja. Ai ishte me një grua tjetër dhe me një bebe në krahë. Me pa dhe nuk po i shqiste sytë nga djali. M’u duk sikur u pre në fytyrë, por nuk e di se çfarë ka ndjerë në ato moment. Kishte një grua të bukur dhe një fëmijë, po ashtu, shumë të bukur. Kur po largoheshin nga këndi i lojërave ai afron fëmijën e vet pranë djalit tim dhe i tha:
– Xhan-xhan xhaxhi… – kurse mua më përshpëriti – Paskemi patur fëmijë të bukur…
– Zhduku! – i thashë.
Që nga ajo ditë, po jetoj me një dhimbje të fortë në zemër. Uroj të mos përballem më kurrë me të sepse nuk e di si do të reagoj…