Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Sfidoi fatin, për t’u bërë nënë!

Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj, jam një zonjë rreth të pesëdhjetave. Sot vendosa që edhe unë t’ju tregoj një histori nga jeta. Me thënë të drejtën, kjo nuk është histori e jetuar nga unë personalisht, por ia vlen të tregohet, pasi ka brenda saj një mesazh që do të doja t’ua transmetoja të gjitha familjeve shqiptare. Para shtatëmbëdhjetë vjetësh, unë emigrova në Angli. Nuk po jua tregoj vuajtjet që hoqa në fillimet e emigrimit, por në të gjitha këto vuajtje m’u gjet pranë një familje e shkëlqyer. Në fillim, njoha Hilarin, vajzën e shtëpisë. Ajo ecte në karrige me rrota; jo si këto karriget me rrota që ndodhen në Shqipëri, por shumë herë më moderne. Me atë shkonte të bënte psonisjet e bënte xhiro nëpër qytet. Një ditë iu afrova dhe e pyeta nëse kishte nevojë për një punëtore në shtëpinë e saj.
– Unë jo, po nëna ime ka nevojë për një njeri që të kujdeset për të… – më tha ajo.
Kështu nisi historia ime me Hilarin. Ajo jetonte në një shtëpi së bashku me nënën e saj, por historia e tyre ishte shumë e dhimbshme. Hileri ishte vajza e vogël e familjes. Ajo kishte edhe tri motra më të mëdha. Hilari më tregonte se prindërit e saj ishin njohur në fakultet ku i ati ishte diplomuar për doktor dhe e ëma si infermiere; ishin vërtet një familje shumë e lumtur, por kjo lumturi e tyre do të zgjaste shumë pak, pasi në moshën 11 vjeçare ata vunë re se vajza tyre e vogël kishte probleme me shëndetin (fjala është për Hilarin, e cila edhe më tregoi gjithë historinë e tyre). I ati i saj, duke qenë se punonte në mjekësi, filloi të shqetësohej vërtet për vajzën e tij dhe ata i bënë të gjitha analizat e nevojshme. Si përfundim, ajo doli me një lloj sëmundjeje që Hilari e quante MS. Nuk di ta shpjegoj shumë mirë, pasi nuk është se marr vesh nga mjekësia, por ajo që më shpjegoi Hilari ishte fakti se njerëzit me këtë lloj sëmundjeje, në vendet e varfra, nuk jetojnë gjatë. Fakti që i ati i saj ishte doktor, bëri që ajo të kurohej në mënyrën më të mirë të mundshme. Hilerit nuk i kishin treguar për sëmundjen që kishte dhe kjo zgjati deri në moshën 18 vjeçe, kur Hilari, ashtu si dhe gjithë moshataret e saj, kishte njohur njeriun e zemrës, Davidin. Davidi ishte rritur në një familje me shumë probleme ku i ati ishte pijanec dhe e ëma i kishte vdekur në moshë shumë të re. Familja e Hilarit ishin njerëz që ndihmonin personat në nevojë dhe Davidin e kishin gjetur në rrugë dhe e kishin strehuar në familjen e tyre. Ai punonte si kopshtar, por ata asnjëherë nuk e kishin menduar se ai do të ishte edhe dhëndërr në familjen e tyre. Hilari filloi historinë e dashurisë me Davidin, dashuri që ata donin ta kurorëzonin me martesë dhe kështu vendosën që ndjenjat e tyre t’i tregonin edhe në familje. Por, pikërisht atë ditë, të cilën Hilari donte ta mbante mend si ditën më të gëzuar të jetës së saj, ajo mori lajmin më të trishtuar që kishte marrë ndonjëherë. Në momentin kur Davidi kishte kërkuar dorën e saj tek i ati Hilarit, ai kishte refuzuar duke thënë:
– Ne e kishim kuptuar që ju kishit rënë në dashuri me njëri-tjetrin, por nuk e menduam se do ta kurorëzonit me martesë…
Roza, e ëma e Hilarit, kishte shpërthyer në lot dhe i ishte lutur të shoqit që të mos i lejonte të martoheshin. Atëhere babait të Hilerit nuk i kishte mbetur rrugë tjetër vetëm se t’i tregonte vajzës së tij për sëmundjen që kishte. Pasi ia shpjegoi llojin e sëmundjes, ai i tha se nëse do të lindte një fëmijë, ajo do të mbetej e paralizuar për gjithë jetën. Të gjithë kishin shpërthyer në lot, por Davidi kishte folur mes lotëve të tyre:
– Unë dua të martohem me Hilarin, pasi është gruaja e jetës sime. Pa të nuk mund ta kuptoj dot jetën. Unë dua të martohem me të, pastaj vendimin për të bërë fëmijë do t’ia lë në dorë Hilarit.
Dhe në fakt, kështu ndodhi… Dasma e Hilarit ndryshonte nga dasmat e motrave të saj; ajo ishte vajza e vogël e më e vuajtura dhe prindërit e kishin pikë të dobët, për shkak të sëmundjes që kishte. Dëshira e madhe që kishte Hilari për të provuar ndjesinë e të qenit nënë, bëri që ajo të merrte një vendim, i cili edhe mund ta linte të paralizuar për gjithë jetën e saj, por ajo nuk e mori parasysh këtë gjë. Kështu, ajo u bë nënë duke patur fëmijën e parë të saj, i cili ishte djalë. Ajo çfarë i suprizoi të gjithë ishte fakti që ajo nuk u paralizua. Kjo bëri që mbas tre vjetësh të sillte në jetë edhe djalin e dytë, por këtë herë, fati nuk e ndihmoi, përkundrazi, e dënoi që ajo të ishte e paralizuar për gjithë jetën e saj. Ajo që dua t’ju tregoj është se sa grua kurajoze ishte Hilari! Edhe pse e paralizuar, ajo arriti t’i rriste të dy djemtë e saj duke u dhënë një edukatë dhe kulturë që të bënte të ndiheshe krenar për të. Unë Hilarin e njoha para pesëmbëdhjetë vjetësh, por në familjen e tyre, kam mësuar shumë gjëra. Mësova se çfarë është në të vërtetë respekti për bashkëshorten, bashkëshortin, dashurinë, për prindërit, por jo vetëm kaq; edhe për njerëzit që janë në nevojë. Familja e tyre dashurinë e kishte pa kufi dhe pa hipokrizi. Në jetën time unë nuk kam parë një bashkëshort që të përkujdesej aq shumë për gruan dhe fëmijët e tij. Jam e sigurtë se asnjë burrë shqiptar nuk do ta bënte një gjë të tillë. Edhe pse Hilari kishe 15 vjet në një karrige me rrota, kjo gjë nuk përbënte asnjë lloj problemi në familjen e tyre, përkundrazi, fakti se Hilari sakrifikoi veten e saj që ata të kishin fëmijë si gjithë të tjerët, bëri që Davidi ta donte atë akoma më shumë. Tashmë, Hilari nuk jeton më, ajo vdiq vitin e kaluar në moshën 57 vjeçare, sëmundja nuk e la që të vazhdonte të jetonte. Nuk dua t’ju lodh duke ju treguar se sa shumë vuajtën njerëzit e Hilarit për humbjen e saj. Bashkëshorti i saj është ai që e përjetoi më shumë këtë dhembje, sepse humbi shoqen e jetës, e cila iu bë krah në momente të vështira. Në fillim, të gjithë njerëzit e Hilarit, motrat dhe prindërit e saj, mendonin se Davidi e donte Hilarin për pasurinë që ajo do të trashëgonte nga prindërit, por koha tregoi të kundërtën, edhe dy djemtë e tyre ata i kanë edukuar në atë mënyrë që duhet të jenë të zotët e vetes, asnjëherë njeriu nuk duhet t’u gëzohet gjërave që trashëgon nga të tjerët. Jeta është një sfidë, e cila duhet jetuar me të mirat dhe me të këqijat e saj.
Davidi, duke qenë se në fëmijërinë e tij ka qenë i varfër, tashmë ka interesin që të ndihmojë njerëzit e varfër, ndërsa djemtë e Hilarit, sot studiojnë në universitetet më të mira të Anglisë, të dy ata vazhdojnë për mjekësi, dëshirë që u lindi për shkak të sëmundjes që i mori jetën nënës së tyre.
Vërtet Hilari nuk jeton më sot, por në familje ajo ka lënë dashurinë dhe sakrificat e saj për të qenë një model i vërtetë për të gjitha ato familje që dorëzohen përballë fatkeqësive te tyre. Ajo sfidoi fatin për të realizuar ëndrrën që ka çdo grua; për t’u bërë nënë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Sakrifikova nderin për fëmijët e mi!

Next Post

ATA QE NUK INTERVISTUAM DOT KETE JAVE Nga ARTAN KRISTO

Advertisement