Përshëndetje, miq të gazetës “Intervista”! Unë që po ju shkruaj jam një zonjë që kam vuajtur shumë gjatë gjithë jetës sime. U martova në një moshë fare të vogël, isha vetëm 15 vjeçe kur e njoha ish-bashkëshortin tim, Robertin. Nga ana ime ishte një dashuri shumë e pastër, pavarësisht moshës; e ndjeja vërtet që e dashuroja me gjithë shpirt. Edhe ai, në fillimet e veta, shprehej se më donte dhe se do të ishim bashkë gjer në fund të jetës. Dashurinë që e mbaj mend si të tillë, e kemi përjetuar në dy vitet që ishim të dashuruar dhe asnjë nga pjesëtarët e familjes sonë nuk dinte asgjë për lidhjen tonë. Më pas, një kushëriri im e mori vesh dhe shkoi t’i tregonte babait tim. Aty, familja vendosi që të takonte familjen e Robertit dhe t’i jepnin tjetër drejtim lidhjes sonë, sepse sipas familjes sime, Roberti do të tallej me mua dhe kishin frikë se unë mund t’u ngelja në derë. U takuan të dyja familjet dhe, pas pak kohe, ne u fejuam. Unë, 1 vit, ndërkohë që ishim në fejesë, kam ndenjur në shtëpinë time sepse mbaroja shkollën dhe të shtunë e të dielë shkoja te familja e Robertit. Ai kishte një familje shumë të mirë, të paktën kështu silleshin me mua dhe në atë kohë, më konsideronin si vajzën e tyre, edhe për shkak të moshës. Mbasi mbarova gjimnazin, organizuam një festë familjare pak a shumë si dasëm, meqenëse unë do të largohesha nga shtëpia ime dhe do të shkoja të jetoja te Roberti. Mundësitë ekonomike të të dyja familjeve ishin arsyeja se pse nuk bëmë dasëm, megjithatë mes nesh, çdo gjë shkonte për mrekulli. Disa muaj më vonë, unë ngela shtatzënë. Ishim shumë të gëzuar të gjithë, sepse po vinte një bekim për të gjithë ne, por ai që filloi të kishte pakënaqësi ishte Roberti. Ai e shprehte këtë gjë veçanërisht me mua, sa herë i jepej rasti. Më thoshte se ai fëmijë do të vinte në jetë pa dëshirën e tij sepse ai ende nuk ishte i përgatitur për këtë gjë. Ndjehesha shumë në faj dhe më bënte gjithmonë të dyshoja për diçka, sepse në qoftë se ai më donte aq shumë, duhet të ishte i gëzuar e i lumtur për këtë mrekulli që po na ndodhte. Mirëpo ishte e kundërta, sa herë i shkrepej në kokë, ai ma përsëriste dhe më kërcënonte që të mos i tregoja askujt që ai shprehej në këtë mënyrë. Ndjehesha me të vërtetë shumë keq, nuk e kuptoja se si ishte në gjendje ta thonte diçka të tillë.
Muajt kalonin dhe unë linda e isha femra më e lumtur që po mbaja në krahë tim bir; nuk kishte gjë më të mrekullueshme! Mbas lindjes së djalit, filluan edhe sherret me Robertin. Ai nuk i afrohej djalit, sillej në një mënyrë të çuditshme, sikur ta kishte fëmijë të huaj dhe jo të vetin. Gjithashtu, filloi të më qëllonte edhe mua, sa herë e pyesja se ç’ishte kjo sjellje. Mirëpo kjo sjellje e tij dhe veprimet që ai bënte me mua, nuk po i mbaja dot më përbrenda. Një natë, kur më goditi, u largova nga shtëpia bashkë me djalin dhe shkova drejt e te prindërit e mi. E keqja nuk qëndron këtu. E kujtoj si tani, ishte dhjetor kur u largova, një i ftohtë i tmerrshëm. Kur shkova te prindërit e mi, në fillim nuk e dhashë veten që kisha qarë, por ata e kuptuan menjëherë dhe më pyetën se çfarë kishte ndodhur. U tregova gjithçka dhe mendova se do të më mbështesnin dhe se do t’i kisha në krah. Babi u rebelua dhe më nxori direkt nga shtëpia, duke më thënë: “Na turpërove! Bëj çfarë të duash dhe kthehu te familja jote sepse ne nuk e mbajmë dot turpin tënd”.
Isha e dërrmuar në atë moment. Djalin e kisha të vogël, u largova dhe nuk dija ku të shkoja, ku të përplasesha. Komshija që kishim ngjitur, e kishte dëgjuar kur babai më përzuri nga shtëpia. Isha larguar pak nga shtëpia, kur ajo më thirri dhe më tha: “Eja tek unë sonte sepse djali është i vogël dhe do të ftohet”. Pranova dhe lotët nuk më pushonin. Jeta ime mori një kthesë totale në pak orë. Komshija, e cila më mbajti atë natë, më ka rritur dhe më ka konsideruar gjithmonë si vajzën e saj, pasi ajo nuk është martuar asnjëherë dhe nuk ka as nipër, as mbesa, fatkeqësisht. Sapo u futëm në shtëpi, ajo më mori djalin dhe e vuri në gjumë. Pastaj më bëri mua një çaj të ngrohtë e më kërkoi që atë natë të mos i tregoja asgjë dhe vetëm të flija, sepse do të kishim mjaft kohë që të flisnim me njëra-tjetrën. Unë nuk mund të flija atë natë, isha komplet e shkatërruar. Jeta ime mori fund. Mbeta pa asnjë nga njerëzit e mi. Të nesërmen, fola gjatë me Zanën, komshijen dhe ajo më tha që të kisha besim tek ajo sepse kisha të gjithë mbështetjen e saj, madje më tha që mund të largoheshim edhe nga qyteti, të harronim gjithçka dhe ta nisnim çdo gjë nga e para. Isha dakord me mundësinë që ajo më ofroi sepse as për familjen time nuk doja t’ia dija më, përderisa më nxorën në atë mënyrë në rrugë, sikur të mos isha fëmija i tyre… Sipas tyre, i kisha turpëruar me atë që kisha bërë. Sipas tyre, unë duhet të duroja rrahjet dhe ofendimet e Robertit vetëm që familjen të mos e turpëroja.
Kam ndenjur dy javë e mbyllur në shtëpi gjatë kohës që kam qëndruar te Zana sepse nuk doja që asnjë të dinte për mua. Pastaj, u shpërngulëm në Vlorë. Me kalimin e kohës, sa djali u rrit pak dhe Zana e mbante vetë, unë fillova punë në një pastiçeri që e kisha shumë pranë shtëpisë. Jetonim të lumtur. Unë punoja, dilnim, argëtoheshim të tre dhe gjithçka shkonte shumë mirë. Vitet kalonin dhe djali filloi me pyetjet se ku ishte babi. Sa ishte i vogël, pyetjet e tij edhe anashkaloheshin, por vitet kaluan dhe unë vendosa t’i tregoja të vërtetën, sigurisht, për aq sa i takonte të mësonte për moshën që kishte. Djalit jam munduar me mish e me shpirt që të mos i mungojë asgjë, madje është rritur si një fëmijë që i ka të dy prindërit, mirëpo gjatë kohës që ai rritej, unë njoha Arsenin, një njeri të mrekullueshëm, i cili më pranoi ashtu siç isha dhe më bëri të ndjehesha vërtet femër, pas gjithë atyre viteve që kalova një torturë të vërtetë. Tani, problemi qëndron tek im bir, i cili nuk e pranon Arsenin të bashkëjetojë me mua, sepse sipas djalit, unë u ndava nga babai i tij dhe nuk duhet të shikoj mashkull tjetër, duhet të vazhdoj jetën vetëm me të dhe më thotë: “Unë ndjehem keq kur shokët e mi më pyesin a e kam babin dhe unë u them jo, ndërkohë që mami tani ka një tjetër”.
Nga djali nuk e kam marrë vesh, por një shoku i tij më ka thënë se ai mund të ketë takuar Robertin dhe janë fjalët e tij që e nxisin më tepër. Nuk e di se si të flas me të; ai tani është në moshë madhore, është i pjekur dhe gjatë gjithë kohës kam menduar se do të më kuptonte dhe se do ta kisha në krah, por jo, ai më kundërshton për çdo gjë. E vetmja gjë që kam frikë dhe nuk mund ta përballoj dot, do të jetë se mos ndoshta për fajin tim apo të fjalëve që i thotë Roberti, djali do të më merret me gjëra të këqija apo të më futet në shoqëri të keqe. Prandaj, të dashur lexues, nuk e di si të veproj, se si djali im të më kuptojë kur jam treguar gjithmonë e sinqertë me të. Unë, përfundimisht, paskam lindur për të vuajtur…