merkel karikZonjën Angela Merkel e takuam menjëherë pas konferencës së shtypit të Samitit të Vendeve Ballkanike…

Kaso Kosa: – Përshëndetje, zonja Merkel! Përse dolët pikërisht me Kryeministrin Rama në këtë konferencë shtypi?
Angela Merkel: – E zgjodha kryeministrin tuaj me disa synime; së pari, se ka prezencë përpara kamerave dhe krijonte njëfarë kontrasti mes meje dhe atij, duke e bërë konferencën për shtyp më origjinale. Së dyti, prej shekujsh, ne gjermanët kemi patur dobësi për ju, më të zgjuarit e Ballkanit, që në të gjitha kohërat keni patur miq vendet më të fuqishme të botës si SHBA, BRSS, Kinën… Së treti, edhe unë, si të gjitha politikanet gjermane, nuk mund t’i shpëtoja sindromës për të patur dobësi ndaj politikanëve shqiptarë.
– Keni të drejtë… Vitet e fundit, politikanët gjermanë na janë gjendur shumë pranë…
– Jo vetëm kaq, zoti Kosa, por mund të them se edhe unë, si zonja Doris Pak, jam e dashuruar me ju shqiptarët. Ju e dini që ajo prej mbi 20 vjetësh adhuron një politikanin tuaj qimekuq, me një mbiemër interesant kafshe shtëpiake, si kërriç ose mëz, nuk e kam fiksuar mirë dhe të them të drejtën, u xhelozova. Përse të mos kisha edhe unë një mik shqiptar që merrej me politikë? Rasti e solli që u njoha me zotin Rama dhe, ja ku jemi; brenda një kohe të shkurtër, e kam takuar disa herë dhe krenohem për këtë. Madje, në këtë pikë, ia kam kaluar edhe zonjës Pak, sepse miku im nuk është thjesht një sfidant, siç ishte ai kuqua i Partisë Demokratike, por është vetë kryeministri juaj. Me zotin Rama kemi edhe një të përbashkët që asnjë politikan në Evropë nuk e ka; ne të dyve, paparacët na kanë fotografuar nudo, gjë që na ka sjellë fat në politikë.
– Zoti Rama ju ka ftuar për të vizituar Shqipërinë. Do ta mbani fjalën apo do të bëni si me zotin Berisha, që i premtuat dhe nuk erdhët?
– Ju lutem, të më kuptoni drejt! Po përgatitesha të kryeja vizitë në vendin tuaj, po kur dëgjova kryetaren e parlamentit shqiptar, zonjën Topalli, që deklaroi gjithë krenari: “Shqipnia, nën udhëheqjen e zotit Bërisha, ka arritjet më të larta ekonomike në Evropë, me dy shifra… Ku a Gjermania, ku a Franca, ku a Anglia para Shqipris?”, rashë moralisht dhe u dekurajova shumë. Si mund të vizitoja vendim që një vit më parë ishte më i prapambeturi i Evropës dhe që brenda një viti, na e kishte kaluar të gjithëve? Madje, edhe Kinës, që atë vit kishte një rritje ekonomike prej 9% dhe nuk i ishte afruar asnjë shtet në botë?! Kisha unë kurajo të përballesha më këtë bum ekonomik, kur vetë shteti im ishte në recension?! Do të ngelesha e turpëruar për të gjithë jetën time si politikane. Ndaj e anullova vizitën dhe besoj se politikanët shqiptarë më kuptojnë drejt.
– Kohët e fundit, u fol për përgjimet e shërbimit tuaj inteligjent ndaj vendit tonë. Si do ta komentonit këtë?
– Ato përgjime i urdhërova unë, personalisht. Sapo mora vesh sukseset e papara në drejtim të përsosjes së demokracisë dhe sidomos, rritjen fantastike ekonomike shqiptare, urdhërova shërbimet inteligjente gjermane të bëjnë përgjime ndaj këtij vendi që po çudiste botën me arritjet e tij të jashtëzakonshme. Dy ishin motivet e përgjimeve: Së pari, se si ishte bërë e mundur kjo, cilat ishin mekanizmat sekrete që shteti juaj i ruante për të sfiduar botën perëndimore, nga të cilat të përfitonim sadopak ne të parapambeturit? Së dyti, na zuri paniku pas synimeve revanshiste të shfaqura nga kryeministri Berisha kur foli për trojet shqiptare nga Mitrovica në Prevezë. Ku i dihet, menduam, po sikur pasi të pushtojë ekonomikisht dhe ushtarakisht ish-trojet shqiptare e më pas tërë Ballkanin, t’i vërsulet Gjermanisë? Ku të futeshim ne nga një agresion i mundshëm ekonomik e ushtarak i shtetit tuaj të fuqishëm?
– Dhe, si ju rezultoi moria e përgjimeve?
– Shërbimit inteligjent gjerman i iku mundimi kot. Gjuha ekonomike e zotit Berisha dhe e vartësve të tij ministra ishte e padëshifrueshme nga ekspertët tanë. Kërkuam ndihmë edhe nga ekspertë të vendeve të tjera perëndimore, por misteri juaj nuk mund të dëshifrohej. Për ne, ngeli një enigmë që edhe sot nuk dimë se si ta zbërthejmë. Duket se edhe ministri juaj i brendshëm, zoti Noka, kishte mundur të sfumonte me inteligjencë tërë shërbimin tonë të zbulimit e të përgjimeve, madje, në konsultim me shërbimet e tilla franceze dhe angleze, unanimisht u pranua se ju na kishit mposhtur edhe në këtë drejtim. Vetëm në drejtimin ushtarak u qetësuam sepse ish-ministri juaj, zoti Imami, nuk kishte fare synime ndaj nesh sepse kishte kontraktuar me miqtë e tij në Lindjen e Mesme dhe i shiste andej armët e ushtrisë shqiptare. Duke qenë se tërë arsenali juaj ushtarak u shit brenda dy vjetëve, menduam se ky rrezik për ne kishte kaluar. Dhe, nuk u zhgënjyem…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *