Kozmonautët e NASA-s, kur u pyetën nëse kanë ndjerë aroma në Kozmos, me shaka, u përgjigjën: “Po, gjatë udhëtimeve në Kozmos kemi ndjerë aromën e biftekut të pjekur në zgarë…”. Në Hënë, sipas tyre, mban erë barut i djegur dhe blozë… Aromën e vërtetë të Kozmosit, kozmonautët e kanë ndjerë sidomos në ato raste kur kanë dalë nga kabina jashtë, në hapësirat kozmike. Me t’u kthyer brenda, ata kanë ndjerë në veshjen e përdorur jashtë, aromën e gomës së djegur. Kozmonautët rusë kanë deklaruar se aroma që kanë ndjerë në Kozmos, nuk u ngjan fare atyre të Tokës. Këtu qëndron edhe vështirësia e vlerësimit dhe përcaktimit të aromave kozmike. Të përshkruash aromat e Kozmosit, është punë shumë e vështirë sepse në vlerësimin dhe përcaktimin e secilës prej tyre do të kesh si pikënisje ato aroma me të cilat je mësuar në Tokë gjatë gjithë jetes. Kozmonauti rus, Sergej Vollkov, ka thënë: “Edhe një vit pas fluturimit, unë nuk jam në gjendje të përmend ndonjë aromë tokësore që t’i ngjajë asaj të Kozmosit. Qëkur del nga anija në Kozmosin e hapur, ndjen një aromë të posaçme, kjo është shumë e veçantë. Cilës arome tokësore i ngjan ajo? Asnjërës! Ajo është aroma origjinale e Kozmosit. I ngjan paksa aromës së ozonit, por nuk është si ajo. Një gjë veç është e qartë: Në Kozmos ka një pastërti që mund të krahasohet vetëm me atë pas stuhisë në Tokë”… Pra, si përfundim, specialistët janë të mendimit se Kozmosi ka aromën e vet të pakrahasueshme me asnjë tjetër. Ajo është aroma e Kozmosit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *