Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Xhemal Qefalia, deputet i PS-së: E mbajtëm fjalën!

Petraq Barjami: – Zoti Qefalia, çfarë domethënieje politike mbart operacioni policor në Lazarat?

Xhemal Qefalia: – Ky është një ndër operacionet më të rëndësishme që Ministria e Brendshme po ndërmerr deri tani, për të konkretizuar atë premtim politik që PS-ja ka dhënë në fushatën elektorale, që ne do të kemi tolerancë zero ndaj krimit dhe luftës ndaj trafikantëve, sidomos atyre të drogës. Kështu, policia e shtetit përmbushi edhe atë detyrim që ndërkombëtarët kanë kërkuar gjithnjë ndaj qeverisë shqiptare, për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

– Mos vallë momenti që u ndërmor ky operacion policor ndaj Lazaratit lidhet edhe me kohën që BE-ja do të vendosë për statusin e Shqipërisë?

Advertisement

– Ndoshta është edhe një përkim rastësor momenti që përkon me shqyrtimin e kërkesës sonë për të marrë statusin kandidat i BE-së. E rëndësishmja është se lufta dhe përpjekjet që ka bërë policia e shtetit në muajt e fundit, kanë qenë të vazhdueshme. Shikoni kooperimet dhe marrëveshjet që kanë bërë edhe me vendet fqinje, të cilat bëjnë pjesë në Interpol, sasitë e mëdha të kapura të lëndëve narkotike. Këto janë dëshmi e vijueshmërisë së punës së policisë së shtetit. Pra, nuk është një veprim i thjeshtë për të treguar se ne luftojmë drogën. Forcat e policisë kanë qënë e janë në luftë të përhershme për të ulur imazhin e keq, të deritanishëm, të Shqipërisë, si vend i origjinës së lëndëve narkotike në Europë.

– Ju, si e shpjegoni, që ndërkohë, PD-ja, jo vetëm që nuk e ka mbështetur politikisht këtë operacion të policisë, por edhe adreson akuza politike ndaj Kryeministrit e ministrit Tahiri?

– Kjo është ajo që, me të drejtë, qytetarët shqiptarë pyesin: Përse nuk ndihet sot ajo “Aleancë kundër drogës”, që fryu PD-ja me akuza boshe kundër Kryeministrit e Ministrit Tahiri? Pse ajo aleancë kundër drogës sot hesht, kur dje bënte protesta në bulevard? Mos vallë ka interesa të përbashkëta të kësaj aleance të PD-së me ata që merren me trafikimin e drogës në Lazarat? Kjo heshtje e PD-së sot, flet më shumë sesa zhurma e djeshme e protestave bulevardeske.

– Kjo heshtje e PD-së, a lidhet thjesht me qëndrimin opozitar ndaj maxhorancës, apo aludoni se mund të kenë lidhje edhe me bosët e trafikimit?

Mendimi im personal, është që për sa kohë nuk kemi prova dhe fakte, nuk mund të bëj aludime dhe akuza, por ajo që më bën të dyshoj është pyetja: Pse një forcë politike, që aspiron të rivijë në pushtet, nuk mbështet sot politikisht operacionin policor kundër kriminelëve të drogës? Droga në Lazarat është produkt edhe i politikës qeverisëse të asaj qeverisjeje që u mund në 23 Qershor. Atë që PD-ja nuk e bëri në 8 vjetët e qeverisjes, ju e patë, sot e bëri për disa ditë policia. Kjo heshtje politike e PD-së mund të të bëjë të mendosh që mund të kenë edhe lidhje individësh. Unë nuk akuzoj gjithë forcën politike të PD-së dhe gjithë lidershipin e saj, por besoj se ka edhe njerëz brenda PD-së që nuk u vjen mirë nga rezultatet e policisë së shtetit kundër krimit dhe trafikimit të drogës në Lazarat. Unë u bëj një pyetje zotërinjve të PD-së: Kriminelët dhe trafikantët e drogës në Lazarat, ku i gjetën armët e rënda? Po kurajon që të gjuajnë me këto armë të rënda kundër policisë, këta trafikantë e kriminelë, ku e gjejnë? “Të fortë” ata kriminelë e trafikantë droge në Lazarat, sa të guxojnë sot që të plagosin policë dhe njerëz të pafajshëm, i bëri ajo politikë 8 vjeçare e shkuar, që nuk i preku, por i përkëdheli. Ata, me ato armë, terrorizuan policinë e njerëzit, sepse askush nuk i luftoi.

– Kolegu juaj, Arben Çuko, deklaroi që të hetohet edhe kryetari i Komunës të Lazaratit, sepse nuk ka dhënë informacione. Ju, solidarizoheni me këtë kërkesë?

Unë nuk dua të ndalem në emra të përveçëm. Në ligj është përcaktuar që edhe drejtuesit e pushtetit vendor duhet të informojnë policinë për veprime të tilla, siç është prodhimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike. Të gjithë drejtuesit që neglizhojnë përballë problemeve të trafikimit dhe krimit, do të përgjigjen edhe përpara drejtësisë. Por, nuk është problemi te një kryetar komune. Është shumë pak, që të merremi me një kryetar komune. Problemi është edhe më i gjerë, te qëndrimi politik që duhet të mbajë kjo opozitë. Kjo maxhorancë e demonstroi vullnetin politik që ka për një tolerancë zero ndaj krimit.

– Le të kalojmë në një çështje tjetër: Zoti Qefalia, me cilësinë që keni si anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, si e shpjegoni që kontrolli i brendshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, nuk i provoi akuzat e ngritura nga ministrja Kodheli ndaj Imamit?

– Unë nuk kam informacion se çfarë ka evidentuar kontrolli i brendshëm. Çështja është në prokurori. Pra, kemi një organ më të specializuar, sesa kontrolli i brendshëm i ministrisë. Prokuroria është një organ kushtetues, që ka të gjithë të drejtën për të shqyrtuar aktivitetin e kundraligjshëm që është ushtruar nga ish-drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes. Të gjithë ata që kanë abuzuar dhe shkelur ligjin, pse jo, do të përgjigjen përpara drejtësisë. Dhe, nuk është kontrolli i brendshëm, elementi thelbësor që jep pafajësinë.

– Çfarë roli luan atëhere ky kontroll i brendshëm i vetë ministrisë?

– Kontrolli i brendshëm i ministrisë evidenton problemet dhe i dërgon në prokurori, ndërkohë që kemi, me sa di unë, 2-3 çështje që janë dërguar në prokurori dhe prokuroria ende nuk e ka thënë fjalën e saj.

– Si anëtar i Komisionit të Sigurisë, ju keni ushtruar kontroll së fundi edhe në SHIK. Mund të na thoni se cilat janë problemet që hasët në këtë kontroll parlamentar?

– Ende jemi në fazën e marrjes së informacionit. Së shpejti, do të bëhet analiza e gjithë informacionit të grumbulluar. Ajo çka është e lejuar, do të bëhet e ditur edhe në publik, edhe në media, por ne jemi ndryshe nga maxhoranca e djeshme. Informacionet nuk i nxjerrim në treg, nuk i bëjmë pazar. Mendoj se të gjitha informacionet që do bëhen analizë nga grupi i kontrollit, do të paraqiten te drejtuesit e institucioneve, do të informohet kryetari i Kuvendit dhe pastaj, edhe ajo pjesë që ju takon ju gazetarëve, do t’ju jepet.

– Çfarë do të ndryshojë në Shërbimin Informativ Ushtarak projektligji i ri që ju po përgatitni?

– SHIU tashmë krijon një vizion më të gjerë. Kemi parasysh, që në ligjin para 2 vjetësh…

– Këtë ligj për SHIU-n, ju e kundërshtuat atëhere shumë fort…

– Po, ne e kundërshtuam shumë, sepse ishte një ligj i cili krijonte një spektër të gjerë të punës së saj dhe kjo u bë me qëllim për të justifikuar veprimet e 21 Janarit 2011. Prandaj, i dhanë SHIU-t kaq shumë kompetenca, për të ligjëruar veprimet e qeverisë më 21 janar. Besoj ju kujtohet që drejtuesit e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes morën të gjithë atë informacion që nuk e mori dot SHIK-u, duke dalë jashtë juridiksionit të vet profesional. Me këtë ligj do të saksionohet saktë që ai do t’u shërbejë drejtpërdrejt Forcave të Armatosura, për të mos shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut. Sepse, shumë shërbime informative, në kuadër të konspiracionit, krijojnë, pse jo, në disa raste, edhe shkelje të të drejtave të njeriut.

– Opozita, por edhe Presidenti Nishani, ju kanë akuzuar se me këtë ligj ju i merrni kompetencat Presidentit. Cila është qasja juaj?

– Ligji i ri për ushtrinë nuk ka asnjë lloj lidhjeje me kompetencat e Presidentit. Ato kompetenca të Presidentit për Forcat e Armatosura janë të parashikuara në Kushtetutë dhe në ligjet përkatëse.

– Nga dhjetori i 2013-s e deri tani, çfarë ka ndryshuar me Shqipërinë në raport me kërkesën për marrjen e statusit kandidat i BE-së?

– Unë mendoj se kanë ndryshuar shumë gjëra. Pikë së pari, kritika e vazhdueshme që i është bërë maxhorancës për marrëdhëniet që kishte ndërtuar me opozitën. Ju e shikoni që opozita tashmë ka gjithë hapësirën e nevojshme në Parlament, por edhe kudo, ndërkohë që opozitës së djeshme i ishte mohuar, jo vetëm të krijonte komisione hetimore parlamentare dhe të ngrinte çdo grup kontrolli për të kontrolluar organet ligjzbatuese. Qytetarët tashmë protestojnë të lirë. Tani, ju e shikoni që nuk ka më gardh as në Kryeministri. Tashmë, forcat e gardës nuk do hapin më zjarr kundër protestuesve. Demonstrojmë përditë edhe vullnetin për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Është rritur edhe performanca e lirisë së fjalës dhe e medias.

Çfarë do të ndryshojë në politikën shqiptare nëse vendimi i BE-së për statusin do të jetë pozitiv?

– Do jetë një inkurajim për Shqipërinë në tërësi, jo për PS-në, jo për maxhorancën. Do jetë inkurajim për shqiptarët, që të ndihen të barabartë dhe partnerë edhe në Europë. Natyrisht, do të jetë edhe një përgjegjësi më e madhe për maxhorancën e sotme, për të bërë detyrën e saj në përputhje me të gjitha konventat ndërkombëtare, me standardet demokratike europiane. Ky do jetë edhe fillimi i çeljes së negociatave për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në BE dhe ne do të bëjmë që kjo periudhë të jetë sa më e afërt e jo e stërgjatur, si vitet e tranzicionit demokratik të deritanishëm.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Gate Mahmutaj: “Vetëm Doktori na doli burrë i besës”

Next Post

Zbulohet myshku shekullor

Advertisement