Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us
E mbajta fëmijën!
Valon Shehu dhe Arbëresha Maloku: Së shpejti, burrë e grua!
Ç'sandale të zgjedh?

Valon Shehu dhe Arbëresha Maloku: Së shpejti, burrë e grua!

Valoni: Këngëtar u bëra rastësisht…

Shumë e kujtojnë si djaloshi simpatik që fitoi jo vetëm zemrën e publikut shqiptar, por edhe trofeun e çmimit të parë në spektaklin e zërave të rinj, “Star Akademi”, një spektakël që e bëri Valonin të dashurohet me Shqipërinë duke mos u ndarë për asnjë moment nga aktivitetet artistike, festivalet dhe mbi të gjitha, nga jeta e natës ku publiku e mirëpritet çdo herë e më mirë. E ndërsa vitet kalojnë, jeta e tij fillon të marrë një tjetër kuptim. Të rejat në aspektin artistik, por edhe në atë privat, na i rrëfejnë Valoni dhe e dashura e tij, këngëtarja Arbëresha Maloku…

 

Advertisement

Sava Lena: – Përshëndetje Valon! Kam pak kohë që tashmë është bërë publike lidhja me Arbëreshën. Si nisi kjo dashuri?

Valon Shehu: – Me Arbëreshën kemi gjashtë vjet. Bashkë jemi njohur në Gjakovë nëpërmjet shoqërisë së përbashkët. Ajo është aktivizuar me muzikë para meje, ka qenë edhe konkurrente në spektaklin e talenteve “The Voice Of Albania” dhe, në këtë periudhë, lidhja jonë u bë publike. Momentalisht, bashkëjetojmë në Tiranë, pasi ajo studion për Master në degën e Sociologjisë, ndërsa unë punoj.

– Një ditë zgjohesh në Tiranë e një ditë në Gjakovë. Më shpesh të takon të lësh pas dore studimet apo të dashurën?

Ndonjëherë i lë të dyja! (Qesh) Unë ndjek studimet në degën e Gjeografisë në Gjakovë, por fatmirësisht, fakultetin e vazhdoj me korrespondencë dhe shkoj vetëm për të dhënë provimet.

Si shkon një marrëdhënie kur të dy personat janë artistë?

– Për mrekulli! Është mirë kur ke një person në krah që merret me art dhe e kupton mjaft mirë botën tonë, pasi ne artistët kemi jetë të komplikuar. Shpeshherë hasim probleme kur bëjmë muzikë live dhe ndodhemi larg njëri-tjetrit dhe ekziston pak xhelozi, por e kalojmë…

E shoqëroni njëri-tjetrin në aktivitetet tuaja muzikore?

Më tepër jam unë ai që e shoqëroj atë, ndërsa Arbëresha vjen me mua kur ka dëshirë dhe kohë.

– Si nis një ditë e zakonshme për Valonin?

Të hënën zgjohem rreth orës 12.00 (qesh), se ne që punojmë me jetën e natës jemi mësuar me këtë ritëm dhe mezi e marrim veten nga fundjavat e lodhshme. Bëj pak stërvitje në ambientin e shtëpisë dhe dal të pi ndonjë kafe. Kur nuk jam në terezi, e nis ditën me këngë. Nëse këndoj, gjithçka është në rregull.

– Cila është kënga që e këndon më shpesh së fundi?

– Nuk fiksohem pas një kënge. Këndoj këngë të ndryshme, edhe në varësi të kohës. Për shembull, nëse është ditë me shi, këndoj ndonjë baladë… Punoj shumë për të zgjeruar repertorin tim muzikor. Edhe vetë në shtëpi punoj shumë me këngët e reja duke i rënë kitarës dhe duke u përgatitur edhe vokalisht, që të jem sa më në formë për publikun që më ndjek çdo fundjavë në lokalin e natës “Cavaliero”. Në mbrëmje shoh filma ose dal me shokët për të pirë ndonjë birrë në lokal.

– Dhe e dashura merret me punët e shtëpisë?

(Qesh) Po, ajo merret me punët e shtëpisë, shohim ndonjë film bashkë ose dalim për të ngrënë darkë në lokal.

– Jeni bërë si burrë e grua?

– Eh, fiks si burrë e grua, drejt asaj faze jemi…

– Valon, si u bëre ti këngëtar?

– Rastësisht. Kisha nisur kursin e kitarës me një profesor që këndonte këngë të muzikës së lehtë shqiptare. Kur profesori im u sëmur nga zëri, unë i dija më së miri të gjitha këngët që këndonte ai. Për herë të parë në publik kam kënduar në një koncert shkolle në klasë të tetë. Më pas erdhi pjesëmarrja në spektaklin e talenteve të reja, “Star Akademi”, ku u ndava me çmimin e parë…

Dhe që nga ajo kohë, quhesh “Valoni i Star Akademi”. Mendon se do të të ndjekë gjithë jetën kjo nofkë?

– Aty kam fituar shumë fansa, të cilët më ndjekin edhe sot e kësaj dite, por nëse kjo “nofkë” do të vazhdoj të më shoqërojë edhe më vonë, do t’ju them: “Po prisni njëherë se nuk kam marrë pjesë vetëm te “Star Akademi”; kam bërë edhe gjëra të tjera në jetë!” (Qesh)

– Në cilin zhanër muzikor e sheh veten më mirë?

E kam nisur me muzikën rock, por gjatë punës sime në jetën e natës këndoj plot këngë të cilat nuk janë të stilit tim, por që më përshtaten vokalisht. Gjithsesi, muzika rock është ajo që bëj më me pasion.

– Valon, më i ngrohtë për ty është publiku i Kosovës apo ai i Shqipërisë?

Që në kohën kur e kam nisur karrierën, suksesin fillimisht e kam fituar në Shqipëri. Publiku këtu është më entuziast dhe mendoj se ka më shumë njerëz që e pëlqejnë stilin tim. Kjo është edhe arsyeja pse këndoj më së shumti në Tiranë.

– Në lokalin ku këndon me cilin nga kolegët ke marrëdhënie më të mira?

– Sa i takon miqësisë më të ngushtë, është ajo me Era Rusin, pasi me të kam tre vjet që punoj me të dhe, përveçse kolegë, jemi edhe miq shumë të mirë.

– Të ngacmojnë vajzat në netët kur këndon “live”?

Ngacmime ka gjithmonë, por ne jemi ata që duhet t’i përballojmë. I kaloj me një buzëqeshje, kështu duhet. (Qesh) Gjithsesi, i vlerësoj të gjitha ngacmimet, ndonjëherë u ofroj edhe për pirë, bëjmë ndonjë foto, ky është maksimumi që mund të bëj… Duhet t’i respektojmë fansat!

– Çfarë të pëlqen te një femër?

– Nuk ka femra perfekte sikurse dhe unë nuk jam perfekt. Gjithsesi, mund të shihni Arbëreshën për të kuptuar më tepër. Ajo është çfarë më pëlqen mua te një femër. Sigurisht që impakti i parë ka qenë bukuria, por kur jemi njohur më shumë, edhe tipi i saj më ka bërë për vete.

– Lidhja juaj është tashmë publike. Do keni të reja në këtë aspekt?

– Familjet tona njihen prej disa vitesh. Së shpejti mendojmë ta zyrtarizojmë lidhjen tonë me fejesë.

– Të pëlqejnë fëmijët?

– Shumë. Mezi po pres që një ditë dhe unë të bëhem baba.

– Na trego për projektin më të ri muzikor…

Projekti më i ri është pjesëmarrja në festivalin “Top-Fest 11”. Këngën me titull “Faji im” të zhanrit rrok, e ka realizuar sërish kompozitori Alban Male. Tani po merrem me një projekt që do ta publikoj përgjatë kësaj vere dhe do të jem si gjithmonë shumë i ngarkuar me muzikën live.

 

 

Arbëresha: Në fillim profesioni, pastaj familja!

 

– Përshëndetje Arbëresha! Si po ju ecën lidhja juaj?

Arbëresha Maloku: – Shumë, shumë mirë.

– Kush është më shumë tipi i surprizave?

– Valoni nuk është tip i surprizave. Mua më ka ndodhur një herë që t’i bëja një surprizë për ditëlindje. Kur ai doli për të pirë një kafe, unë mblodha të gjithë miqtë e tij dhe kur Valoni erdhi në shtëpi, ndezëm fishekzjarre, shampanjë, etj. Më pas, e vazhduam festën te “Cavaliero” e kështu me rradhë kanë vazhduar surprizat edhe pas mesnate. (Qesh)

– Bëhesh xheloze për të?

– Në çdo lidhje ka xhelozi, por Valoni nuk më jep arsye për t’u bërë xheloze sepse është mashkull shumë besnik.

– Si ndjehesh kur vajzat afrohen ta puthin apo të bëjnë foto me të?

– Ndjehem shumë krenare që Valoni ka fansa. Sa më shumë fansa të ketë, aq më i njohur bëhet; për këtë nisem edhe nga vetja.

– Çfarë e bën një lidhje kaq të fortë e të konsoliduar?

– Besnikëria, respekti, dashuria.

– Arbëresha, Valoni ka shumë dëshirë të bëhet baba… Ç’mendim ke ti, si e zonja e kësaj pune?

– (Qesh) Ja të fejohemi e të martohemi njëherë, pastaj vijnë të tjerat me radhë. Me thënë të drejtën, në plan të parë shikojmë profesionet e shkollimin, në mënyrë që kur ta planifikojmë familjen, gjithçka të jetë siç e meriton vërtet një familje.

– Cili është synimi yt në të ardhmen?

Si fillim, shpresoj të përfundoj masterin me sukses. Dy nga synimet e mia kryesore janë të kontribuoj te barazia gjinore, por muzikën nuk do ta lë asnjëherë pas dore.

– Kjo stinë do të jetë e mbushur me aktivitete muzikore apo periudhë pushimi?

– Për mua, do të jetë një periudhë tepër intensive. Krahas muzikës, po studioj shumë pasi kam provimet për masterin dhe do angazhohem me dyqanin e parukerisë, bashkë me mamanë time.

– Pushimet ju pëlqen t’i kaloni si çift, me shoqëri, apo gjithsecili me shoqërinë e vet?

– Na pëlqen t’i kalojmë së bashku dhe në shoqërinë e miqve tanë të përbashkët. Pasi të përfundoj sezonin e provimeve, do jem e angazhuar në dyqan, me koncertet që kam në plan dhe më pas do të udhëtoj drejt Sarandës, pasi dhe Valoni do të jetë aty përgjatë gjithë verës, duke performuar.

– Kur e keni vendosur për t’u martuar?

Na pëlqen të mbetemi edhe për ca kohë një çift “adoleshentësh” të dashuruar. Edhe martesa do të vijë, por në momentin e duhur; jemi ende të rinj…

– Si po të ecën jeta artistike?

– Edhe këtë vit isha pjesë e festivalit muzikor, “Top Fest 11” ku u prezantova me këngën “Nostalgji”, me muzikën dhe tekstin tim, ndërsa orkestrimin ia besova Florent Boshnjakut. Sapo publikova videoklipin e këngës “Nostalgji” dhe shpresoj të pritet mirë nga publiku…

– Në videoklip dukesh mjaft e këndshme dhe lozonjare në krahët e një djali simpatik, të gjatë, kaçurrels… Kush është djali i klipit “Nostalgji”? Ishte zgjedhja jote për këtë imazh?

– Djali figurant quhet Genc Danaj dhe është një model shqiptar. I kërkova produksionit një model me pamje hippie, me flokë të gjata e slim dhe, pasi m’u propozuan dy figurantë, zgjodha Gencin pasi ai përshtatej më shumë me mënyrën si e kishim konceptuar klipin.

– Për çfarë bën fjalë kjo këngë dhe çfarë ke dashur të transmetosh ti me videoklipin e saj?

Çiftet nuk duhet ta harrojnë fillimin e lidhjes, gjërat e bukura dhe duhet t’i provojnë çmenduritë e fillimit, që të mos e lënë dashurinë të zbehet për asnjë çast nga rutina. Muzikën dhe tekstin e këngës i kam realizuar vetë dhe me këtë klip, kam dashur të transmetoj mesazhin që ka teksti, i përshtatur në dinamikën dhe bukurinë e verës.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

E mbajta fëmijën!

Next Post

Ç'sandale të zgjedh?

Advertisement