Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us
Ç'sandale të zgjedh?
Rita Ora: Vendimet e duhura në profesion; të gabuara, në jetë!
A është i vërtetë parashikimi i fatit?

Rita Ora: Vendimet e duhura në profesion; të gabuara, në jetë!

Pavarësisht famës e suksesit, ajo ka mbetur po ajo vajzë e qeshur, e çiltër, e dashur dhe shumë e sjellshme. Këtë përshtypje të lë Rita Ora teksa bisedon me të. Kur kontakova, Rita ndodhej në Los Anxhelos, por u tregua e gatshme t’u përgjigjej pyetjeve me sinqeritet dhe zemër të hapur… Një intervistë e realizuar me kaq dashuri, nuk mund të lexohet ndryshe…

 Përgatiti MIRA BUCI

– Rita, ku ndodhesh në këto momente?

Advertisement

– Jam në Los Anxhelos duke u marrë me rregullimet e fundit të albumit tim të ardhshëm, i cili do të dalë në treg pas disa muajsh. Jam vërtet shumë e gëzuar për këtë sepse që tani, e kuptoj se do të mirëpritet. (Buzëqesh)

– Çfarë angazhimesh pate sot?

– Sot shkova bashkë me Kalvinin në supermarketin VVholemeal dhe blemë çdo gjë të nevojshme. Pastaj shkuam në studio dhe, pasdite vonë, në një sallon bukurie sepse do të shkonim në një darkë, bashkë me disa anëtarë të tjerë të labelit tonë.

– …ndërkohë që po përgatitesh për të publikuar albumin tënd të dytë, çfarë do të na tregoje rreth tij?

– Epo ja, albumi del pas disa muajsh, por singëlli i ri do të dalë në mars dhe titullohet “I vvill never let you dovvn”, këngë që e kam shkruar me Kalvin Harrisin. Ky do të jetë një album krejt ndryshe krahasuar me “Ora”. Në këtë album kam vënë zemrën time në çdo këngë, ndaj edhe është shumë i ngrohtë… (Buzëqesh)

– Meqë për festat e funditvit nuk folëm dot, si e kalove ndërrimin e viteve?

– Oh, ishte e pabesueshme! Kalvini realizoi një shfaqje të mahnitshme në Vegas, kështu që unë kam qenë atje me të dhe mora me vete edhe disa nga miqtë e mi më të afërt. Ishte një natë me të vërtetë e bukur.

– Çfarë kryeson listën e arritjeve të tua për vitin që mbyllëm?

– 2013-a ishte një vit i mahnitshëm. Kam punuar me persona me të cilët nuk e kisha menduar kurrë se do të mund ta bëja, pata turin tim të parë, biletat e të cilit u shitën të gjitha, por, 2014-a do të jetë e imja! (Qesh) Një epokë e re po vjen sepse po nxjerr albumin tim të dytë dhe më pas, një turne në të gjithë botën. Gjithashtu, kam bashkëpunuar me Rimmel dhe do të nxjerr linjën time të buzëkuqeve, manikyreve e po ashtu, edhe me Adidasin, ku kam dizenjuar atlete. Kështu që… 2014-a do të jetë një vit tepër i zënë dhe shumë produktiv.

– Ti je aq energjike në skenë, sa ke bërë shumë persona kuriozë se cila është receta e kësaj energjie?

– (Qesh) Në të vërtetë, nuk e di. Thjesht, e dashuroj të performuarit live dhe të kënduarit. Fansat e mi më japin forcë, por… edhe dy shotsa me Jack Daniels dhe je në gjendjen e duhur. (Qesh)

– Një ndër angazhimet e tua më të fundit është edhe roli kryesor në filmin “50 hijet e Greit”. Kush ta ofroi këtë rol dhe si e prite?

– Unë i kisha lexuar librat dhe më kanë pëlqyer shumë, por kur mora këtë ofertë, pavarësisht se sa isha tronditur, pyeta prindërit më parë. (Qesh) Ti e di që ky film është seksi, ndaj doja të dija nëse ata do të mund të më shihnin mua si pjesë e tij. Ata më thanë se kishin besim në vendimet e mia, kështu që është gjithçka në rregull tani. Në fakt, më përkrahin me të vërtetë shumë.

– Si mendon të njësohesh me këtë personazh?

– Mia është shumë si unë. Ajo është e bukur, çapkëne, e do jetën, me humor,elegante.Ne kemi shumë gjëra të përbashkëta, por jam super e emocionuar dhe nervoze në të njëjtën kohë sepse ky është roli im i parë në aktrim dhe do të luaj në një film të madh!

– Beson se deri tani ke bërë vetëm zgjedhjet e duhura apo ka edhe nga ato për të cilat më pas je penduar?

– Kur flasim për karrierën time, më duhet të them se kam qenë vërtet me fat dhe e bekuar që kam punuar me profesionistë dhe kjo më ka bërë të mos marr ndonjë vendim të gabuar. Kam qenë e duruar dhe kam punuar vërtet shumë fort, duke pritur kohën e duhur, ndërsa në jetën time personale, përfundimisht, kam marrë vendime të gabuara. Na ndodh të gjithëve që të marrim vendime të gabuara në kohën e gabuar.

– Të kalojmë pak te ti dhe Kalvini… Ju të dy ishit ndër çiftet më simpatikë që parakaluan në tapetin e kuq të ndarjes së çmimeve Grammy, madje i suprizuat të gjithë edhe këtu në Shqipëri, pasi kishin filluar të qarkullonin fjalë për një ndarje të mundshme mes jush…

– (Qesh) Faleminderit, tani më bëre të skuqem. Isha atje vetëm për ta mbështetur atë, isha partnerja e tij. (Buzëqesh)

– Largësia juaj për shkak të angazhimeve bën të vetën, por si e kaloni kohën kur jeni bashkë?

– Është e vështirë, por kur e do vërtet diçka, gjithmonë do ta gjesh kohën për t’iu përkushtuar dhe të bësh të gjitha përpjekjet ta bësh atë të zgjasë. Ia vlen.

– …gjithashtu, po në këtë event “Grammy” u fol se dhe ti dhe Rihana i qëndruat indiferente njëra-tjetrës! Si do t’i mohoje këta zëra?

– E dua Rihanën dhe me të vërtetë e respektoj atë si individ dhe si artiste. Ne jemi mike të mira, pjesë e të njëjtit label. Lidhemi dhe qëndrojmë në kontakt herë pas here. Çdo gjë është ok. (Buzëqesh)

– Ti je pjesë e Roc Nation dhe, nisur edhe nga miqësia jote me Bijonsen, keni menduar ndonjëherë për një bashkëpunim mes ju të dyjave?

– Unë do të isha e lumtur sikur Bijonse edhe thjesht do merrte frymë në njërën nga këngët e mia. (Qesh) Ajo është mbretëresha! Do të isha jashtëzakonisht e lumtur ta realizoja një ditë këtë; ajo është idhulli im.

– Më thuaj si është Bijonse jashtë skenës, në jetën e përditshme? Një detaj që ne nuk e dimë…

– Bijonse është shumë e thjeshtë dhe modeste. Vetëm artistët e mëdhenj si ajo arrijnë të qëndrojnë kështu, pavarësisht suksesit të madh dhe pasurisë që kanë.

– Çfarë i ke treguar asaj për Shqipërinë dhe Kosovën?

– Ajo kishte dëgjuar për Shqipërinë, por jo për Kosovën, kështu që një herë i tregova rreth Kosovës dhe ajo mori lap topin e saj dhe e kërkoi në Google. Lexoi shumë gjëra për vendin tonë dhe e pëlqeu shumë. Jam shumë e lumtur që isha unë ajo që e prezantova atë me Kosovën! (Buzëqesh)

– Sot në muzikë është e rëndësishme të vish ndryshe nga të tjerët dhe gjithnjë e freskët, nga njëra paraqitje në tjetrën. Është e lehtë kjo? Ti, si ia del?

– Për mua ka qenë gjithmonë e lehtë sepse duke eksperimentuar dhe duke marrë përsipër rreziqe, kam krijuar këtë imazh timin. Më pëlqen të provoj gjëra të reja, duke kombinuar stilet, gjë që njerëzit e tjerë do ta quanin “e pazakontë”. Më pëlqen të luaj me ngjyrat e aksesorët dhe e gjitha kjo është argëtuese për mua. (Qesh)

– Vrapon ti pas suksesit apo suksesi vrapon pas teje?

– Sinqerisht, unë jam e përqendruar vetëm në të bërit muzikë dhe dihet që në industrinë e muzikës, nuk i dihet kurrë se si mund të pritet një këngë. Kjo është edhe arsyeja pse kur shkruaj një këngë, nuk mendoj për të shkruar një hit. Thjesht, mendoj ta bëj atë një këngë të bukur, që njerëzit do ta kërcejnë ose do ta pëlqejnë.

– Kush ka ndikuar më shumë në jetën tënde dhe në mënyrën se si ke zgjedhur ta jetosh atë?

– Nëna ime, Vera dhe gjyshi im, Besim. Këta njerëz më kanë mësuar çdo gjë që unë di sot dhe jam kjo që jam, falë tyre. Gjyshi më ka thënë gjithmonë ta jetoj ëndrrën time dhe të luftoj për të, të ndjek zemrën time dhe të jem një njeri i mirë, ndërsa mami më ka mësuar si të jem një grua e fortë, e pavarur, e vendosur dhe shumë punëtore. Ajo është shembulli që unë ndjek. Dua të jem si mami im kur të kem familjen time.

– VIP-at e huaj, kryesisht, u vënë kushte organizatorëve të koncerteve ku janë të ftuar. Cili është kushti që ti do të të plotësohet patjetër në koncertet e tua?

– Unë kam nevojë për goxha hapësirë sepse ti e di që lëviz përgjatë gjithë skenës. (Qesh)

– Cili është personi dhe sendi që e merr gjithnjë me vete në udhëtimet e tua?

Marr motrën time kudo ku shkoj, ajo është menaxherja ime rrugore. (Qesh) Tani për tani, nuk vjen më pas meje, por do të vijë kur të filloj turin dhe hëm… gjithmonë marr me vete arushin tim Teddy që e thërras “Suli”. (Qesh) Ai më bën shoqëri kur jam vetëm në dhomën e hotelit, natën.

– Në muzikën e cilave vite e gjen veten? Cila është periudha jote e preferuar?

– I dashuroj vitet ’70-’80-’90. Madona, Destiny’s Child, Notorious BIG, Guen Stefani, Shejd, Uitni Juston, Merilin Monro ishin të preferuarit e mi. Jam rritur duke i dëgjuar, prandaj edhe sot ata më frymëzojnë ende.

– Çfarë bën kur nuk ke angazhime?

– Varet… Më pëlqen ta kaloj kohën me familjen time ose të dal jashtë me miqtë e mi apo me Kalvinin, por sidomos, më pëlqen të çlodhem në shtëpi me pizhamat e mia veshur gjithë ditën, pa make up dhe duke bërë… asgjë. (Qesh)

– Çfarë do të ishte e mjaftueshme për të ta bërë ditën të bukur?

– Puthja e mirëmëngjesit nga personat e dashur, një mëngjes i bukur dhe i shijshëm që duhet të ketë patjetër salcën tabasko dhe, të flas me mamin tim. Kjo ma ndriçon gjithmonë ditën. (Buzëqesh)

– Martesa dhe fustani i bardhë janë ëndrra e çdo vajze e besoj se edhe për ty është kështu… Sa afër apo larg e sheh atë ditë?

– Po, e kam ëndërruar, por që të jem vërtet e sinqertë, kjo ditë është mjaft larg. Kam aq shumë synime personale për të arritur para se të bëhem gruaja e dikujt! Dua të jem dikush për veten time në radhë të parë, por e pranoj që jam tradicionale dhe do të martohem vetëm një herë. Pra, kjo, do të kërkojë një kohë të gjatë. (Qesh)

– Nëse do të kishe fuqinë të ndryshoje diçka në botë…

– Do të doja ta zhdukja racizmin, është kaq e trishtueshme që ende ekziston. Ne jemi të gjithë njësoj para syve të Zotit dhe kjo është ajo çka unë përfaqësoj.

– Në cilin stad të jetës do ta konsideroje veten një femër të plotësuar?

– Rreth të 30-ve ndoshta, sepse dua të martohem dhe të kem të paktën një fëmijë deri atëherë. Sigurisht që shpresoj se edhe atëhere do të jem duke kënduar dhe duke bërë muzikë sepse kjo është ajo që dua të bëj.

– Je natyrë nostalgjike? Çfarë ta ngjall më tepër këtë ndjenjë?

– Jo, jo shumë. Arsyeja e vetme që më së shumti bën të më dalin lot është gjyshi im, por kur është fjala për gjëra të tjera të dhimbshme që kam kaluar, më kujtojnë se duhet të jem e fortë. Shoh gjithmonë para dhe kurrë pas.

– Ndjen të të mungojë dikush apo diçka, aktualisht?

Nuk mund t’i kesh të gjitha përnjëherë, apo jo? Në një pikë, do të dëshiroja që gjyshi im të ishte këtu sepse ai ka aq shumë shpresa për mua dhe besonte në talentin tim para se unë vetë të besoja në veten time, ndaj uroj që ai ta jetojë ëndrrën time me mua sepse kjo ishte “ëndrra jonë”.

– Dashurohet vërtet sot?

– Në ditët e sotme është e vështirë dhe e rrallë madje ta gjesh dashurinë, por kur e gjen, mund të bëhet ndjenja më e fortë dhe më e pastër që ke përjetuar ndonjëherë. Ia vlen gjithmonë të kërkosh të duhurin, dhe e di… ne kemi dashuri, dashuri. (Qesh)

– Kur ndodh të jesh e ashpër me veten?

– Kurrë nuk jam e kënaqur me veten, gjithmonë kërkoj më shumë dhe e shtyj veten drej arritjes së maksimumit. Kurrë nuk kam pushuar.

– Për çfarë ndihesh me tepër krenare?

– Jam shumë krenare për marrëdhënien që kam me familjen, dashurinë e ndërsjelltë e respektin që ndajmë me njëri-tjetrin dhe kjo, falë prindërve të mi. Jam krenare që, pavarësisht famës sime, gjërat nuk kanë ndryshuar. Gjithashtu, po promovoj Kosovën dhe kulturën tonë në mbarë botën. Jam krenare që po jetoj ëndrrën time. Jam shumë e lumtur që më në fund, mund ta bëj këtë!

 

Bisedoi: Mira Buci

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Ç'sandale të zgjedh?

Next Post

A është i vërtetë parashikimi i fatit?

Advertisement