Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Çfarë përfitojnë shqiptarët nga kandidimi në BE?

Petraq Bajrami: – Profesor, a mendoni se dhënia e statusit nga BE-ja është një vendim politik, pas tre refuzimesh, apo Shqipëria i ka plotësuar më së fundi të dymbëdhjetë prioritetet?

Prof. Dr. Lisen Bashkurti: – Vlerësimi për dhënien e statusit kandidat për një vend aspirant si Shqipëria kalon nëpërmjet tri institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian: Komisionit të BE-së, i cili jep raport teknik të hollësishëm mbi ecurinë e reformave të vendit; Parlamentit Evropian, i cili jep mendimin e tij nëpërmjet një rezolute të veçantë; së treti, Këshillit Evropian, i cili jep vendimin dhe që është organi politik më i lartë i BE-së, që përfaqëson politikisht qeveritë e shteteve anëtare. Pra, kemi një vendimmarrje gjithëpërfshirëse ndërinstitucionale për politikat e zgjerimit në BE, që është sa teknike, aq edhe politike. Ndonëse kompetencat dhe pesha në vendimmarrje ndryshon te secili nga këta institucione, sërish lypet të kuptohemi se nuk ka një mur ndarës midis institucioneve të sipërpërmendura të BE-së për politikat e zgjerimit. Për pasojë, vendimi është sa teknik për përmbushjen e kërkesave të bëra për Shqipërinë nga BE-ja, aq dhe politik për vlerësim, mbështetje dhe inspirim në procesin e vijueshmërisë së reformave të mëtejshme.

– Mendoni se me marrjen e statusit kandidat, Shqipëria, më së fundi, e kapërceu periudhën e tranzicionit politik?

Advertisement

– Në disa aspekte, Shqipëria e ka lënë pas tranzicionin. Së pari, vendi tanimë ka hedhur baza të qëndrueshme në demokracinë parlamentare, pluralizmin politik dhe rotacionet zgjedhore paqësore. Së dyti, ka hedhur bazat e ekonomisë së tregut të lirë dhe tërësisht të hapur. Së treti, ka bërë hapa të pakthyeshme në sigurimin e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut. Së katërti, vendi tanimë është pjesë e strukturave më demokratike e të qëndrueshme të sigurisë, anëtar i NATO-s dhe kontribues për proceset e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Së pesti, vendi ka konsoliduar politikën e jashtme dhe diplomacinë e vet nëpërmjet politikës së fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal dhe kontributit për paqe, siguri, demokraci dhe integrim të Ballkanit Perëndimor. Këto janë aspektet themelore në të cilat Shqipëria ka hedhur themele të qëndrueshme dhe ka shtruar trase të parikthyeshme. Pra, ka lënë pas tranzicionin.

– Çfarë përfitojnë shqiptarët dhe Shqipëria, tashmë, si vend kandidat për në BE?

– Me statusin kandidat, Shqipëria dhe shqiptarët kanë arritur në një stad nga ku nuk mund të kthehen më pas. Përpara tyre ka një axhendë të qartë, një strategji zhvillimore evropiane, ka një matriks hapash dhe masash, ka një plan veprimi dhe një afat kohor për progresin drejt evropianizmit të Shqipërisë. Si vend kandidat jemi në njëfarë mënyre në pozicion edhe brenda, edhe jashtë. Nga ky pozicion ngushtohet shumë raporti bashkëpunues Shqipëri-BE, rritet monitorimi i brendshëm i BE-së dhe bashkëpunimi dypalësh, afrohet gjithnjë e më tepër përputhshmëria në kritere e standarde, përqasen fushat sektoriale e strukturale midis të dy palëve, unifikohen tregjet hap pas hapi e sektor pas sektori, përafrohet legjislacioni me aquis communitaires, modernizohet e profesionalizohet administrata, konsolidohet pavarësia e bashkëpunimi midis institucioneve, legjislativit, ekzekutivit e gjyqësorit, konsolidohet bashkëjetesa midis pushtetit vendor dhe atij qendror si dhe përfitohet nga IPA (Instrumentet e Para Aderimit) financime strukturale e sektoriale që e përgatisin Shqipërinë për integrim të plotë në BE. Në këtë fazë që kemi një axhendë të unifikuar dhe të detyruar, është momenti politik më shumë se kurrë që të arrijmë një pakt konsensusi mbarëkombëtar të të gjithë aktorëve shtetërorë dhe jo shtetërorë për përshpejtimin e rrugës drejt anëtarësimit të plotë.

– Po detyrimet cilat do të jenë, tashmë e tutje, për klasën politike dhe për vetë shqiptarët?

– Është momenti që të gjitha institucionet qendrore politike e shtetërore, aktorët joshtetërorë, qarqet akademike, kulturore e shkencore, subjektet e biznesit, mediat, shoqëria civile, grupet e interesit, grupet vulnerabël, individët e mbarë qytetarët shqiptarë, të mbajnë në tryezat e tyre të përditshme Progres-Raportin e Komisionit të Bashkimit Evropian dhe të përcjellin procesin në mënyrë aktive. Aty janë shkruar e zeza mbi të bardhë “Kapitujt” nëpër të cilët do të ecë procesi i negociatave për anëtarësim. Çdo kapitull i adoptuar në legjislacion, i menaxhuar administrativisht dhe i implementuar në praktikë, prodhon standardin evropian në fushën e dhënë, çka do të thotë një kapitull i lënë pas dhe një hap i bërë përpara drejt standardizmit evropian të vendit. Ne të gjithë do t’i ndjejmë sfidat kapitull pas kapitulli, por njëkohësisht, do të ndjejmë edhe rritjen e besimit, kënaqësinë e përjetimit të progresit mbi jetën e çdo individi dhe në çdo aspekt. Tanimë, Shqipëria hyn në një proces cilësor. Cilësia do pak durim, por është garancia absolute për progres. Në udhëheqje të këtij procesi kërkohen kapacitete shumë të larta e të përkushtuara njerëzore në çdo strukturë dhe në çdo sektor.

– Profesor, a mund ta quajmë dhënien e statusit edhe si fillimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE?

– Nuk mund t’i djegim etapat nëpër të cilat nevojitet të kalojmë.Statusi kandidat përcakton me vendim konsensual të 28 shteteve të BE-së përkufizimin se Shqipëria meriton të jetë në paradhomën e antarësimit të plotë. Hapja e negociatave është çështje kohe të limituar. Natyrisht, ne lypet të dëshmojmë vendosmërinë tonë për të realizuar kriteret që na kërkohen, sepse në fakt janë standarde që na nevojiten së brendshmi. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë që shumë shpejt të arrijmë të hapim negociatat për anëtarësim. Këmbëngul se është momenti për arritjen e një pakti konsesual gjithëpërfshirës e mbarëkombëtar sepse tanimë kemi vetëm një axhendë, madje të detyruar për të gjithë.

– Nga cilët faktorë vendas dhe ndërkombëtarë do të varet kohëzgjatja e negociatave deri në anëtarësimin e Shqipërisë në BE?

– Më së shumti do të varen nga ne, në kuptimin e të dëshmuarit të vullnetit dhe kapacitetit të plotë për realizimin e standardeve dhe kritereve të rekomanduara nga BE, Komisioni dhe Këshilli Evropian. Them “të dëshmuarit të vullnetit dhe kapacitetit”, sepse mendoj se kemi një asimetri të thellë midis tyre. Kjo asimetri lypet të shndërrohet në simetri: Vullnet-kapacitet.

– Sipas jush, cilat hapa të para duhet të ndërmarrë politikëbërja në Shqipëri, për të përgatitur fazën e fillimit të negociatave për anëtarësim?

– Politikëbërësit maxhorancë-opozitë nevojitet të bëjnë vetëm një hap, atë në drejtim të afrimit e bashkëpunimit me njëri-tjetrin, me qëllim për të njësuar axhendat politike në përputhshmëri me detyrimet për hapjen sa më parë të negociatave për anëtarësim. Ky proces do të shpalosë si në skaner axhendat reale politike të maxhorancës e opozitës, do të bëjë dallimin midis vullneteve dhe kapaciteteve të tyre reale nga retorikat boshe dhe mediokriteti. Rruga drejt hapjes së negociatave për anëtarësim do të ndajë qartësisht dhe shumë shpejt ata që janë për evropianizim nga ato që janë për orientalizim; ata që kanë vullnet real nga ata që e kanë farsë e retorikë; ata që kanë kapacitet për kualitet evropian, nga ata që janë mediokër e të paaftë. Sa më shumë i afrohemi BE-së, aq më shumë skanohemi drejt një transparence kombëtare dhe ndërkombëtare.

– A mund të shpresojmë ne shqiptarët se këtej e tutje do të kemi një sjellje krejt ndryshe të politikëbërjes shqiptare?

– Jo menjëherë! Është pikërisht vijueshmëria e stereotipeve politike të vjetra që e bën të domosdoshëm që procesi të kalojë nëpër disa faza e të përballojë sfidat e evropianizmit. Edhe vetë BE-ja nuk i ka arritur menjëherë këto standarde e kritere që ka sot. Edhe vetë BE-ja, institucionet e saj, shtete të veçanta dhe liderë të shquar shtetesh kanë vuajtur nga stereotipet e së kaluarës. Dëshmi e këtyre stereotipeve është euroskepticizmi, ose eurofobia që herë pas here ulet e ngrihet në mjediset politike evropiane. Nga Traktati i Parisit 1951 deri te Traktati i Lisbonës 2007 kanë kaluar mbi gjashtë dekada përpjekjesh mbarëkontinentale në progres të pandërprerë që të arrihet projekti i sotëm i BE-së. Atë që BE-ja e ka arritur për 65 vjet, ne shqiptarët nuk mund ta arrijmë për pak vjet. Me rëndësi jashtëzakonisht të madhe është fakti që tanimë jemi pjesë e plotë e projektit madhor e të parikthyeshëm evropian. Jemi kthyer në Evropë. Jemi kthyer te vetvetja. E kemi modelin. Dimë çfarë duam. I kemi partnerët. Nevojitet vullneti. Kërkohen kapacitetet.

– Statusi kandidat i Shqipërisë, a i jep mundësinë BE-së që të mbikqyrë më nga afër edhe politikëbërjen në Shqipëri?

– Patjetër dhe është një gjë shumë e mirë. Rruga nga do të ecim e sfidat që do të duhet të përballojmë kalohen më mirë e më shpejt me monitorim të afërt të BE-së në Shqipëri. Nevojitet të mësohemi të jetojmë e të punojmë së bashku, si anëtarët e një familjeje të mirë.

– Maxhoranca ka nisur punën për reformën territoriale dhe ka premtuar edhe reformën në drejtësi, për të cilat deri tani opozita ka qasje krejtësisht të kundërt. Tashmë, si vend kandidat, a mundet që të tilla reforma të votohen vetëm me shumicën e kartonëve, pa konsensusin e gjerë?

– Bashkimi Evropian ka katër parime qeverisëse të sanksionuara edhe në Traktatin e Lisbonës: Legjitimitet, transparencë, llogaridhënie, gjithëpërfshirje. Këto parime kanë ngritur projektin e BE-së dhe këto parime afrojnë çdo vend drejt saj. Asnjë nga këto katër parime qeverisëse nuk mund të shkëputet nga tjetri dhe nuk mund të anashkalohet e aq më pak, të shkelet. Pyetja juaj lidhet me parimin e gjithëpërfshirjes, sepse këtu Shqipëria ka vuajtur si pasojë e konfliktualitetit politik patologjik. Faza në të cilën kemi hyrë në procesin e integrimit në BE, kërkon me çdo kusht të mbahet gjallë konsensusi dhe të funksionojë gjithëpërfshirja. Faktorët që janë kundër gjithpërfshirjes, në thelb janë kundër integrimit të Shqipërisë në BE, janë kundër Evropës, janë kundër të ardhmes evropiane të vendit tonë. Në këtë moment historik, nuk ka ekuivok: Ose jemi evropianë gjithëpërfshirës, ose jemi antievropianë përjashtues.

– Çfarë mund të kuptohet me reformim në drejtësi? Heqja nga postet drejtuese në sistemin e drejtësisë e gjithë atyre që nuk kanë mirëbesimin e maxhorancës, sikurse pretendon opozita?

– Këtu kemi shumë konfuzion. Më duket se kemi hyrë në një rreth të mbyllur pa dalje. Nga njëra anë kërkojmë pavarësinë e drejtësisë e nga ana tjetër kërkojmë ndërhyrje nga jashtë për reformimin e saj. Ndarja e pushteteve parimisht i heq çdo të drejtë reformimit të drejtësisë me ndërhyrje nga jashtë sistemit, por kur vetë sistemi nuk vetëreformohet, nevojitet strategji daljeje. Kjo strategji nuk bëhet nga agjenci të veçanta, por vetëm nëpërmjet sistemit nga brenda dhe Parlamentit, me masa ligjore. Nga tërësia e institucioneve, vetëm Parlamenti ka legjitimitetin e sovranit për të reformuar edhe sistemin e drejtësisë. Pra, reforma në drejtësi është sfidë dyfishe e vetë sistemit të drejtësisë dhe e Parlamentit Shqiptar. Vullneti politik i ndihmon të dy këta institucione, ua lehtëson rrugën për reformim. Reforma në drejtësi nuk ka të bëjë thjesht me emra, por nuk realizohet as pa ndryshime emrash.

– Edhe pse ka një vit qeverisje, maxhoranca e majtë ende nuk ka hedhur asnjë hap konkret në luftën ndaj korrupsionit, përderisa asnjë zyrtar i lartë nuk ka shkuar në gjyq. Është prokuroria e gjykata që fajësohen, apo ka munguar, si deri tani, vullneti politik?

– Ne e shikojmë procesin nga jashtë, kemi pak e aspak akses informimi të brendshëm, por nga ato që dëgjojmë e shohim në media, vërehet një veprim i maxhorancës për të konkretizuar denoncimet nëpërmjet akuzave të dërguara në prokurori. Se ku ecën dhe ku ngec ky proces, e kam të pamundur ta identifikoj nga jashtë. Lehtësisht i identifikueshëm është fakti se nuk ka dënime të korrupsionit të profileve të larta. Kaq mjafton për të kuptuar se sistemi: Denoncim, akuzë, ndëshkim, nuk funksionon. Pasoja është pandëshkueshmëria e korrupsionit në nivele të larta. Mendoj se ka një mpleksje të vullnetit të pamjaftueshëm politik dhe efikasitetit të pamjaftueshëm të drejtësisë. Nga tranzicioni i gjatë i së keqes, të dyja palët, politika dhe drejtësia, janë familjarizuar me të keqen. Kjo e bën të domosdoshme reformën.

– A mund të quhet rënia e “republikës” së mariujanës në Lazarat, prologu i rivendosjes së sundimit të ligjit në Shqipëri?

– Unë nuk i preferoj metaforat, sidomos në politikë, sepse nga natyra krijojnë dykuptimësi. A ishte Larazati “Republikë”, apo ishte “në Republikë”?! Unë mendoj se është kjo e dyta. Lazarati ka qenë në Republikë. Ka nisur lulëzimin për prodhimin e trafikimin e drogës nga vitet ’98 fare hapur. Ka operuar në mjedisin shtetëror në mënyrë të dukshme. Është drejtuar nga qeverisja vendore legalisht. Ka qenë i identifikuar nga qeverisja qendrore zyrtarisht. Është demaskuar disa herë ndërkombëtarisht. Të gjitha autoritetet dhe institucionet përkatëse e kanë ditur mirë. Të gjitha autoritetet dhe institucionet përkatëse janë pajtuar me dëshirë. Lazarati ishte simbioza e shtetit me të keqen, ishte kapja e shtetit nga trafikantët lokalë e mafia rajonale, ishte modeli i damkosjes së kombit shqiptar. Ishte fabrika e traumatizmit të shoqërisë shqiptare. Ishte vatra e prodhimit të dhunës në jetën e vendit. Ishte makineria e lartë e krimit. Ishte dëshmi e korrupsionit. Ishte gjeneruesi i larjes së parave. Ishte prishja e moralit njerëzor dhe cënimi tragjik i humanizmit në shoqëri. Lazarati ishte modeli më i keq se si nuk duhej orientuar shoqëria shqiptare. Rrënimi i kësaj vatre kancerogjene është një kontribut historik i qeverisë dhe i forcave të rendit, që do të mbahet mend gjatë në memorien shqiptare e ndërkombëtare. Mbi të gjitha, u prish modeli i së keqes. Është prova më serioze që, kur ka vullnet, ka zgjidhje. Kur jepet zgjidhje, fillon sundimi i ligjit. Ndërtimi i modelit të së mirës ka të bëjë me vijimin e zbatimit të ligjit kundër prodhimit e trafikimit të drogës kudo ku ka raste të tilla, por paralelisht edhe me projektet zhvillimore në Lazarat dhe në mbarë Shqipërinë. Nuk duhet lënë vakum zhvillimor, sepse e keqja instalohet sërish.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Bora Zemani, nga AS në TV Klan: "Kishte ardhur momenti…"

Next Post

Gazmend Paja, pas “Portokalli”, në një serial komik Ky është fati im!

Advertisement