– Dr. Valdete, përshëndetje! Jam një 55 vjeçare që vuaj nga gastriti. Në fakt, gastritin e kam patur që në rini. Jam operuar nga tumori i zorrëve të holla në vitin 2003 dhe në 2005-n kam hequr tëmthin. Kam përdorur kundër gastritit vetëm ranital kokërr ose ampulë dhe jam lodhur nga këto mjekime. Tani, përdor vetëm sodë buke. Doja të dija, a më dëmton soda? Si duhet ta pi këtë pluhur të bardhë që shpeshherë më shpëton nga dhimbjet e barkut?
Dr. Valdete Malaj, gastro-hepatologe: – E nderuar paciente, nuk duhet që të pini absolutisht sodë buke, pasi përdorimi i saj për një kohë të gjatë, shoqërohet me efekte anësore dhe më e rëndësishmja është që soda nuk është preparat mjekues. Ju, aq më tepër që keni kryer një operim të tillë duhet të jeni vazhdimisht në kontakt me mjekun gastro-hepatolog. Për shqetësimet e stomakut duhet që të bëni një ekzaminim gastroskopik për t’u diagnostikuar dhe për tu trajtuar me korrektësi më pas.