Edhe pse në Shqipëri askush nuk e ka dëgjuar emrin e tij, në Greqi, ai është shumë i njohur. E kemi fjalën për Ilia Bucin, balerinin shqiptar që publiku grek e ka ndjekur në katër edicionet e fundit të “Dancing with the stars”, organizuar nga TV Antena. Veç kësaj, ai është shumë i vlerësuar edhe nga kritika greke si një talent me të ardhme në fushën e kërcimit dhe një mjeshtër i vërtetë i artit koreografik. Siç shprehen ekspertët grekë, “kur kërcen Ilia, nuk lëvizin vetëm gjymtyrët, por në rezonancë me to, lëviz e gjithë qenia e tij, mimika, ndjenjat, bota shpirtërore. Tek Ilia bashkohen në një të vetme, brenda një galaktike, të gjithë elementet fizikë, emotivë e shpirtërorë të baletit, duke e bërë atë një mjeshtër të këtij arti të bukur. Për të gjitha këto, sot ai është jo vetëm një balerin i njohur, por edhe mësues i suksesshëm baleti në shkollat më të njohura të Athinës. Ai ka kërcyer edhe në shumë pista të vendeve evropiane si në Francë, në Gjermani, në Zvicër, në Itali etj.
Agron Berdaj: – Ilia, faleminderit që e pranove ftesën tonë për një intervistë…
Ilia Buci: – Është kënaqësi për mua të shprehem për gazetën “Intervista”, tepër e këndshme dhe e dashur, veçanërisht për brezin e ri.
– Na thuaj dy fjalë për veten… Së pari, nga ç’vend i Shqiperisë je?
– Origjina ime është nga Lura, që më frymëzon vazhdimisht me bukuritë e saj magjepsëse. Duket sikur na ka dhënë të gjithëve diçka nga vetja e tij ai vend. Të shtatë liqenet që e përbëjnë, gjelbërimi i përjetshëm, kaltërsia që reflekton uji i pastër etj. më krijojnë idenë se ai është një vend i shenjtë mitologjik, se aty është qendra e botës. Pa dyshim, nëse sot jam artist, jam në saje të vendlindjes sime…
– Si iu fute rrugës së baletit?
– U jam mirënjohës prindërve të mi që më nxitën qysh në fillim, por jo më pak edhe mësuese Paulës e cila bëri gjithçka që unë t’i futesha rrugës së baletit. Ajo vinte shpesh në tavernën ku unë punoja si kamerier dhe bënte kërcime në bazë të një programi të veçantë. Një ditë, ajo më pa duke kërcyer dhe më kërkoi të vazhdoja shkollën e baletit, pasi shikonte që unë kisha prirje në këtë fushë. U regjistrova në shkollën e saj dhe kështu, nisa rrugën e baletit…
– Këtë herë, për të katërtin vit radhazi more pjesë në spektaklin “Dancing with dhe stars”, organizuar nga televizioni grek Antena. Si shkove aty?
– Fillimisht, kur u organizua për herë të parë ai kompeticion, u bë një garë seleksionuese ku në juri ishin koreografët më të mirë të Greqisë. Nga njëqind pjesëmarrës në këtë garë, u përzgjodhën gjashtëmbëdhjetë e mes tyre isha edhe unë. Më pas, Antena më ftoi të isha pjesë e spektaklit…
– Publiku të mban mend, përveçse prej kërcimeve të bukura, edhe për paraqitjen dinjitoze në shoqërimin e prezantueses të këtij shou, Dukisia Nomiku. Ajo është një konteshë e vërtetë, por edhe ti ishe një kont lozonjar në atë kërcim…
– Vallëzimi me të ishte vërtet diçka e bukur. Për mua, ishte vlerësim sepse ishte ajo që më zgjodhi si partner. “Me ty, më thoshte, ndjej më tepër siguri.”
– Pas përfundimit te spektaklit, a i mbani lidhjet me partnerët tuaja?
– Po, dhe jo vetëm lidhje miqësore; edhe lidhje pune. Ja, me partneren e fundit, këngëtaren e mirënjohur Katerina Stikudhi, do të bëjmë edhe videoklipin e saj të ri. Unë jo vetëm që do të kërcej, por edhe do të përgatis të gjithë koreografinë e videoklipit. Veç kësaj, tashmë Katerina është dashuruar marrëzisht me kërcimin, ndaj më ka kërkuar mësime të veçanta në gjini të ndryshme të baletit.
– Gjithë pjesëmarrja në atë shou ishte kënaqësi, besoj…
– Ishte vërtet kënaqësi e privilegj i madh, sepse pak njerëzve u jepet mundësia të shfaqin vlerat e tyre artistike në një kanal televiziv të tillë si Antena, por është edhe një lodhje e sakrificë e madhe sepse në ato 16 javët e spektaklit duhet një punë gati stërmunduese. Mos harroni se veç 7-8 orëve në ditë punë me partneren, duhej ndjekur edhe programi i mësimdhënies në shkollat ku jap mësim.
– Le të mbetemi pak te “Dancing with dhe stars” ku ju keni qenë pjesëmarrës i suksesshëm. Në ndonjë rast të krijohej përshtypja se nga juria ishte i paravendosur rezultati se kush do të fitonte. Cili është mendimi juaj?
– Zëra të tillë ka patur vërtet edhe midis konkurrentëve, por nuk është aspak e vërtetë. Juria ka qenë gjithmonë objektive dhe i dha çdokujt atë që meritonte. Në balet, si edhe në fusha të tjera, ka kritere profesionale e teknike të cilat vlerësojnë punën e gjithësecilit. Baleti nuk është thjesht gjimnastikë, por një fushë më e gjerë, ku veç lëvizjeve, ritmit e veprimeve akrobatike, rol të veçantë ka edhe bota shpirtërore, se si përjetohet nga kërcimtari pjesa apo drama mbi të cilën ndërtohet koreografia, muzika e zgjedhur, kostumet etj. dhe këto gjëra, shpesh, nuk kuptohen apo vlerësohen nga publiku i gjerë. Pastaj, nuk duhet harruar se i gjithë spektakli monitorohet edhe nga avokatë që nuk lejojnë të shkelen rregullat e vendosura dhe garantojnë transparencë të plotë.
– Pra, ju konfirmoni plotësisht se spektakli nuk është një skenar i parapërgatitur, por garë e vërtetë?
– Kur e sheh “Dancing with the stars” nga jashtë, mund të krijohet përshtypja se gjithçka në të ecën sipas një skenari të caktuar, apo se mes çifteve ka vetëm paqe dhe aspak konkurrencë. E vërteta është krejt ndryshe. Mes nesh kishte shumë frymë gare, luftë për titull dhe ambicie për të fituar. Natyrisht, kemi të bëjmë me ambicie pa cmirë, nuk kemi luftë të pamoralshme e pa principe, ndaj edhe gara në këtë spektakël bëhet tërheqëse dhe tepër konkurruese.
– Ke dëshirë të kërcesh në pistat shqiptare? E njeh baletin shqiptar?
– Kam dëshirë, por më duket se nga institucionet përkatëse shqiptare nuk ka iniciativa për t’i njohur dhe evidentuar artistët shqiptarë jashtë vendit, për të organizuar veprimtari të ndryshme ku të shkëmbehen vlerat dhe përvojat mes nesh. Shpresojmë që kjo punë do të bëhet më mirë në të ardhmen. Edhe ne kemi nevojë për vendin tonë, por edhe ai ka nevojë për ne…
– Me gjithë këtë talent dhe përvojë në fushën e kërcimit, a mendon të kesh shkollën tënde të baletit, ashtu si shqiptarja tjetër në Athinë, Klodiana Stoja?
– Në të ardhmen, edhe mundet, por tani ndihem më mirë si mësimdhënës në shkollat e tjera. Kam mjaft punë si në mësimdhënie dhe në veprimtari të tjera.
– Ilia, ora është një pa dy minuta dhe nxënësit po ju presin për mësim…
– Po, ashtu është. Me nxënësit duhet të jem korrekt, por po kaq duhet të isha edhe me lexuesit e gazetës “Intervista”, të cilët, përmes kësaj interviste, dua t’i përshëndes dhe t’u uroj lumturi e fat.