Prej më shumë se një dekade është pjesë e pandarë e spekaklit më të dashur të humorit në Shqipëri, “Portokalli”, por edhe tani qe sezoni mbaroi, Gaz Paja nuk do t’i mungojë ekranit. Së shpejti, ai do të vijë me një rol të ri në një serial televiziv, për të cilin nuk dëshiron të zbulojë shumë, që të mos shuajë kureshtjen e shikuesve. Gazi nuk duket të jetë fanatik vetëm në impenjimin e tij të ri profesional. Ai vazhdon të qëndrojë hermetik në zbulimin e informacionit për jetën personale, duke u munduar ta mbajë të fshehtë lidhjen e tij disavjeçare… ndërsa për projektin e tij më të ri, nis të rrëfejë…
– Gazi, vetëm prej pak kohësh mbyllët një edicion, si gjithnjë të suksesshëm, të spektaklit “Portokalli”. Si e mbylle ti personalisht këtë sezon?
– Si çdo punë e shpejtë, por cilësore, edhe ky sezon pati vështirësitë e veta. Kishim karaktere të reja që duheshin siguruar për vazhdimësinë, megjithatë, kjo nuk ka qenë pengesë për t’i sjellë publikut atë që pret.
– Sa i kënaqur je me pritshmëritë e tua? A shkoi gjithçka si duhej apo do të kishe dashur të kishe sjellë të tjera personazhe, të tjera materiale?
– Pse pyet, je e pakënaqur nga çfarë ke parë në ekran? Bëj shaka. (Qesh) E mira s’ka fund, por unë jam i kënaqur me punën time. Përsa u përket personazheve, unë kam sjellë mjaftueshëm, besoj. Eksperienca në punë më ka bërë ta menaxhoj krijimtarinë time dhe ta jap në momentin e duhur.
– Të shumtë janë ata që të ndjekin me ëndje të dielave mbrëma. Për të gjithë ata, kemi një lajm të mirë: Ti mbylle një kapitull spektakli humori për të nisur një të ri, por këtë herë në një serial. Na zbulo diçka rreth këtij projekti… sa seri do të ketë, cili do të jetë subjekti i tij?
– Po, është një projekt i Digitalbit me regji të Altin Bashës, ku unë do të jem me kolegët e mi: Besart Kallakun dhe Florian Binajn. Është bashkëpunim me aktorë të Kosovës dhe kam kënaqësinë e madhe të na bashkohen dhe Stupcat e Famshëm: Vedati, Osmani dhe Mensuri.
– Të ndihmon fakti që jeni mes kolegësh?
– Shumë. Është staf i paparë! Kemi disiplinë para kamerave dhe paralelisht, kemi një “film” të dytë jashtë kamerave. Ky film shitet shumë shtrenjtë… (Qesh)
– Cili do të jetë roli yt?
– Informacion i rezervuar.
– Çfarë bën për t’u përshtatur me çdo rol e karakter që të jepet? Si futesh nën lëkurën e personazhit?
– Bëj shumë gjëra, madje shpesh veproj edhe në jetë si personazhet, për të bërë prova, kuptohet; kaq pak kohë kemi për premierën e radhës. (Qesh)
– Sa e vështirë është të punosh paralelisht për “Portokalli” dhe për këtë impenjim të ri? A të mbetet kohë për veten, me gjithë angazhimet që ke?
– E vështirë është, por ky është fati im: Të vrapoj! Më pëlqen puna ime dhe e bëj me shumë dashuri. Do jem gjatë në pistë…
– Cili është mesazhi i telenovelës gazmore, krahas argëtimit?
– Të jemi qytetarë të mirë.
– Teksa ti në jetën profesionale ecën pa u ndalur, gjithnjë suksesshëm, hapat në jetën personale ku kanë ndalur? Dimë shumë pak për jetën tënde private. Do na zbulosh ti diçka më shumë?
– Kur të vendos të bëj publike informacione private, ti do të jesh e para që do t’i mësosh.
– Në një prej materialeve të tua, në dyshen me Salsanon, ke sjellë një batutë: “Jam artist moj, mos më shqetëso” teksa performoje në skenë. Sa e vështirë është të kuptohet një artist si ti? A i mirëkupton “ajo”, orët e tua të gjata të punës?
– Riskun e punës sime të bukur e merr familja, ashtu si edhe për çdo artist, ndaj insistoj të mos i bëj pjesë të mediave për ca kohë.
– Po hapin e madh të jetës, kur ke vendosur ta bësh? Apo në këtë pikë nuk ka plane, gjërat do të rrjedhin natyrshëm?
– Jeta ime është vetëm me plane të mëdha! (Qesh)
– Çfarë të pëlqen të bësh më shumë kur nuk punon? Si e ndan kohën tënde të lirë?
– Mua më pëlqen të udhëtoj shumë, por për shkak të punës, udhëtoj shpesh dhe kjo dëshirë plotësohet disi.
– Kur të mbarojnë xhirimet e serialit, pa dyshim, do të mendosh edhe për pushime… pas një sezoni kaq të ngarkuar. Ku do të stacionohesh këtë vit për t’u qetësuar?
– Aq pak kohë sa më mbetet, më pëlqen të pushoj totalisht në forma të ndryshme. Megjithëse është shumë pak koha e pushimit… Ende asnjë plan konkret për këtë vit, për shkak të impenjimeve.