E ka pasion muzikën dhe vjen në tregun muzikor në bashkëpunim me Anonimos, me klipin “Unë e kom”. Kush është Eva dhe pse zgjodhi pikërisht këtë moment për të sjellë këngën e saj, cilat janë projektet e saj dhe çfarë do të tregojë ajo që në titullin e këngës së saj?! Ju mbetet vetëm të lexoni intervistën që kemi përgatitur me të…

 

Fabjola Kuburi: – Përshëndetje! Do të na tregosh pak kush është Eva, ku ka qenë deri tani dhe si iu fut botës së muzikës?

Eva: – Përshëndetje!Unë jam marrë me muzikë dhe me balet që e vogël, që në klasë të parë; muzika ka qenë pasioni im më i madh. Kam qenë shumë aktive në aktivitetet artistike në shkollë. Më pas u shkëputa sepse familja ishte kundër, por fshehurazi kam marrë pjesë në koncerte për fëmijë në Shkodër e në Athinë. Në moshën 15 vjeçe u riktheva në skenë dhe e vazhdova me përkushtim. Edhe pse me vështirësi, ia dola! U bënë 7 vjet që këndoj live, fare pak në Shqipëri dhe më pas, vetëm jashtë vendit.

– Ja ku vjen me “Unë e kom”, në bashkëpunim me Anonimos. Si lindi ky bashkëpunim?

Të them të drejtën, ka qenë një rastësi. Me Anonimus jemi miq; ai është një reper i njohur kosovar dhe më ftoi të bashkëpunonim për këtë këngë, sepse i pëlqente stili im i të kënduarit e interpretimi. Kështu u realizua “Unë e kom”, e cila është pëlqyer goxha, që në ditët e para të lançimit.

– Pse ky titull? Çfarë ka Eva?

Faktikisht, idetë kanë qenë të gjitha të Anonimus, duke parë edhe karakterin tim shpërthyes… Unë jam natyrë aktive, nuk hyj te femrat që bëjnë si delikate! (Buzëqesh) Ai kërkoi mendimin tim dhe unë i thashë se nuk jam në stilin e këngëve me vuajtje e melankolike. Unë jam te ritmi, tek alegria dhe kështu, me aprovimin tim dhe mendimin e tij realizuam “Unë e kom”.

– A ishe e sigurtë në suksesin e këngës dhe klipit?

Unë kam besim te vetja dhe jam goxha e sigurtë në gjithçka që bëj. Nuk po them 100%, por 90% isha e sigurtë që do të kishte sukses si këngë dhe si klip. Si fillim nuk është keq, apo jo?

– E mban mend daljen tënde të parë në skenë?

– Po, kam dalë në moshën 7 vjeçe, në Lezhë, me këngën “A vritet pafajësia”, në një festival për fëmijë, ku fitova edhe vendin e parë.

– E ke arritur suksesin që ke dëshiruar kohë më parë?

– Ky është vetëm fillimi dhe kam akoma shumë për të bërë, por fillimi i mbarë është gjysma e punës. Kërkoj më shumë dhe do të arrij më shumë në të ardhmen; për këtë jam e sigurtë.

– Si është 24-orëshi i Evës?

– Jo të gjitha ditët janë njësoj. Kur jam jashtë Shqipërisë, nata është punë sepse këndoj live. Gjysma e ditës pastaj është gjumë, por edhe pse lodhem shumë, nuk e ndjej veten të lodhur, jam njeri që dua dhe dal shumë të shëtis! Kur jam këtu, jam akoma më e ngarkuar sepse vij me idenë për të pushuar dhe koha e shkurtër është shumë e ngjeshur me takime e punë, nuk di çfarë të bëj më përpara.

– Pushimet më të bukura që ke bërë?

Në Monako, para 6 vjetësh.

– Po këtë verë, ku do t’i bësh?

– Këtë verë kam shumë plane, kam zgjedhur dy vende, Turqinë tek “Adami dhe Eva” dhe kam dëshirë të shkoj edhe në Spanjë.

– Me kë do t’i bësh këto pushime?

– Me shoqërinë, vetëm me shoqërinë!

– Kjo do të thotë që në portën tënde të dashurisë nuk ka trokitur akoma njeri?

– Jo, kjo do të thotë që nuk duhet t’i dini të gjitha që tani. Për këtë, do flasim në intervistën tjetër! (Buzëqesh)

– A e konsideron fat pamjen tënde, apo do të më thuash si të gjitha: “Pamja të ndihmon, por nuk është gjithçka”?

Do them edhe unë atë që kanë thënë ato; mendoj se bukuria të ndihmon goxha, por nuk është gjithçka.

– Muzika është po aq e bukur sa edhe e vështirë. Ti vetë, ku e sheh të bukurën dhe ku, të vështirën?

– Vetë muzika është e bukur në të gjitha aspektet. E vështira është se duhet shumë punë për të arritur atë që synon ose atë që ti vërtet dëshiron të realizosh në muzikë. Nuk është e lehtë të bësh muzikë të mirëfilltë, por kjo vështirësi të jep kënaqësi me rezultatet që arrin.

– Cila është mënyra më e mirë për të nisur një ditë të re?

– Duke kënduar. (Buzëqesh) Mirë është ta nisësh me mendimin për të parë përpara dhe asnjëherë pas.

– Kush e përbën familjen tënde?

– Babi, mami, vëllai më i vogël dhe unë. Jemi familje e vogël, por e dashur dhe e bukur.

– Udhëton vetëm apo me shoqëri?

– Udhëtoj shumë dhe zakonisht, me shoqëri. Shumë pak udhëtoj vetëm.

– Je nga ato vajzat që zgjedhin apo nga ato që presin të jenë të zgjedhura?

– Të dyja bashkë.

– Eva, je xheloze?

– Në përgjithësi, jam. Gjërat e mia janë vetëm të miat. (Buzëqesh)

– Sa e sigurtë ndihesh në vetvete? Çfarë të bën të ndihesh e tillë?

– Ndihem shumë e sigurtë. Kur e nis diçka, e mendoj shumë mirë dhe e di se hapat që do të hedh janë të sigurta. Nuk jam mësuar të dështoj. Edhe pse ka gjithmonë një herë të parë, karakteri im i fortë më ka bërë që t’ia dal mbanë në çdo situatë.

– Sa arrin të ndjekësh trendet e reja të modës?

– E ndjek jashtëzakonisht shumë. Jam koherente me modën.

– Cili ka qenë harxhimi i fundit për veshje?

– Nuk e di sa mund të quhet shpenzim i madh, por vetëm para tre ditësh kam porositur fustanet e klipit të ri dhe më kanë kushtuar 3000 euro. Këto, vetëm për fustane, pa llogaritur të tjerat.

– Dukesh që je shumë e angazhuar. A gjen kohë të lirë për shoqërinë, veten e familjen?

– Jam njeri që i planifikoj gjërat dhe gjej kohë për gjithçka e për të gjithë, aq më tepër për familjen dhe shoqërinë, që janë shumë të rëndësishëm për mua!

– Cila është gjëja e parë që të vjen në mendje sapo hap sytë në mëngjës?

– Hap sytë dhe gjëja e parë që mendoj është të falënderoj Zotin që jam mirë, që familja ime është mirë dhe që jam këtu ku jam. Pastaj, ndjek moton “merre jetën si të vijë sepse është shumë e bukur për të mos e jetuar”!

– Sa e pëlqen jetën e natës?

Më pëlqen shumë dhe pse jo edhe ta frekuentoj, por angazhimet nuk ma lejojnë të dal shumë.

– Si e shikon ti një djalë, me sytë e tu?

Si fizik, më pëlqen të jetë brun, jo shumë i gjatë, nuk e dua shumë muskuloz. (Qesh) Shkurt, e kam të pikturuar në mendje. (Buzëqesh)

– A është romantike Eva dhe cili ka qenë gjesti më romantik që ke bërë ndonjëherë?

– Jam romantike dhe më pëlqen romanticiteti. Gjeste kam bërë si të gjitha femrat, që kanë qejf trëndafilat, darkat me qirinj e kështu me radhë. (Qesh)

– Shoh që ke shumë tatuazhe… Do të na tregosh çfarë kuptimi kanë?

Është e vërtetë, kam shumë tatuazhe, kam plot 11 të tillë. Secili tatuazh ka kuptimin e tij, por po ju tregoj kryesorët: Kam një për familjen time, kam një tjetër me mbishkrimin “Only God can judge me” (Vetëm Zoti mund të më gjykojë). Kam një tjetër “Fashion” që tregon sa e dua modën, kam një pistoletë që tregon karakterin tim të fortë dhe shumë të tjera, por këto janë më kryesoret… (Buzëqesh)

– Cila është ajo gjë që vlerëson më shumë te vetja?

– Karakteri i fortë, por edhe zemra e madhe që kam. Nuk dua të shoh njeri keq, dua që të gjithë të jenë mirë.

– Çfarë muzike dëgjon për qejfin tënd?

– Për qejfin tim, të huajat, por edhe muzikën e lehtë shqiptare. Është ajo që më fle në zemër më shumë.

– Një këngëtar shqiptar që të pëlqen shumë…

– Getoari, është i kompletuar si reper. Më pëlqen shumë.

– Çfarë e bën të lumtur dhe çfarë e nervozon Evën?

– Më bëjnë të lumtur gjërat e bukura që më kënaqin shpirtin, zemrën, syrin. Më nervozojnë gënjeshtrat, padrejtësitë dhe kur dikush mundohet të përfitojë nga të mirat e mia.

– E ke pasur ënderr të jesh e njohur në publik?

– E kam patur dhe po e realizoj.

– Facebook-u është bërë një urë komunikimi sot në gjithë botën. Sa e lidhur je me të?

– Nuk i kushtoj shumë vëmendje, por është mënyra më e mirë për komunikim e për kontakte pune, sepse jo të gjithë mund t’i mbash në telefon. Është një mënyrë e mirë për të komunikuar.

– A mund të ndikojë shoping-u në humorin tënd?

– Jashtëzakonisht! Jo 100%, por 200%!

– A mund të blihet çdo gjë me para?

– Jo, nuk mund të blihet familja, lumturia, dashuria! Materiali blihet, ndjenja jo!

– Të të bëj një pyetje inteligjence? Sa këmbë kanë gjithsej një mi e tre pula?

– Sa pyetje e lezetshme! Atëhere, një mi dhe tre pula kanë 10 këmbë, sepse një mi ka katër këmbë, tre pula nga dy këmbë bëjnë gjashtë, kështu që katër plus gjashtë, bëjnë dhjetë. Faleminderit. (Qesh)

– Sa e shpërblyer ndihesh në planin profesional? Po në atë personal?

– Në përgjithësi, ndihem e vlerësuar… Deri këtu ku jam, ndihem shumë e vlerësuar. Në të ardhmen, shpresoj të vlerësohem edhe më shumë.

– Në fund, na trego ndonjë sekret që ta dimë vetëm ne…

Herës tjetër. (Qesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *