– Kam një pyetje për vizat amerikane. Kam aplikuar para disa kohësh tek USAGC Green Card Services dhe më kanë dërguar përgjigje me email për marrjen e green card vitin tjetër, duke më kërkuar një pagesë të vogël. A është e vërtetë që kërkojnë tarifë apo është mashtrim? Gjithashtu, dua të di, a është mundur ta marr vizën për në SHBA? A jam ende në kohë për lloton DV-2015? Një lexues i rregullt.
U.S.Embassy-Tirana: – I nderuar zotëri, Konsullata këshillon të jeni shumë të kujdesshëm kur bëni aplikimin, sepse mund të bini shumë lehtë viktimë e mundshme e skemave të mashtrimit në internet për vizat e shumëllojshme amerikane. Nuk duhet të harroni që të gjitha tarifat në lidhje me vizat janë publike dhe të postuara në faqen tonë të internetit, në bazë të llojit përkatës të vizave.
– Nëse po i referoheni Programit të Vizave të Shumëllojshme, ju lutem mbani mend se aplikantët e suksesshëm DV njoftohen nga Departamenti i Shtetit, Qendra Konsullore Kentucky (KCC) me shkrim! KCC-ja këshillon se si të vazhdoni me procesin dhe nuk ju kërkon para nëpërmjet postës elektronike ose ndryshe, jashtë tarifave të publikuara në internet. Do t’ju lutemi si juve, ashtu edhe çdo lexuesi tjetër që t’i dërgoni emailet që ju vijnë dhe që keni marrë nga këta individë te tiranausconsulate@state.gov. Për ata që kanë aplikuar për DV-2015, njoftimi zyrtar i pëzgjedhjes është bërë online përmes Kontrollit të Statusit të Regjistrimit në dispozicion që nga data 1 maj 2014 në faqen e internetit të DV. Periudha e regjistrimit për aplikimet e programit DV-2015 ishte nga data 1 tetor 2013 deri më 2 nëntor 2013. Pra, siç e shikoni, faza e pranimit të aplikimeve për DV-2015 ka mbaruar. Për më shumë informacion dhe që të jeni më i qartë në atë çfarë kërkoni, mund të hyni në faqen zyrtare: http://albanian.tirana.usembassy.gov/dv.html dhe te faqja e internetit të Programit të Vizave të Shumëllojshmërisë.
Pregaditi faqen: V.V.