Kaso Kosa: – Para një muaji e ca, ju thatë se do të nisin disa procese që do ndryshojnë fatet e Shqipërisë. Ishte vetëm për t’u hedhur hi syve atyre të Perëndimit apo vërtet do të ndjekim procese të bujshme?

Adriatik Llalla: – Ishte thjesht një bllof dhe unë, në këtë fushë, jam mjeshtër. Edhe në lojën me letra, kundërshtarëve të mi u bëj aq bllofe sa më kanë zili, sidomos kur luaj me Arben Ristanin, që është edhe ai mjeshtër bllofesh. Por, e vërteta është se në fund të muajit maj, mua më thirri Edi Rama dhe më kërkoi një nder: Të bëja një deklaratë të bujshme në shtyp që të ndikonte pozitivisht në marrjen e statusit. Kur unë i thashë se kjo gënjeshtër imja do dilte brenda një kohe të shkurtër, ai më qetësoi duke më thënë se kryesorja ishte të hidhnim lumin me ata të Evropës, pa mbi mua nuk do të binte asnjë përgjegjësi. “Deklarata jote, do të jetë gur themeltar për pranimin tonë në BE, më tha, sepse pika jonë më e dobët përballë europianëve, është drejtësia. Vetë Kancelarja Merkel ma kërkoi vendosjen e drejtësisë në rrugë të drejtë, ndaj po ta kërkoj këtë nder. Bëje për interesat e larta të atdheut”.

– Sipas kësaj që thoni ju, nuk kemi për të parë asnjë politikan në bangën e të akuzuarve?

– Nuk e kuptoj se si doni të shikoni politikanë që të dënohen! Si mund të vihet një politikan nën akuzë kur në fakt, secilit prej tyre i bie bretku duke punuar për atdheun e për popullin natë e ditë? Për interesat e larta të atdheut, edhe rrihen me shkelma, me grushta, madje edhe me rripa mesi, siç ka ndodhur disa herë me politikanin brilant Gent Strazimiri. Cilit prokuror do t’i bënte zemra të vinte nën akuzë një deputet, ish-deputet apo ish-ministër? Vetëm këtu në Shqipëri ka kërkesa të tilla jashtë logjikës normale, për të denuar njerëz që udhëheqin kombin…

– Pse vetëm në Shqipëri? Prokurori i Parisit jo vetëm e mori si të pandehur ish-Presidentin Nikolas Sarkozi, por edhe e mbajtën mbi 15 orë në hetuesi, si të akuzuar për korrupsion.

– Asgjë nuk paskeni kuptuar nga loja e reklamës! Unë fola personalisht në telefon me zotin Faleti dhe, e dini se si më tha? “Nuk e mora unë nën akuzë, por ma kërkoi vetë zoti Sarkozi, në mënyrë që t’i bëjë një reklamë vetes, pasi ka mbi një vit që asnjë media nuk e përfill fare. Nga ana tjetër, duke dalë i pafajshëm, i ngre vlerat vetes dhe do të rikandidojë për President të Francës, pasi të ndërrojë edhe këtë grua që ka marrë tani”. Menjëherë më vajti mendja te ndërrimi i grave. Kam vënë re se shumë personalitete, kanë bërë karrierë në politikë, si këtu në Shqipëri, si jashtë, pasi kanë ndarë gratë e para dhe kanë marrë të dytën apo të tretën, siç është rasti me Nanon, me Ramën, me Berluskonin apo zotin Sarkozi.

– Pse, marrja nën hetim e zotit Gjin Gjoni të ketë qenë reklamë, po thoni?

– Pa dyshim, reklamë ishte. Nuk e patë se si pasi doli i pafajshëm për fshehjen e dy milion eurove, u vlerësua dhe u rivotua në Këshillin e Lartë të Drejtësisë? Madje, kur zoti Nishani mori vesh këtë historinë me Sarkozinë, më thirri në zyrë, larg syve të medies dhe më kërkoi që të hapja edhe për të një proces hetimi që t’i rritej fama, brenda e jashtë vendit…

– Do t’ia hapni zotit Nishani një proces?

– Jo, jo! Nuk pranova. Ia shpjegova zotit Nishani se nuk kam motiv, por ai këmbënguli dhe më rekomandoi si shkelje të Kushtetutës futjen e zotit Basha në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Atëhere i thashë se nuk më lejon ndërgjegjja të ngre akuzë ndaj njërit prej burrave më të shquar të kombit, edhe sikur ta di se do të më kushtojë postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Unë nuk do të ngre padi as kundër zotit Imami, që ka shitur armë kontrabandë, as për shumë ish-kuadro që kanë bërë shkelje sepse, edhe në i kanë bërë, për interesat e larta të atdheut i kanë bërë, i thashë prerë dhe ai u bind më në fund, por e pashë që ia theva zemrën.

– Po këto dosje të shumta që keni mbi tavbolinë, a nuk janë për ndjekje e hetim?

– Mos më pyet, se pikërisht këto dosje ma kanë prishur gjumin. Nuk janë vetëm këto, por edhe dhjetëra herë më shumë. Këta të majtët, sa erdhën në pushtet, vetëm padira kanë bërë për ish-pushtetarët. Paskan qenë të etur për dënime! Çdo ministër më ka sjellë nga 100 apo dyqind kallëzime brenda 9 muajve në detyrë. Vetëm ministrat e LSI-së nuk më kanë shqetësuar. I faltë Zoti, se janë shpirt njeriu të gjithë. Më thoni ju mua se si mund t’ia dal me këto mijëra kallëzime? Po ikën vera dhe është e para herë qëkur jam bërë Prokuror i Përgjithshëm, që kam kaq telashe dhe nuk po bëj pushime në Kapri apo në Dubai.

– Vitin e kaluar nuk paska patur kaq korrupsion, trafik apo shkelje sa këtë vit?

– Ç’thoni mo? Ka patur, madje edhe më shumë se këtë vit, por kur ishte zoti Berisha në pushtet, ishim rehat edhe si prokurori, edhe gjykatat, edhe hetuesia. Në gjysmën e vitit ne bënim pushime nëpër botë, se Doktori nuk na bezdiste. Ata që mendonte se bënin korrupsion, ose i largonte nga postet, ose i ndiqte nga Shqipëria, ndërsa atyre që nuk i bindeshin, u fuste nga një kokërr plumbi apo kallëp tritoli dhe gjithçka mbyllej në paqe. Këta të majtët nuk ia thonë fare në këtë drejtim.

– Po si do operoni me malin e kallëzimeve që ju kanë ardhur?

– Eh, sa ka zanati, mor Kaso vëllai! Do veproj si me dosjen e famshme të Lul Bashës për Rrugën e Kombit. Një pjesë do t’i shqyrtojmë kalimthi, një pjesë do t’i lë t’u kalojë afati dhe për të tjerat, kur t’u vijë rradha, do të kërkoj rikallëzim dhe prova të reja për akuzën. Duan apo nuk duan kallëzimtarët, pjesa më e madhe do të kalojnë në heshtje ose nuk do të shqyrtohen fare. Edhe mishi piqet, edhe helli nuk digjet!

 

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *