Shtatzënë

– Çfarë do të thotë ta shohësh veten në ëndërr sikur je shtatzënë dhe më pas, sikur foshnjen e lindi dikush tjetër dhe jo unë? Pres përgjigje nga ju. Faleminderit.

– Përgjithësisht, ëndrrat e shtatzanisë tregojnë për projektet që keni dhe që do të marrin formë brenda një kohe të shkurtër. Mund të jenë plane jetësore, plane që kanë të bëjë me punën, familjen etj., vetëm se ju personalisht duhet të keni kujdes sepse do të investoni shumë në këtë projekt dhe do të jetë dikush tjetër që do t’i marrë meritat apo do të ketë më shumë përfitim nga kjo gjë. Duke qenë se ëndrra ju ka paralajmëruar, duhet të tregoheni më të vëmendshëm dhe të mos lejoni që t’jua marrin ato që i keni fituar vetë.

Duke rënë flokët

– Përshëndetje! Kam parë në ëndërr sikur shoqja ime e ngushtë kishte harruar telefonin në një dyqan dhe unë ika t’ia merrja se ajo nuk ndihej mirë, por nuk po e gjeja dyqanin e më zuri shiu në mes të rrugës. Pastaj, kur ika në shtëpi, po laja kokën, por filluan të më binin të gjithë flokët, po më këputeshin. Nuk e di çfarë do të thotë, prandaj ju lutem më shpjegoni, ç’do të thotë?

– Ëndrra juaj tregon shqetësime që kanë të bëjnë me jetën tuaj private dhe atë profesionale. E gjithë ëndrra ka lidhje me ju personalisht dhe jo me shoqen tuaj, sado që shqetësimet tuaja i diskutoni vetëm me të. Do të humbisni komunikimin me një person shumë të dashur për ju dhe për këtë arsye, do të ndiheni e pafat. Keni për të kaluar një siklet të cilin do ta vuani shumë e që mund të ketë lidhje edhe me ndonjë shqetësim shëndetësor. Gjithsesi, e rëndësishme është që ju të merreni më shumë me veten dhe t’i kushtoni rëndësi shëndetit e gjendjes suaj psikologjike, që të jetë më e qetë. Gjithë të mirat!

Çezma me ujë të pastër

– Ju përshëndes, astrologe! Me datë 6, kam parë këtë ëndërr: Kisha ngjitur një rrugë të gjatë dhe të ngushtë në një malore. Shumë afër majës, më doli një vajzë me dy fëmijë të porsalindur dhe më dha njërin prej fëmijëve, që unë e mbaja mirë. Pastaj ngjarjet u zhvendosën në shtëpinë time, që ishte krejt e transformuar me xhama dhe hapësira të mëdha. U futa, bëra dush, fëmijët ishin po aty duke lozur, çezmat rridhnin ujë të pastër. Mundohesha t’i mbyllja, por ishte e pamundur. E njëjta gjë edhe në sallon; uji ishte i pastër dhe ikte si ujvarë nga të gjitha anët. Në mes të ujit qëndronte një furnellë e ndezur, në formën e një ylli. Mundohesha ta fikja, por nuk fikej. Fëmijët luanin dhe unë qëndroja në këmbë e i habitur, sepse nuk po e besoja atë që po ndodhte. Faleminderi. Një zotëri.

– I nderuar zotëri, ëndërr shumë interesante dhe domethënëse kjo e juaja! Duke qenë se ka kaluar pak kohë që nga dita që e keni parë, i bie që ju ndërkohë të jeni brenda ngjarjeve dhe shpjegimit të ëndrrës. Ëndrra tregon se jeni në rrugë të mbarë dhe çfarëdo projekti apo propozimi t’ju bëjnë, do t’ju leverdisë ta pranoni ose të bashkëpunoni. Fëmijët që keni parë janë projekte të mbara dhe vajza që jua ka dhënë njërin nga këta fëmijë, simbolizon një femër e cila ju ka për zemër dhe ka respektin më të madh për ju. Nuk di t’ju them nëse kjo është partnerja juaj apo dikush tjetër… Ju do t’i çoni planet tuaja gjer në fund dhe prej kësaj, do të keni të mira materiale e shpirtërore. Këtë gjë, unë e lidh me shtëpinë e madhe, xhamat dhe ujin e pastër, vetëm duhet të keni parasysh se, gjatë kësaj rruge, ju mund të gaboni shumë lehtë nëse nuk tregoheni të vëmendshëm. Ylli që keni parë, tregon fat shumë të mirë për ju, prandaj nuk duhet t’i jepni shqelmin, sepse fare padashur mund ta largoni. Gjithçka në këtë periudhë është në anën tuaj, thjesht nuk duhet të keni frikë, por t’i besoni asaj që po ndodh para syve tuaj. E rëndësishme është që keni afër njerëz që ju duan vërtet, prandaj vlerësojini ata. Flas për rrethin e ngushtë që mund të jetë: Njeriu i zemrës ose dikush që mund të bëhet i tillë, shoqëria dhe familja.

Te shtëpia e ish-të dashurës

Në ëndërr pashë sikur ndodhesha te shtëpia e ish-të dashurës, hyra brenda në oborr dhe u surprizova. Njëkohësisht, u mahnita, pasi oborri ishte rrethuar me trëndafila. Trëndafilat kishin çelur dhe ishin me ngjyra të ndryshme, të vendosur shumë bukur, sikur i kishte skicuar ndonjë arkitekt. Isha duke parë kur më erdhi ish-e dashura, më dha dorën dhe u takuam siç ndodhte në realitet përditë. Pra, në ëndërr, e ndjenim veten sikur nuk ishim të ndarë. Ajo më ftoi të hyja brenda dhe të takoja njerëzit e shtëpisë. Ashtu bëra dhe pastaj u zgjova. Pres një parashikim nga ju. Faleminderit. Nga X.

– Ëndrra e tregon fare hapur që ju e dashuroni këtë vajzë, edhe pse jeni të ndarë. Thellë në shpirt, gjithçka në lidhje me këtë femër, ju e mendoni seriozisht dhe dëshironi të jeni me të përgjithmonë. Ajo çfarë keni parë, përveçse lidhet me mendimet tuaja gjatë ditës, të cilat vërtiten rreth ish-të dashurës, tregon edhe se çdo gjë do të shkojë mbarë mes jush, gjithmonë nëse ndjenjat tuaja janë reciproke dhe bëni të pamundurën të ribashkoheni. Do t’ju duhet pak kohë, ama kjo do t’ju shërbejë që të kuptoni nëse dashuria juaj është vërtet kaq e fortë. Në mënyrë telepatike, ëndrra tregon që ju, pavarësisht problemeve që keni kaluar, e mendoni shumë njëri-tjetrin. Ëndrra ju këshillon të mos lini shumë kohë të kalojë, pa bërë edhe një përpjekje të fundit për ribashkim. Ndoshta ka ardhur koha të hidhni një hap më serioz sesa thjesht një lidhje. Trokitini në derë, ashtu siç e keni parë në ëndërr sepse duket që do t’ju presin momente të bukura, ashtu si trëndafilat që keni parë. Në fund të fundit, një hap i tillë do të tregojë një herë e mirë nëse ju do të jeni përfundimisht bashkë, apo jo.

Hëngra gishtat

Para dy ditësh kam parë një ëndërr shumë të çuditshme. Isha me të dashurin tim dhe papritur e pakujtuar, e gjeta veten duke i ngrënë gishtat atij. U çudita me veten! Ia kisha lënë disa më të gjatë e disa më të shkurtër. Pastaj, i kërkova falje dhe i thashë: “T’i hëngra padashje”. Ai më pa dhe më tha: “S’ka gjë”. A mund të më thoni, çfarë kuptimi ka, ju lutem? Me respekt, Xheni.

– E dashur Xheni, nëse nuk ka kaluar ndonjë debat mes jush, atëhere prisni, se do ta kaloni. Ëndrra tregon qartë se do të keni njëfarë debati që do të lindë kot së koti dhe ju do ta lëndoni të dashurin tuaj, ndoshta jo me dëshirë, por në mënyrë të pandërgjegjshme. Pas kësaj, do të jeni po ju që do të pendoheni dhe do t’i kërkoni të falur. Ai do të tregohet më mirëkuptues sesa ju dhe do t’ju tolerojë, prandaj, kini kujdes, mos u nxitoni kur jeni përpara një debati apo diskutimi sepse mund të thoni gjëra pa vend. Këtë kuptim ka ëndrra juaj. Gjithë të mirat!

Këpucët e bashkëshortit

– E nderuar astrologe, kam parë në ëndërr sikur po laja me ujë këpucët e bashkëshortit të cilat ishin me ngjyrë të zezë. Ishte verë i fërkoja shumë, por nuk u dilte boja. Me respekte, Lira.

– E nderuar Lira, do të kaloni një siklet ju si familje, bashkë me bashkëshortin. Ju do të përpiqeni ta kaloni sa më lehtë dhe të mos e rëndoni bashkëshortin, por çfarëdo të jetë ajo gjë që do t’ju shqetësojë, do ta bëjë punën e saj. Ju personalisht, jeni person shumë i ndjeshëm dhe sakrifikoni më shumë seç duhet. Jeni e gatshme që gjithë peshën ta mbani ju, vetëm e vetëm që bashkëshorti juaj të mos ndihet keq. Jeni një grua e përkushtuar, ama duhet të mendoni pak më shumë për veten sepse edhe ju jeni njeri dhe keni nevojë për përkushtim dhe dashuri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *