LULZIM BASHA
Të premten, pas miratimit të ligjit për dekriminalizmin, zoti Basha mbajti një konferencë shtypi ku tha se “Vlera më e madhe është se ky arriti të sanksionohet, u kthye në ligj e normë të detyrueshme për zbatim, si një ide që lindi nga opozita”. Jemi dakord me zoti Basha për këtë dhe e vlerësojmë këtë ligj për pastrimin e politikës nga trafikantët, banditët, vrarësit, të dënuarit për vepra të rënda penale etj., por nuk mund të rrimë a pyetur: Po nga politikanët kriminelë e të korruptuar, kur do të pastrohet parlamenti? Pse nuk propozon ai një ligj për dekriminalizimin e politikës? Se, vërtet u dekriminalizua Parlamenti, u hoq Doshi, Ndoka e Frrokët, po a nuk mbeti aty ai i cili akuzohet nga Izet Haxhija për shumë e shumë krime?! A nuk mbeti aty ai që u akuzua për korrupsion miliona dollarësh?! A nuk mbeti aty ai që urdhëroi vrasjen e katër të pafajshmëve në bulevard?! A nuk mbeti aty ai që dogji Shqipërinë në 97-ën?! A nuk mbeti aty ai që akuzohet se ka vrarë Azem Hajdarin, Remzi Hoxhën etj etj.?! A nuk mbetën aty ai dhe ata që akuzohen me fakte se janë spiunë të agjenturave të huaja dhe që kanë bërë veprime të hapura antishqiptare? A nuk mbeti aty ai që vodhi miliona euro nga Rruga e Kombit? Ja, këta duhet të hiqen më parë se tomat, ndokat e frrokat. Apo jo, zoti Basha?

EDI RAMA
Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi, këtë javë i ka dërguar një letër zyrtare qeverisë, ku kundërshton projektin e saj për t’ia dhënë të drejtën e shpërndarjes së pensioneve, që tashmë e kryen Posta, një banke private… “Si pasojë e këtij veprimi arbitrar të qeverisë, thotë zoti Lazimi, rrezikohen të shkurtohen 1200 punonjës të Postës”. Pse e bën shteti këtë ndryshim, deshëm të pyesim zotin Rama? Pse i jep lekë dhe ndihmon privatin, duke dëmtuar veten e vet?! Apo zoti Rama nuk e di se shteti, nëpërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë e Sipërmarjes, zotëron 100 për qind të kapitalit të Postës Shqiptare? Atëherë, mund të na e sqarojë zoti Rama se pse shteti vepron kundër vetes së tij? Kë përfaqëson ai: Shtetin apo bankierët privatë? Cila bankë do ta marrë këtë shërbim? Çfarë u ka premtuar ajo përfaqësuesve të shtetit në shkëmbim? Çfarë do të bëjë ajo më shumë se Posta Shqiptare dhe që posta nuk e bëka dot?! Ja, përgjigjet e këtyre pyetjeve deshëm ne nga zoti Rama këtë javë…

REILA BOZDO
Nuk mundëm të intervistojmë këtë javë as Reila Bozdon, koordinatoren kombëtare të Partisë Demokratike. Atë deshëm ta pyesnim për kodin e etikës së Partisë Demokratike që ajo prezantoi këto ditë dhe që hapi shumë diskutime në publik. Në këtë kod etike, ajo theksonte se duhet të ndalohen kundërshtarët e kampeve politike që të dashurohen me njëri-tjetrin. Dhe, shkak për këtë kod, besojmë se është bërë fakti se kryetari i sapozgjedhur i forumit rinor të PD-së, Belind Këlliçi, është fejuar me vajzën e Artan Shkrelit dhe Ledi Shamkut, përkatësisht, këshilltarit të kryeminsitrit Edi Rama dhe deputetes së PS-së. Por, një opozitar, shkruan Bozdo, nuk mund të jetë opozitar i vërtetë, nëse vepron kështu… A i ka me të vërtetë këto kode zonjusha Bozdo?! A e di ajo se kështu si kjo fliste Enver Hoxha?! A e di ajo se me këtë “sebep”, ai ka dënuar Mehmet Shehun? A e di ajo se kjo, mbajtja pastër e krushqive të komunistëve, ishte një nga pikat më të forta të luftës së klasave që propagandonte aq fort Partia e Punës?! Do të na kthejë përsëri në ato kohëra kjo zonjushë demokrate?! Përsëri do të vazhdojmë ta shohim çdo gjë me syrin politik, ashtu si në diktaturë? Përsëri do t’u vëmë fre dashurive për hir të politikës?!
E zëmë se do të zbatohet ky kod i zonjushës Bozdo. Po ata që janë lidhur tashmë, si zoti Këlliçi, do të ndahen? Po për një demokratikas që është lidhur me një vajzë me ide të qendrës, ç‘thotë kodi i etikës? Po kur lidhja është bërë me ndonjë anëtar të partive tip LSI, që shkojnë majtas e djathtas, si të fryjë era, si i bëhet halli? Do ndahet çifti kur ta dredhë partia?! Ja, këto pyetje deshëm t’i bënim zonjushës Bozdo këtë javë, por nuk mundëm…

BLENDI KLOSI
Deshëm të intervistonim këtë javë edhe zotin Blendi Klosi, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë… Deshëm ta pyesnim nëse e lexoi ai një lajm botuar këtë javë në shtyp, sipas të cilit, një burrë kishte vrarë veten, pasi nuk kishte para të paguante dritat. Disa ditë më parë, atij i kishin prerë edhe asistencën, sepse kontrolli i kishte gjetur në shtëpi një televizor “Iliria” të para 40 vjetëve dhe, sipas ligjeve shqiptare, nëse ke një televizor në shtëpi, të hiqet asistenca. Akoma do të vazhdojmë të mbajmë të tilla ligje idiote, zoti ministër, deshëm të pyesnim ne zotin Klosi?… Akoma quhet televizori mjet luksi?! Nëse është kështu, pse atëherë qeveria mori vendim që, me paratë e marra nga fondi i veçantë i qeverisë, t’u falte nga një dekoder dixhital familjeve të varfëra? A ka më të varfër se ata që marrin asistencë? Çfarë do t’u duhet atyre dekoderi kur nuk kanë televizor?! Apo nuk ka rëndësi kjo, rëndësi ka t’u jepen, apo të ndahen ca para me ata që merren me shitjen e dekoderave?!

(Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista”. Atë mund ta blini në të gjitha pikat e shitjes në Shqipëri si edhe në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *