I kishin rënë dhëmbët
– Vëllai im ka parë në ëndërr sikur i kishin rënë dhëmbët, ndaj doja të dija se çfarë kuptimi ka, sepse kam dëgjuar se kjo tregon fatkeqësi brenda familjes. A është e vërtetë?
– Varet gjithnjë nga përmbajtja e ëndrrës. Kur nuk ndjeni dhimbje gjatë rënies së dhëmbëve në ëndërr, kjo s’ka lidhje me asnjë lloj fatkeqësie, është heqje e një sikleti, por që nuk e prek drejtpërdrejt personin që e shikon. Rënia e dhëmbëve ka më shumë lidhje me ndryshime në jetën reale, por lidhet gjithnjë me dhimbjen që ndjeni apo jo në ëndërr. Nëse ka ndjerë dhimbje, mund të pësojë një zhgënjim, ose do të sëmuret, por do t’i kalojë shumë shpejt.
Gjelbërim dhe lule
– Kam parë një ëndërr të bukur, por përsëri jam kurioze ta di se çfarë kuptimi ka. Isha në një fushë të gjelbër, ku kishte shumë drurë të cilët si fillim nuk kishin degë apo gjethe, por përsëri dukeshin të bukur në atë fushë të gjelbëruar. Papritur, u mbushën me lule me ngjyrë të kuqe. Ngaqë u mahnita shumë, më doli gjumi. Doja të flija akoma, por s’e pashë më atë ëndërr.
– Është vërtet një ëndërr shumë e bukur, por edhe kuptimi i saj, gjithashtu. Ëndrra tregon për shpresa të reja, dëshira, energji pozitive, stabilitet dhe ngjarje të bukura në jetën tuaj. E gjitha kjo, falë karakterit tuaj të fortë, optimist dhe shumë punëtor. Me pak fjalë, mundi, puna juaj dhe gjithçka që keni bërë gjer tani do të shpërblehet ashtu si në ëndërr. Gjërat në jetën tuaj do të fillojnë të lulëzojnë.
Puna dhe shefi
– E shoh shpesh veten sikur jam në punë, në zyrë, sikur shefi më bërtet. Shoh shpesh gjëra të tilla, por nuk i mbaj mend me hollësi…
– Të shohësh shpesh punën në ëndërr së pari do të thotë që jeni të shqetësuar në lidhje me vendin ku punoni. Çdo përplasje e çdo gjë në punë ju e përjetoni shumë emocionalisht e psikologjikisht, ndaj edhe ju shfaqet shpesh në ëndërr. Jeni shumë të lidhur pas punës dhe ndjeni përgjegjësi të mëdha. Shefi në ëndërr tregon edhe anën tuaj, vetëbesimin ndonjëherë të tepruar dhe një lloj agresiviteti ndaj vetes. Mos jepni më shumë seç duhet. Duhet ta ruani më shumë veten tuaj në punë, mos jepni më shumë seç duhet; kjo është këshilla e ëndrrës. Merreni më me qetësi dhe, në momentin që largoheni nga puna, mendoni se si të relaksoheni.