Spital
– Kam parë në ëndërr sikur një shoqja ime punonte në spital dhe kishte dërguar babain e vet se ishte sëmurë. Unë i thashë kësaj: “Dil te dera se do vij të të takoj”. Shkova atje, por po më ndiqnin ca goca që donin të më rrihnin dhe unë po ikja me vrap. Kjo shoqja i kapi dhe u tha: “Atë mos e prekni me dorë se është shoqja ime”. Çfarë kuptimi ka? Jam në merak…
– Ju jeni shumë e lidhur me këtë shoqe dhe arrini ta mbroni njëra-tjetrën në çdo lloj situate në të cilën ndodheni. Duhet të keni kujdes këto ditë sepse dikush po përpiqet ta prishë shoqërinë tuaj dhe t’ju hyjë në mes. Mund të jenë edhe familjarët tuaj, të cilët ju keqkuptojnë dhe mund t’ju thonë diçka ose juve, ose shoqes suaj, që t’ju largojnë paksa nga njëra-tjetra. Shoqet në ëndërr përfaqësojnë fjalët që thuhen për ju, por këto nuk do të ndikojnë në marrëdhënien që keni ju të dyja, sepse e mbroni shumë njëra-tjetrën, ashtu siç e keni parë ëndrrën.
Më ndau i dashuri
– Para dy netësh kam parë në ëndërr sikur u ndava nga i dashuri im dhe u ndjeva aq keq sa mezi merrja frymë. Aq e shqetësuar isha saqë u zgjova nga gjumi e djersitur dhe duke qarë me dënesë. Jam shumë e mërzitur. Vërtet do të më ndajë i dashuri?
– E dashur lexuese, duket që jeni shumë e shqetësuar, por një ëndërr e tillë nuk nënkupton domosdoshmërisht ndarje apo probleme. Përkundrazi, një ndarje e tillë në ëndërr tregon se marrëdhënia juaj do të shkojë në një stad tjetër më të fortë. Është fundi i diçkaje dhe në të njëjtën kohë, lindja e një stadi tjetër të jetës suaj, bashkë me partnerin. Do të thotë që mund ta bëni zyrtare lidhjen. Edhe e qara në ëndërr tregon shqetësimet që keni në lidhje me partnerin tuaj, por në të njëjtën kohë, ngushëllim. Shqetësimi që keni në lidhje me partnerin nëse ju do apo jo, shumë shpejt do të zhduket sepse do të keni diçka më serioze me njëri-tjetrin, ndaj qetësohuni.