Si shumë vajza të tjera, edhe unë kam historinë time, që filloi pikërisht në ambientet e një lokali. Pavarësisht dëshirës për të vazhduar shkollën, asnjëherë nuk ia arrita këtij qëllimi sepse kisha një familje të varfër dhe plot probleme. Unë jam vajza e madhe e një familjeje prej katër personash. Të tjerët janë mami vëllai dhe motra. Duke qenë se mami kishte ngelur e ve prej vitesh, kishte nevojë për ndihmën time që të mbanim familjen. Që e vogël jam mësuar me punën, sepse dhe kur ishte gjallë babi, ai herë punonte, herë s’punonte. Ishte njeri shumë i mirë, por me karakter shumë të dobët dhe jo shumë i aftë për të mbajtur familjen, kështu që unë dhe mami përpiqeshim të fitonim të ardhura duke shitur banane, paketa cigaresh dhe ndonjëherë, duke punuar si pastruese, vetëm e vetëm që të mos mbeteshim pa ngrënë. Unë mbarova 8-vjeçaren dhe nuk isha e zonja as të vazhdoja shkollën e mesme. As babain nuk e kisha më, sepse vdiq nga një atak në zemër. Për dy vjet punova duke shitur gjëra të ndryshme në rrugë bashkë me mamin. Pastaj, një ditë, një i njohuri i mamit më mori si banakiere në një lokal në periferi të Tiranës. Tashmë, isha vetëm 17 vjeçe, moshë të cilën do kisha dashur ta shijoja ashtu si moshataret e mia. Shikoja shoqet që shkonin në shkollë e argëtoheshin dhe sytë më mbusheshin me lot. Gjithsesi, tashmë e kisha fjetur mendjen që ky ishte fati im dhe kaq, nuk shpresoja për më mirë. Në lokal shkoja në 6 të mëngjesit dhe kthehesha vonë, sepse përveçse si banakiere, punoja edhe si pastruese, për të marrë ndonjë lek më tepër.
Kishte edhe klientë që më ngacmonin, por s’ua vija veshin. Mëngjes për mëngjes, aty pinte kafen edhe një djalë shumë i këndshëm, që quhej Klevis. Ia mësova emrin, sepse dëgjoja ndonjëherë ndonjë mikun e tij që e thërrisnin në emër. E kisha vënë re që më shikonte dhe më buzëqeshte sa herë i çoja kafe. Dukej vërtet djalë shumë i shtruar dhe diç kishte filluar të më pëlqente tek ai.
Një ditë po pastroja banakun, kur Klevisi u ngrit nga tavolina dhe m’u afrua. Më përshëndeti dhe filloi të më jepte muhabet, duke u prezantuar si fillim. Pastaj, po më thoshte:
– Shiko, Ermira, unë punoj në një agjenci top-modelesh. Nuk dua të më keqkuptosh, por po të them se jam në kërkim të disa top-modeleve të reja për një studio mode. Unë ka kohë që të vëzhgoj dhe duke qenë se je shumë e hijshme dhe ke fizik të bukur, mendoj se je e përshtatshme për t’u bërë modele. Është gjynah të punosh këtu si kamariere dhe pastruese, kur fare mirë mund të bëhesh një topmodele e dëgjuar, bile mund të dalësh edhe jashtë shtetit.
Unë mbeta e habitur dhe nuk dija çfarë t’i thoja. U mendova dhe menjëherë më vajti mendja te shkolla, unë kisha vetëm 8-vjeçaren.
– Klevis, po unë kam vetëm 8 vjeçaren dhe ndoshta nuk më pranojnë në këtë agjenci… – i thashë.
– Atëhere, ky është shanci yt, Ermira, duke vazhduar për modele, ne do të të ndihmojmë edhe të vazhdosh shkollën, njëkohësisht. Mendohu dhe më kthe përgjigje sa më parë.
Gjithë mbrëmjen dhe natën më ngeli mendja te propozimi i Klevisit. Më pëlqeu shumë kjo ide dhe më dukej se ishte e vetmja mënyrë që unë të shpëtoja nga varfëria dhe nga këto punë të rëndomta. I tregova edhe mamit dhe asaj iu duk ide e mirë, por menjëherë i ra një hije e keqe në fytyrë, sepse mendonte se do t’i ikte një krah pune në familje.
– Mami, mos u mërzit! Klevisi më tha se do të paguhesha si modele.
Kjo e gëzoi jashtë mase mamin. Që nga ajo ditë, unë fillova t’i kushtoja më shumë rëndësi paraqitjes dhe dilja herë pas here para pasqyrës. Çuditërisht, vërtet m’u duk vetja e bukur dhe thosha me vete: “Sa keq që s’e kam parë te vetja këtë gjë më parë”. Duke qënë se jeta ime kishte qenë vetëm vuajtje, bëja një punë të rëndomtë dhe asnjëherë s’i kisha dhënë rëndësi paraqitjes time. Të nesërmen u takova me Klevisin dhe ai më çoi në një studio ku mendohej të ishte agjencia e modeleve. Aty ishin dy gra dhe një burrë i moshuar i cili m’u duk shumë antipatik, që në fillim.
– O, ja edhe bukuroshja e vogël! – m’u drejtua plaku. Ai më puthi dorën dhe me shikonte sikur donte të më përpinte. Klevisi, paksa i nevrikosur nga sjellja e të moshuarit, më prezantoi me të dhe më tha:
– Ky është pronari i agjencisë.
Pronari i agjencisë, që e kishte emrin Fatmir, m’u duk fytyrë shumë e njohur, më dukej sikur e kisha parë diku më parë. Klevisi pastaj mori rrugën për të ikur nga agjencia. Unë i shkova mbrapa dhe e pyeta:
– Po ti, nuk punon këtu?
– Po, – më tha – edhe unë punoj, por vij më rrallë. Unë jam agjent marketingu dhe dal në terren që të gjej modele. Tani, ti do të punosh me Fatmirin dhe këto dy gratë.
Nuk e di pse, por teksa Klevisi po fliste, kuptova që ai nuk po më thoshte tamam të vërtetën. E shikoja shumë të trishtuar dhe jo ashtu të qeshur, si më parë, në lokal. Fatmiri më mori përdore dhe po më shpjegonte punën. Ai ma bëri gjithçka fushë me lule. Si fillim, më tha se duhet të bëja menjëherë pasaportën sepse do të shkonim në një udhëtim në Evropë, pasi atje do të bënim provat e para për t’u përgatitur si modele. Ai më përkëdhelte dhe më puthte në faqe duke më bërë shmë komplimente mbi fizikun. Kjo gjë nuk më pëlqeu aspak, por s’ia vura veshin si fillim. Nejse, iku dita e parë.
Ditën e dytë duhej të shkoja sërish dhe shkova. Në agjenci kishte dhe dy vajza të tjera, por edhe pse nuk ua kisha fare haberin agjencive të modeleve, nuk më dukej aspak si një shkollë modelesh, siç pretendonin ata që mund të ishte. Ajo që më habiti më shumë është se Klevisin nuk e pashë edhe për një javë rresht. Pyesja Fatmirin e gratë aty, por nuk më përgjigjeshin saktë. Bile, shkova dhe te lokali ku vinte ai për të pirë kafe, pyeta për të dhe më thanë që nuk kishte ardhur fare atë javë. E ndjeja që diçka nuk po shkonte mirë dhe fillova të kisha frikë. Më iku i gjithë entuziazmi për këtë punë të re që kisha filluar. Një nga ditët e punës në agjenci, teksa unë bashkë me dy vajzat e tjera po bënim prova në ecje dhe provonim rrobat e reja, pata një debat të ashpër me Fatmirin, pronarin. Ai më dha një veshje shumë provokuese dhe më tha të zhvishesha në sy të tij, vetëm me të brendshme. Nuk pranova dhe ai ma shkopsiti këmishën me zor, duke m’u drejtuar:
– Nëse ti vazhdon kështu, s’ke për t’u bërë kurrë modele dhe do ngelesh pabukse gjithë jetën! Modelet duhet të zhvishen, të bëjnë parada me rroba banjoje…
– Unë nuk jam prostitutë, zoti Fatmir! Nuk zhvishem para jush dhe mos bëni si maniak! – i thashë.
Fatmiri u tërbua fare nga fjalët e mia dhe u bë gati të më qëllonte, por një zë nga mbrapa e ndaloi ta bënte këtë gjë. Ishte Klevisi, i cili dukej i shpërfytyruar. Ai e kapi Fatmirin nga fyti dhe e tërhoqi në një dhomë tjetër. Mua, bashkë me vajzat e tjera, na zuri frika, por nga ana tjetër, unë u ndjeva shumë më mirë se ditët e tjera. Fakti që pashë Klevisin, më gëzoi jashtë mase. Të vetmet fjalë që arrita të dëgjoja nga Klevisi, ishin:
– Ti je mashtrues! Do të përfundosh shumë keq me këtë punë! Më ke përzier edhe mua në këtë biznes të fëlliqur… Tani e kam kuptuar se cili është qëllimi yt. Mund të bësh ç’të duash me të tjerat, por Ermirën nuk do ta lë në duart e tua të ndyra.
Ai erdhi, më tha të bëhesha gati dhe të dilja. Pa e zgjatur shumë, dola pas tij. Më kishte kapur përdore dhe po ma shtrëngonte aq shumë sa filloi të më dhimbte, por për mua kjo dhimbje s’ishte asgjë. Ndihesha e çliruar. Ai më dukej si princi i kaltër që kishte ardhur të më shpëtonte nga një përbindësh. Pas disa minutash heshtjeje, me zë të ulët, iu drejtova:
– Klevis, të lutem, ma lësho dorën, se po më dhemb.
Ai ndaloi, më pa në sy dhe më përqafoi fort, duke më thënë vazhdimisht:
– Më fal, Ermira. Më fal nëse mundesh. Për pak desha bëra krim me ty, për pak desh të shita. Do të ulemi të pimë një kafe?
Pa hezituar fare, pranova të ulesha me të. Isha shumë në ankth derisa të mësoja çfarë donte të thoshte Klevisi me ato fjalë. Pse ishte kaq i tmerruar? Çfarë kishte ndodhur? U ulëm në lokalin më të afërt që gjetëm. Fillimisht, ai nuk po fliste fare. E shikoja që ishte shumë në siklet dhe dukej që diçka shumë e madhe po e mundonte.
– Të lutem, Klevis, më thuaj, çfarë ka ndodhur? Kush është Fatmiri? Çfarë donte të bënte me mua? – Më erdhën shumë pyetje njëherësh.
– Ndjehem shumë në siklet përballë teje Ermira dhe nuk di nga t’ia nis, por gjithsesi, do të të them një të fshehtë. E di që do të mërzitesh, por dua të jem i sinqertë me ty. Unë kisha vetëm një muaj punë në atë agjenci si agjent marketingu, por sinqerisht, edhe unë jam gënjyer si puna jote, sado që dyshoja pak. Fatmiri më kishte thënë se kishte parë një vajzë shumë të bukur te lokali ku punoje ti; e kishte fjalën për ty. Më tha: “Dua ta ndihmoj sepse është e varfër. Pastaj, është e bukur. Pse të mos e bëj modele?”. Edhe mua më kishin thënë se ajo ishte një agjenci modelesh, por s’ka shumë kohë që e kam kuptuar se Fatmiri është një mashtrues që vërtet merr vajza si modele, por ato asnjëherë s’janë kthyer kur kanë ikur jashtë shtetit. Kam përshtypjen se ato vajza përfundojnë shumë keq. Të njëjtin qëllim kishte edhe me ty. Nuk më dukej aspak serioze zyra ku punoja dhe ata njerëz që janë aty. Një ditë, rastësisht, diçka më shtyu të kërkoja informacion për agjencitë e vërteta. Ka dhe të tjera agjenci, por ato janë krejt ndryshe nga agjencia e Fatmirit. Aty kuptova qe ka diçka që nuk shkon me këtë agjenci dhe me vetë Fatmirin. Pastaj, ajo këmbëngulja e tij që unë të afrohesha me ty, më rrihte si çekan pas koke. Ai ishte i fiksuar pas teje, të ruante çdo ditë kur shkoje në punë, por nuk donte të shfaqej vetë, ndaj më përdori mua si karrem për të të tërhequr ty. O Zot, sa i verbër dhe budalla paskam qenë! – Klevisi fliste dhe dridhej i tëri.
Sa u trishtova nga ajo që dëgjova, po aq edhe u gëzova që kisha shpëtuar nga ai maniak. Ishte Klevisi që më çoi drejt asaj pseudoagjencie, por ishte po ai që më shpëtoi. Vazhdimisht, më thoshte “më fal”. E ndërpreva duke e përqafuar fort. Drejt Klevisit më shtynin ndjenja shumë të forta. Ai u habit nga ky përqafim i imi.
– Faleminderit Klevis.
– Ermira, dua të më tregosh gjithçka për veten dhe familjen tënde.
– Çfarë të të them? Që vij nga një familje shumë e vuajtur, që kam pasur plot ëndrra si të gjitha vajzat e tjera, por që nuk i realizova dot kurrë? As shkollë nuk kam. Nuk e di nga t’ia filloj, Klevis, sepse janë shumë dhimbje njëra pas tjetrës. Thjesht, ndihem shumë pa fat në këtë botë.
– E ke gabim, Ermira, ti je shumë me fat, sepse shpëtove nga kurthi i një njeriu shumë të keq. Pastaj, unë jam këtu dhe, nëse ti më lejon, do të të qëndroj afër dhe do të të ndihmoj për gjithçka.
– Të falënderoj për mbështetjen tënde, por e kam të vështirë të të besoj, pas kësaj që përjetova. Nuk dua të më keqkuptosh, Klevis, sepse në fund të fundit, ishe ti që më shpëtove, por ti mbetesh përsëri një njeri i panjohur për mua. Shumë njerëz përfitojnë, sidomos nga vajza si unë, që janë pa përkrahje dhe vijnë nga familje të varfra. S’e di, Klevis, nuk e di, por kam frikë nga gjithçka.
Klevisi u zgjat, më mori pranë, më përqafoi dhe m’u drejtua:
– Nuk dua të kesh më frikë, sidomos nga unë, të lutem, Klevisa. Unë nuk po të ofroj as punë, as para, thjesht po të ofroj miqësinë time të më njohësh, këshillat e mia, mbështetjen time si mik, thjesht mik… Nëse ti dëshiron, dua të të qëndroj pranë. Koha do ta tregojë se kush jam dhe do të kesh besim tek unë.
– Do flasim Klevis, do flasim. Tani dua vetëm të shkoj në shtëpi dhe të qetësohem.
– Mirë Ermira, ky është numri im. Nëse një ditë e ndjen që do të më takosh dhe të flasësh me mua, unë do jem aty për ty. E di që të duket e çuditshme, por ashtu padashur dhe në një mënyrë të pashpjegueshme, shoh te ti atë që vërtet po kërkoj. Edhe pse koha e njohjes tonë ishte shumë e shkurtër, të kam menduar vazhdimisht këto kohë dhe më je bërë e rëndësishme. Unë do të pres…
Atë ditë u ndamë me një përqafim të ngrohtë miqësor. Shkova në shtëpi dhe nuk pushoja së qari në krahët e mamasë time. Kaluan tre javë dhe mendja më rrinte vazhdimisht te Klevisi. “A thua është duke më menduar? Thua të jetë vërtet ashtu siç më tha?”. E ndjeja që ai djalë më kishte bërë për vete. Nuk po duroja dot më dhe e mora në telefon. Në fillim nuk fola, por ai, pa folur unë, m’u drejtua:
– Ermira ti je, më thuaj që je ti?
U habita shumë, por gjithsesi, pohova.
– Si je? Kam pritur të më telefonosh… – më tha.
– Më thuaj, Klevis, çfarë duhet të bëj unë? – As vetë s’e di se pse e bëra këtë pyetje dhe çfarë po i kërkoja atij.
– Ermira, dua që ti të fillosh shkollën, këtë duhet të bësh. Do të ecim bashkë avash-avash dhe besoj se do t’ia dalësh mbanë. Këtë duhet të bësh si fillim. Mos harro, unë jam me ty…
Muajt e vitet rrodhën dhe unë sot jam akoma me Klevisin. Ndihem krenare për këtë person që e kam në krah. Vazhdova shkollën, sot jam e diplomuar dhe me një punë që i përshtatet profesionit tim. Jam e lumtur edhe për mamin tim, që gëzohet teksa më sheh që nuk jam vetëm dhe kam arritur këtu ku jam.