Besarta Luga: – Dilan, ku ishe ti para X Factor-it, që nuk të njihnim?
Dilan Reka Beqiraj: – Lidhjen me muzikën e kam filluar që në moshën 2 vjeç e gjysëm, në festivalin “Çelësi i artë”, duke vazhduar me koncerte fëmijësh në Tiranë e Shkodër. Gjithashtu, në moshën 13 vjeçare kam marrë pjesë në një koncert për Vaçe Zelën, në TOB.
– Dhe ku do të jesh tani, që X Factor mbaroi? Çfarë ka ndryshuar te ti?
– X Factori më ndryshoi jetën! Tani kam më shumë mundësi për ta vazhduar karrierën time me këngë, koncerte dhe shumë oferta të mira.
– Asnjëherë nuk e kuptuam se si ishte ajo puna e futjes tënde në X Factor pa audicion. A mund të na e shpjegosh konkretisht?
– Po jua rishpjegoj… Unë kam qenë pjesë e audicioneve të produksionit në fazën e parë fare. Atëherë më thanë se kishin një surprizë për mua; nuk më thanë, as kalon, as nuk kalon. Prita disa muaj dhe më morën në telefon e më thanë: “Dilan, ti do të jesh pjesë e shout live X Factor 4”. Ishte një lumturi e paimagjinueshme. Ky proces që ndodhi me mua është pjesë e formatit dhe quhet “ripeshkim talenti nga faza e produksionit”. Kjo është ajo që i ka vënë shumë njerëz në dyshime më kot…
– Pse ke dy mbiemra? Kjo nuk është një gjë që ndodh rëndom këtu te ne…
– Kam dy mbiemra sepse një mbiemër është i babit dhe një i gjyshit. Unë jam rritur me gjyshërit dhe më e pakta që mund të bëja për t’u shprehur mirënjohjen tani që jam ende një 17 vjeçar, është që të mbaja edhe mbiemrin e tyre.
– Shpesh u fol për ty se ishe “futur me mik” në këtë spektakël dhe se për këtë arsye, ti do të ishe edhe fituesi. Si do t’u përgjigjesh këtyre zërave?
– Më vjen për të qeshur se si disa njerëz nuk kanë çfarë të bëjnë dhe krijojnë polemika shumë mendjelehta, duke thënë se “është futur me mik” e kësi gjërash të parëndësishme për mua. Vlerësimi nga njerëz të paarritshëm, sepse për mua e tillë është Vera Grabocka, është një arritje shumë e madhe për moshën time. E falënderoj që, së bashku me njeriun e mirësisë, sepse kështu e identifikoj unë Alketa Vejsiun, më dhanë një mundësi kaq të madhe që të shpalos talentin tim.
– Po zërave që thonë se fituesi i X Factor është i paracaktuar, do t’u thuash gjë?
– Nuk kam si t’i përgjigjem kësaj pjese. Mund t’ju them vetëm atë që unë, nuk e mendoj një gjë të tillë. Të gjithë kemi qenë të barabartë!
– Ti, e meritoje daljen këtë javë?
– Këtë e ka vendosur publiku. Ka qenë ai dhe jo produksioni i X Factor, që ka menduar se unë duhet ta lë garën.
– A kishte ndonjë tjetër që e meritonte gjysmëfinalen më shumë se ti?
– Edhe në gjysmëfinale, publiku e vendosi që të isha…
– Në një status tëndin, lexova: “Edhe sikur unë të isha zëri më i keq, nuk mund t’ia presësh krahët një artisti të ri, duke folur keq”. Kush t’i ka prerë krahët, Dilan?
– (Qesh) Jo, ajo është një shprehje jo vetëm për mua, por për të gjitha talentet. Nuk ka aq fuqi dikush të më presë krahët e ëndrrës dhe dashurisë sime, që është muzika.
– Ti hape natën e parë të spektaklit… Shpresoje të ishe gjithashtu ai që do të mbyllte natën e fundit, me trofeun?
– Jo, e ndjeja që do të dilja këtë javë.
– Në cilën natë je trembur më shumë se mund të ishte nata jote e fundit në spektakël?
– Vetëm këtë natë jam trembur. Në të gjitha netët e tjera kam pasur më shumë siguri në vetvete dhe nuk e mendoja se mund të eliminohesha.
– Dilan, veç përmirësimit si këngëtar, gjë që është e kuptueshme pas kaq pune që është bërë me ju në X Factor, ti ndryshove edhe lukun… Si ndodhi kjo?
– Unë u rrita me X Factor dhe mësova se cili ishte stili im i vërtetë. Kështu, zbulova stilin “street style” dhe “svvag”, që përafrohet me stilin e këngëtarëve britanikë dhe amerikanë. Tani, ky është stili im.
– Mes Edeas dhe Gentit, cili është i preferuari yt?
– Për mua duhet ta fitojë Edea Demaliaj.
– Cili është miku yt më i mirë xfactorian?
– Kam shumë miq që i kam bërë në X Factor, por si më të ngushtët mund të ndaja Edean, Brunnets dhe Adelën.
Më thuaj mendimin tënd për secilin nga mentorët
Pandi
Korrekt dhe një profesor i vërtetë, që na ka mësuar shumë. Njeri i sinqertë dhe që t’i thotë gjërat në sy, ashtu siç i mendon.
Miriami
E ëmbla e jurisë, që unë e simpatizoj shumë dhe e dua fort. Është shumë e dashur dhe, edhe kur nuk ke kënduar shumë mirë, e mbulon, që mos të të mërzisë.
Albani
Krijova një lidhje më të vërtetë shumë të bukur me të dhe tani, pas X Factorit, mendoj se do të jemi miq shumë të mirë. Është një njeri pozitiv, shumë modest dhe me humor.
Bleona
Bisha e jurisë! Është ekspresive dhe unë e dua fort, se është yll! I dua shumë të gjithë sepse na kanë mësuar dhe trajtuar me shumë dashuri.