Zotin Bojaxhiu e takova në shkallët e pallatit. Atë ditë nuk kishte drita dhe as ashensori, as pompa e ujit nuk punonin…
– Zoti Bojaxhi, përshëndetje!
– Përshëndetje Kaso!
– Ç’po bëni kështu, me këta bidona në duar?
– Po u çoj ujë banorëve të pallatit. Ti e di, Kaso, që unë jam alpinist. Tani në fushatë meqë nuk u hipi maleve, u ngjitem shkallëve. Me këtë rast, ndihmoj edhe banorët, duke u shpënë ujë në shtëpi.
– Kur ju lindi pasioni për alpinizëm, zoti Bojaxhi?
– Që në fëmijëri, Kaso. Mbaj mend që kur isha i vogël, shokët më thoshin mua të hipja në pemë dhe të vidhja kumbulla, dardha, fiq…
– I shisnit?
– Eh, mo Kaso, sa mirë do ishte sikur t’i shisja; do isha si Erion Veliaj! Fiqtë që merrja, i hanim të gjitha, ndaj nuk vura asnjë lek mënjanë që t’i përdorja për fushatë.
– Gabim keni bërë, zoti Bojaxhi!
– Mbaj mend Kaso që, kur isha i vogël, theva një llambë në rrugë. Ç’të bëja? Sa të më bënin qepaze ata të Këshillit të Lagjes, bleva një llambë dhe i hipa shtyllës e vendosa vetë. Që prej asaj dite, mbeta majë shtyllave. Elektriçistët, meqë përtonin të hipnin vetë, më thoshin mua të hipja.
– Po më vonë, si e ruajtët pasionin për ngjitje, zoti Bojaxhi?
– Procesin e ngjitjes e vazhdova edhe në adoleshencë, Kaso. Kur ndonjë shok kishte për t’i dhënë letër dashurie ndonjë vajze, ngjitesha unë deri te dritarja e vajzës, dorëzoja letrën dhe zbrisja poshtë. Pasi misioni im mbaronte, merrja 5 lekë shpërblim nga djali.
– Meqë kujtuat adoleshencën, si ka qenë ajo?
– E bukur Kaso! Mbaj mend që puthjen e parë ia kam dhënë një vajze…
– Sigurisht që një vajze do t’ia jepnit zoti Bojaxhi!
– E kasha llafin, ia kam dhënë një vajze të panjohur, Kaso. Ishte errësirë e plotë.
– Paska qenë puthje romantike…
– Po ç’romantike, o Kaso, më qafsh! Rri e më dëgjo. S’të rri goja, sikur ke trefazorin në gojë, i themi ne të KESH-it.
– Më falni, zoti Bojaxhi!
– Siç të thashë, ishte errësirë e plotë e tek u ngjita në ballkonin e një vajze t’i jepja letrën që më dha shoku, ajo më afroi dhe më puthi.
– Si ndodhi që zoti Berisha ju vuri Drejtor të Koorporatës Energjetike?
– Zoti Berisha më pa njëherë që i hipa një shtylle afër selisë së PD-së.
– Qenka interesante…
– Ishte natë Kaso. Ishim mbledhur në Selinë e PD-së. Dikush jashtë kishte ngjitur një fletushkë lart në shtyllë. Zoti Berisha atëherë i kishte sytë brisk. Dallonte gjithçka nga dritarja, madje edhe natën. Në atë fletushkë, shahej vetë zoti Berisha. “Alarm!”, thirri zoti Berisha. Në zyrë erdhën me vrap Ridvani, Mul Noka, Ed Paloka dhe shumë të tjerë. Pasi morëm vesh ç’kish ngjarë, u lëshuam me vrap drejt shyllës. U lëshova edhe unë. U përpoq Ridvani, me Mul Nokën dhe Palokën të hipnin, por lesh ia dolën. Ziheshim kush të hiqte fletushkën më parë. Atëherë hipa unë dhe e hoqa atë trakt antiberishian. Por, jam bërë pishman Kaso…
– Pse, keni rënë ndonjëherë nga shtyllat?
– Të të them të drejtën Kaso, sapo hoqa traktin rashë. Kur hoqa traktin, zoti Berisha bërtiti: “E gjetëm drejtorin e KESH-it. Do jetë Bojaxhiu! Të tjerët që kemi janë duartharë.” Aty m’u thanë duart dhe rashë mbi Mul Nokën. Mulin e çuan në spital. Ah, sa gabim bëra Kaso që nuk rashë mbi Berishën!
– Cila është arsyeja që më vonë patët kontradikta me të?
– Po ngjiteshim në Dajt, o Kaso. Ishte doktor Berisha dhe nipërit e mbesat e tij dhe pas tyre, unë. Teksa ngjiteshim, bëra një gabim fatal; parakalova zotin Berisha. Aty e hëngra. Doktori më shkarkoi në vend.
– Po ju, ç’patët që i dolët përpara?
– Fisnikëria ime Kaso, ajo më nxiti. Ne Bojaxhinjtë e kemi këtë veti. E tillë ka qenë edhe kushërira ime Gonxhe Bojaxhi, Nënë Tereza.
– S’e dija që Goxhe Bojaxhiun e keni kushërirë…
– E mo Kaso, sa gjëra fsheh media!
– Si kandidat për kryetar bashkie, ç’u premtoni qytetarëve, zoti Bojaxhi?
– U premtoj banorëve të Tiranës se do mbush ujë në Bovillë dhe do t’ua çoj vetë në shtëpi nëpërmjet shkallëve, deri në kat të nëntë. U premtoj se edhe kur rrugët nuk do të kena poça, do ngjitem vetë e t’i vendos. Tani, më fal Kaso, se qëndrova gjatë. Po ngrihem të çoj këta bidonat me ujë te Qazimi. Mbeta me bidona, pavarësisht se e di se ky popull… “vari bidonat”, nuk do më votojë.
Bisedoi me shaka KASO KOSA
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista, ndersa në Greqi, në kioskat ku shitet shtypi i huaj. Nëse nuk e gjeni në kiosken pranë jush, na dërgoni një sms në 6938691274)