“Na mbyti vapa”, thashë dhe dola një xhiro andej nga Liqeni. Teksa shikoja me bisht të syrit, herë me syrin e majtë dhe herë me të djathtin femrat që bënin vrap, vura re një person të veçantë që edhe ai vraponte. Në njërën dorë mbante një kovë me ujë. Dorën tjetër e kishte vendosur mbi kokë, duke shtrënguar kapelen. Më bëri përshtypje. Mbushte ujë në liqen dhe vraponte e ujiste pemët. Këtë gjë e bënte shumë herë. U afrova dhe e njoha. Ishte zoti Sazan Guri…
– Përshëndetje, zoti Guri! Ç’po bëni?
– Përshëndetje Kaso! Po ujis këto pemët. Ka ditë pa rënë shi. Po thahen fare.
– Ju lumtë, zoti Guri!
– Faleminderit Kaso! Unë vij çdo ditë o Kaso dhe marr ujë nga Liqeni e ua hedh pemëve. E bëj këtë gjë, i maskuar. Ndaj mbaj kapelen, që të mos më njohin. Njëherë më ndaloi policia dhe më çuan në komisariat.
– Ç’ju bënë aty?
– Eh, Kaso! Më proceduan. “Po than Liqenin”, më thanë. Më vunë nja 200 mijë lëkë gjobë.
– Keni kohë që e bëni këtë veprim, zoti Guri?
– Qëkur erdha nga Berati në Tiranë, o Kaso, këtë gjë bëj. Deri më tani mund të kem larguar nga Liqeni me mijëra metra kub ujë. Që të ta them troç: Unë e kam tharë Liqenin Artificial.
– Ou?! Meqë u takuam zoti Guri, jemi që jemi, po ju pyes: A mendoni se do të merrni vota në këto zgjedhje?
– Sigurisht, Kaso! Mua do të më votojnë të majtë dhe të djathtë.
– Përse?
– Për shkak të kapelës që mbaj.
– Nuk ju kuptoj…
– Po ja, or Kaso. E shikon kapelën time ti?
– E shikoj zoti Guri, por nuk gjej arsye që t’ju votojnë për kapelën…
– E thjeshtë, Kaso. Ti e di që kjo kapelë Kaso, quhet “kapelë republike”. Të djathtët do të më votojnë se do t’u dukem republikan. Të majtët do të më votojnë se u dukem si ish-Sigurims. Ndaj e mbaj kapelën shumicën e kohës në rrugë dhe studio televizive unë Kaso; të më votojnë të majtë e të djathtë. Kuptove?
– Kuptova, zoti Guri. Ç’do të bënit ju nëse do të ishit Kryetar i Bashkisë së Tiranës?
– Do t’i jepja oksigjen qytetit, Kaso.
– Në ç’mënyrë?
– I ke parë depozitat e ujit mbi tarraca ti Kaso? Do detyroja çdo banor që të vendoste në depozitë një aparat të atillë që e kthen ujin në oksigjen, pra, ndan hidrogjenin nga oksigjeni.
– A është e mundur kjo zoti Guri?
– Sigurisht, Kaso! Ti e di që unë jam shkencëtar…
– Po pastaj?
– Pastaj Kaso, në rubinetat e ujit do dalë oksigjen. Kjo do bëjë të mundur që çdo familje të furnizohet me oksigjen të mjaftueshëm. Kupton?
– Po mirë, ja çështjen e oksigjenit në shtëpi e zgjidhët. Po në rrugë si t’ia bëjmë që të thithim oksigjen, zoti Guri? Do mbillni pemë?
– Ku të mbjell pemë, o Kaso!? Ku ka vend për pemë këtu. Këtu nisi Rama projektin “Një qytetar, një pemë” dhe u katandis “Një qytetar një gjethe peme”. Këtu mbijnë pallatet si kërpudhat pas shiut.
– Do prishni pallatet, apo nuk do të jepni leje për to?
– Ça thua o Kaso!? Kujt ia mban të mos japë leje për pallate?! Po nuk dhashë leje për to, mafia e ndërtimit më heq kapelën me gjithë kokë…
– Po si do t’ia bëni?
– Unë problemin për oksigjen në shtëpi do t’ua zgjidh njerëzve. Ata po të duan oksigjen në rrugët e qytetit, le të lënë dritaret hapur.
– Kur ju lindi dashuria për mjedisin, zoti Guri?
– Që pa lindur, Kaso. Në Berat, kishim një kopsht…
– Kopësht fëmijësh? Me drekë, apo pa drekë?
– Kopsht me pemë, mor Kaso. E kishte stërgjyshi. Kopshti që thua ti, nuk kishte ujë. Kokrrat e pemëve bëheshin përherë të papjekura, ndaj neve si fis na mbeti nofka “Aguridhe”. Nga fjala Aguridhe, u krijua fjala Guri. Ndaj edhe mbiemrin e kam të tillë unë, Kaso. E, që pa lindur, i vura vetes detyrë që të merresha me çështjet e tokës. Tani po largohem Kaso, të ujis ato pemët aty. Mirupafshim babuç!
– Mirupafshim zoti Guri!
Bisedoi me shaka Kaso KOSA
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista, ndersa në Greqi, në kioskat ku shitet shtypi i huaj. Nëse nuk e gjeni në kiosken pranë jush, na dërgoni një sms në 6938691274)