Mesazh Geart Florian Celibashit, familjes së madhe Celibashi, me rastin e 9 mujorit të lindjes dhe Vitit të Ri 2016. Tani mbush 9 muaj, a më njihni? Jam i juaji, ju përshëndes. Unë tani ju uroj Vitin e Ri, do të bëhem shumë i mbarë e jap këtë fjalë për herë të parë, juve kam për t’ju ngjarë. Do nderoj gjithë fisin mbarë, poet më doni a shkrimtar, ministër a qeveritar, filozof apo shkencëtar, që tani jam shumë i bukur, kjo nuk diskutohet fare, se më bëri vetë natyra, me mua ajo qe shumë bujare.

 

Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju…

– Po, të lumtë, miku im i vjetër, Refik Halili. Stadiumi “Selman Stermasi”, është bërë si një nuse e re. Kjo në radhë të parë, si një përkushtim “Bio” i pastër që ti ke. I prerë, i saktë, i ndershëm, por artist në shpirt. Një njeri që qoftë edhe për këtë rinovim, do jetojë gjatë në zemrat e sportdashësve dhe jo vetëm. Urime nga zemra, Riti!

– Kur tha Pirrua, babai yt, se e kishe marrë titullin “Doktor i shkencave”, një gjë e ngrohtë më pushtoi të tërin. Kjo është shoqja ime sa e bukur, aq edhe me kokën plot. Kjo është Erisa Xhixho! Të uroj gjithnjë dhe gjithnjë, suksese në çdo fushë. Mos harro të blesh një karrocë për bebe! Të puth fort!

– Silvana, mikja ime fisnike aty te Dhoma e Tregtisë! Na bashkoi jo vetëm frëngjishtja (që ti e qan), po edhe aftësia për të dalluar që atje tej mendjet e marra, që turren dhe prapë turren në një garë lakmie, që dikur i lë pa frymë. Më vjen mirë dhe të uroj fort, mikja ime, me buzëqeshjen me… pikatore! Të përqafoj Silva.

– I dashur Fredi Bala! E pashë me kujdes intervisten tënde për mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm të turizmit në Shqipëri. Kishte aty një kulturë përmbi atë inxhinierike. Kishte diçka përmbi pikturën. Ishte një gjendje gati vuajtjeje, për të thënë diçka që të është kthyer në puls të jetës. Një gjë kaq njerëzore, patriotike, padurueshmërisht e gjallë. Të uroj fort nga zemra, njeri kaq fisnik, inxhinjeri Fredi Bala, që në emocionet e mia, je, si thonë vlonjatet (dhe jo vetëm ata) si “ujët e pakët”. Një gjë e shtrenjtë mik. Të uroj fort nga zemra, Fredi.

– Ca flokë të harlisura dhe vetëtima, vallëzojnë mëngjeseve, kur ti del andej nga liqeni, e dashur Arlinda Duda. Pse vallë? Dhe a kam unë moshë për kësi gjërash? Në të vërtetë, më shumë se simptomat e pakapërcyeshme të një dobësie të fshehur brenda meje, sidomos për sytë e tu “enciklopedikë”, ka edhe një fisnikëri që lidhet me faktin se edhe ti je pjesë e atyre që e duan kaq fort jetën, e cila merr një certifikatë, sa herë dalim nga liqeni. Një certifikatë që të jep ajri, pylli, liqeni dhe pa dyshim, njerëzit që e frekuentojnë përditë. Të uroj kaq shumë e dashur Arlinda!

– Kur punoja shofer me “Fordin-Trazit”, gati përditë ndaloja në Kavajë. Shit-bli. Kjo ishte puna ime. Kavajasit, sa zemërgjerë, edhe të mençur, më mësuan edhe një fjalë: kur donin të përcaktonin një njeri të mirë, madje shumë të mirë, thoshin: “A, filoni, është si ujët e pakët”. Shiko çfarë krahasimi jetik, për njeriun e rrallë. Nuk është e vështirë, pse kjo fjalë të adresohet sot, ty, i dashur Elidon Rugia… Të përqafoj fort, njeri i mrekullueshëm!

– Na kanë ardhur tre shitëse buke tek i njëjti dyqan i “Bikes”, siç i themi ne. Më tërheq shumë, një nga Tepelena, që shet bukë dhe byrekë, por edhe buzëqeshje. Shkur di të sillet. Ka edhe një djalë 14 vjeç dhe punon, pasdite, edhe diku tjetër, për ekonominë e familjes. Të uroj vajzë (grua) që më kujton rininë time që punoja dy turne. Nejse! Të shkon shumë edhe kapela. Emri? Po ç‘rëndësi ka? Le ta quajmë “Miss buzëqeshja” e dyqanit! Urime nga zemra, njeri i mirë! Puthi fort djalin dhe vajzën!

– Tingëllon si aksiomatike ajo që më the, pedagogu dhe shoku im i shtrenjtë, Omer Stringa: “Po qe se mendja prodhon, problemet zgjidhen”. Si t’ia bëjmë, kur mendja kopjon apo vegjeton? Si t’ia bëjmë kur ky realitet i dytë i gjendjes mendore bëhet tipik për lidershipin politik të një vendi? Gjithsesi, të uroj kaq fort nga zemra, që brenda vetes ka dy ritme të sinkronizuara: Ritmin e shpirtit të njeriut të mirë dhe atë të ecjes. O Zot, sa shpejt ecën! Unë, jo e jo, po kam përshtypjen se të rrallë janë ata që interferojnë. Të përqafoj kaq fort, Omer!

– Drejtoreshë e shkollës së mesme “Sami Frashëri” qenka emëruar një e njohura ime e vjetër, zonja Teuta Dobi. Më tha një nxënës simpatik, që edhe punon te librari “Albania”. Lus Zotin të jetë po ajo Teutë që kam takuar tek UBT-ja. Një njeri kaq i përgatitur dhe modest që plotëson çdo ditë vetveten, me njohuri dhe humanizem, vetëm se do ta ngrejë më lart emrin e këtij gjimnazi të nderuar. Urime nga zemra, Teuta! Më vjen mirë që kam shkruar edhe më përpara për ty! Urime edhe një herë!

– I nderuar inxhinier Besnik Hasanaj! Ti ndofta nuk e di që jam lexues i rregullt i revistës “Hora”, që ti sponsorizon. Dhe ndofta i vetmi që e propagandoj në organe të tjera shtypi, për cilësinë e saj. Unë akoma vazhdoj të mrekullohem. Ne paskemi në Shqipëri një fshat… sado i madh, po prapë fshat, që nxjerr periodikisht një revistë. Të lutem: Ti ke shumicen e qytetarëve që nuk kanë gazeta. Nejse, duke lexuar numrin e fundit, pashë urimet që të kishin bërë për ditëlindjen. Qenkemi moshatarë. Urime dhe u bëfsh edhe 100! Dhe mos mbaj inat për gjëra që nuk ia vlejnë. Urime edhe një herë.

– Gati kërceva përpjetë nga gëzimi, kur Olsi më tha se do shtoheshit me një vajzë, e dashur Balushka. Me sa di (nga televizori) ti i ke ruajtur për të edhe lodrat e tua të fëmijërisë. Por kjo nuk ka shumë rëndësi. Me lumturinë që të pret pas pak muajsh, më lumturove edhe mua, tifozin e çiftit tuaj fisnik. Urime, urime!

– Atë ditë që u takuam te lokal “Bakalli” (një lokal sa miqësor dhe modern për një zgjidhje inxhinierike), unë erdha, në fakt, për Lutin, por aty ishe edhe ti, Nusha. Ishte edhe djali yt me të cilin fola turqisht. Pashë që ishte thinjur pak, i dashur Avni (Nusha). Thinja që mua tullacin, më kujtojnë idetë tona të para, të vagullta, për biznesin me Turqinë. Po ti dhe Luti krijuat një koncept të qëndrueshëm, të gjallë, edhe për sfidat, edhe për rreziqet, edhe për shpeshtësinë me të cilat këto mund të përsëriten, dhe… po, ia dolët. Po godet fort mirë dhe ndërkohë keni mbetur njerëz të mrekullueshëm, ju miqtë e mi të hershëm. U uroj edhe fëmijëve të bëhen si ju! Urime!

– Dhe pastaj, ti kërcen nga divani dhe rrëmben stilokalemin: “Po kjo është një mrekulli”, mor Zot. Miqtë e mi nga më të shtrenjtët, dalin andej nga liqeni, bashkë me bashkëshortet (gratë) e tyre. Ose me një hap, ose në distancë, por kjo nuk ka pikë rëndësie. Janë aty në “pistën e jetës”, duke ecur me ritëm. Janë aty duke shijuar mëngjeset e mbushura me tepri me diell, të këtij dhjetori, ku përzihen ngrohtësia, freskia dhe aroma, qielli i kristaltë, liqeni me jo pak rosa të vogla. Janë aty çdo mëngjes, Luan Leka me bashkëshorten, njeriu simbol i mirësisë pra; Është aty i adhuruari im shkrimtari Fatos Kongoli, me të shoqen. Është Omer Stringa, që me kënaq me ese të shkurtëra, po pak më tej, është edhe Arreta, gruaja e tij, gjithashtu pedagoge. Është arkitekti dhe pedagogu Arben Shtylla dhe Mira, nusja e tij, vajza e komandantit tim të paharruar, është Spiro Dede dhe e shoqja, pedagogia e mirënjohur, është pilote, Shpëtim dhe Lika gruja e tij gjithë humor. Dhe sa e sa të tjerë, që nuk i njoh. Kur dilja unë dikur dhe më tej se dikur me Brikena Çabejn dhe Arianita Markon, na shihnin si alienë, por ja që jeta ecën dhe aty te liqeni, ecën në parametra më fisnike se ato të politikës, sidomos asaj të çdo ecjeje… Ju uroj familjarisht miqtë e mi, miqtë e liqenit, miqtë e jetës dhe fisnikërisë. Le të ngjajë si poezi, por kështu është.

 

 

Përshëndes mamin e Alkapon junorit qe e kam xhan dhe e perqafoj fort nga princesha e fjetur.

Përshëndes vllain tim Anin qe e kam shume xhan dhe e perqafoj fort. Të dua shumë vëllau jem dhe gjetsh një goce per lidhje sekrete qe dhe ti ta bosh qefin si gjithe burrat e tjere hahaha. Të uroj një fundjave te bukur Ani, nga pedagogia e sociologjise.

 

Për Jashar Demirin. Profesor, je unikal, çdo shkrimi yt vlen shumë. Për shembull, nëse e lexojnë 2000 lexues, ti fiton 2000 sevape te Zoti. Të admiroj. Arturi i Kafazit.

Gëzuar festat stafit të “Intervistës” dhe bashkëpunëtorëve. Shkurt, është gazeta më e dobishme në botë. Arturi i Kafazit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *