– I nderuar Doktor Demiri, kam vite që jam mjekuar me seroxat për obsesione dhe kam qenë mirë. Problemi qëndron se kohët e fundit unë u sëmura me parainfrakt të trurit dhe një tip paralize. Kjo më ka ndodhur nga një vrimë e vogël që kisha në zemër. A mund të më ndihmoni? Jam shumë konfuze dhe mendja më shkon vetëm te gjërat negative. A mund të bie në depresion për shkak të sëmundjes? Faleminderit.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuara letërshkruese, letra juaj ka rëndësi për të gjithë lexuesit, për një fjali që thoni: “jam shumë konfuze dhe mendja më shkon vetëm te gjërat negative”. Këtu qëndron edhe problemi që dua ta shtrojmë jo vetëm për ju, por për të gjithë lexuesit. Ju nuk e dini dhe as nuk e besoni sa shumë ndikim kanë mendimet mbi trupin dhe shëndetin tonë. Falë fuqisë vibruese të fjalëve dhe çdo gjëje që ne shqiptojmë apo mendojmë, ne fillojmë edhe ta ndjellim atë. Njerëzit që flasin ose mendojnë përherë për sëmundjet, pashmangshmërisht i ndjellin ato. Sipas një thënieje të vjetër “fjalët duhet t’i shfrytëzojmë vetëm për tri qëllime: të shërojmë, të bekojmë dhe të përparojmë”. Problemi sot shtrohet deri aty sa të themi se të gjitha, deri edhe sëmundjet, ne sikur ia shkaktojmë vetë vetes. Këtë që po shpjegoj, ju nuk mund ta kuptoni pa ditur sa e madhe është fuqia e pavetëdijes mbi tërë qenien tonë e cila punon plot 24 orë. Pra, veprimi kinetik i nënvetëdijes vazhdon edhe gjatë kohës së gjumit. Sa më shumë ne mendojmë apo flasim për sëmundjet, aq më shumë “sëmundja” bëhet vërtet sëmundje edhe kur nuk është e tillë, pikërisht nga frika dhe përkushtimi i madh që ndjeni prej saj. Prandaj pothuajse të gjithë klientëve të mi, që në seancën e parë, unë u jap edhe një material të fotokopjuar me titull “Si t’i largojmë mendimet obsesive”, sepse vetë fjala obsesive do të thotë mendime “rodhe” që nuk na shqiten nga mendja. Ky material u thotë klientëve: “Vëzhgojini ato mendime, por mos u përfshini në to, mos u kushtoni rëndësi, vetëm përcillini pa u brengosur”. Gjërat negative që ne nuk i dëshirojmë, marrin fuqi e rëndësi pikërisht sepse u kushtojmë vëmendje, përndryshe do të iknin, sepse ne nuk ua “varim”, pra, ato qëndrojnë tek ata të cilët mjerisht jo vetëm u kushtojmë vëmendje e rëndësi nga frika, por edhe mundohen t’i largojnë me forcë. Nëse ti i nxjerr si me “dhunë” nga dera mendimet negative obsesive, ato futen nga dritarja. Të gjithë duhet ta dinë se mendimet negative apo fantazitë e këqia e deri perverse, nuk janë mendja jonë, por edhe sikur të ishin, shtrohet pyetja: A luftohet mendja me mendje?! Prandaj edhe klientët shërohen me psikoterapi sepse ata mësojnë të jenë “kirurgët” e shpirtit të vet, mësohen si ta largojnë brengën tamam siç heq lulishtari degët e thata e të panevojshme. Duke vepruar siç i mësojmë e praktikojmë ne, ata i kalojnë mendimet negative fillimisht me ndërgjegje e më pas kjo gjë u bëhet shprehi, pra, mendimet pozitive u bëhen automatike e “spostuese” pasi ka një vonesë ndërmjet mendimit negativ dhe veprimit të tij në organizëm, ashtu siç ka një vonesë mendimi për një ëmbëlsirë dhe sekretimit të gjendrrave të pështymës. Kjo vonesë do shfrytëzuar me qëllim që të mos na prodhohen lëngjet e “këqija” për shkak të mendimeve negative obsesive. Në qoftë se do të mendonim pandërprerë vetëm për dhimbje apo sëmundje (edhe kur i kemi ato) atëherë do ta ndalonim veprimin kinetik të pavetëdijes duke mos e lënë atë që të na shërojë dhe të na forcojë.
– Siç e thamë më sipër, veprimi shërues kinetik i pavetëdijes fuqizohet nëpërmjet arirmimeve pozitive, ose sugjestionit, ose meditimit. Edhe në lidhje me gjumin është provuar se me ato mendime me të cilat të zënë gjumi natën, me ato do të mbetet edhe truri duke punuar. Është bërë një studim i tillë me vëllezërit binjakë: Ai që vetëm sa i është lexuar një problem para gjumit pa e lënë të merret me të, të nesërmen e ka zgjidhur atë shumë minuta më shpejt sesa i vëllai, të njëjtën rezultat dha ky eskperiment edhe me vëllain tjetër, ndaj dhe u konkludua: atë që njeriu mendon para gjumi po atë vazhdon ta ketë në “përpunim” edhe gjatë gjumit. Ndaj që të flemë gjumë të rehatshëm, duhet që jo vetëm të shtrihemi për gjumë e të çohemi në të njëjtin orar, por edhe të mendojmë gjëra të bukura ose të parëndësishme paksa engendisëse para gjumit, si pamjet nga natyra ose ndonjë meditim (meditim do të thotë të mos mendosh asgjë) ose numërimi.
T’i rikthehemi letrës suaj: Ju thoni se jeni mjekuar prej vitesh me seroxat për obsesione dhe keni qenë mirë: Unë me të vërtetë gëzohem kur ilaçi i gjendet “sëmundjes”, por përse me vite?! Dhe, edhe sa vite do të vazhdohet kjo? Ilaçet kimikate janë “drogë” nga e cila duhet të ruhemi që të mos krijojmë as gjendje varësie e as tolerance, përveçse efektet anësore nuk janë të pakta. Në qoftë se ty t’i ka dhënë ilaçet doktori për 6 muaj apo një vit dhe ti i ke përdorur ato vetë, me vite të tëra, këtu është gabim dhe përgjegjësia jote ndaj vetes. As edhe ilaçet 100 % bimore nuk duhen përdorur pa konsultën me fitoterapistin pasi as ato nuk janë si uji i burimit, pasi vetëm ai nuk të bën dëm. Ju do të mbeteni edhe për vite të tjera me obsesione në qoftë se nuk do t’i trajtoni ato me psikoterapi. Kjo sepse obsesionet janë mendime të frikshme, këmbëngulëse (tip rodhe) e që përsëriten pa pushuar dhe janë sigurisht negative. Por, pa më thoni ju, a ka ilaç që i ndryshon mendimet përveçse psikoterapia, me llojet e saj? Njerëzit me obsesione trajtohen me psikoterapi, kjo është e para dhe vetëm nëse ankthi është pikëllues përdoren qetësuesit e vegjël ose barnat si për shembull, është anafranili, me minimimin 50 miligram në ditë e maksimumi 250 miligram në ditë, por në asnjë mënyrë nuk duhet përdorur vetëm sepse ju e lexoni në gazetë. Unë nuk jam aspak dakord me kolegët e mi të cilët japin receta vetëm bazuar nga letrat e pacientëve, pasi kjo nuk i shmang dot gabimet shpesh me pasoja, pasi gjatë diagnostikimit ne shohim apo “lexojmë” te klienti si në një “ekran” shumë gjëra nga ato që pacienti nuk mundet apo nuk di t’i thotë. Ne kemi si “ekran” jo vetëm fytyrën e pacientit, por edhe reagimet, deri edhe matjet që ne i bëjmë për lodhjen psikomotore etj. Ndoshta del se nuk është nevoja as për ilaçet gjumëvënëse të farmacisë, pasi vetëm psikoterapia mjafton, ose mund t’i japim edhe ilaçe 100 % bimore, por vetëm të dobishme e pa pasoja. A nuk është për të qeshur, por edhe për të qarë që merakun ose obsesionin e një studenti për provimet një x psikiatër e kishte “shëruar” duke e vënë atë në gjumë të plotë me ilaçet dhe studentit i kishte ikur data e provimit, ndërkohë që kujtonte se s’ka ardhur ende? I bukur “shërim”! Të më vesh në gjumë duke më “qetësuar”, që të mos kem mundësi të mendoj apo punoj për problemet, sfidat. Ngashëm me këtë është njëlloj sikur të “shërojmë” një xheloz duke e bërë “tapë” me raki dhe ai nuk shqetësohet se ku është e shoqja sepse i duket vetja si beqar. Duke përfunduar, e nderuar letërshkruese, besoj me mbi 90 % se këto sëmundjet e tua janë më tepër të “krijuara” sesa të vërteta, pra, vetë ti je fajtore e “pafaj” për to. Gjithsesi, më me kompetencë mund të përgjigjem pas një seance me psikoterapi.