E nderuar redaksi e gazetës! Po ju drejtohem juve me shpresen se këtë pjesë të trishtë të jetës sime do ta lexojnë edhe meshkujt dhe të venë mend e të mos sillen me gratë e tyre ashtu siç u soll ish-burri im.
Kam lindur në Tiranë para viteve ’90. Jam rritur në rrugicat e lagjes sime duke luajtur me top llastiku e me kukulla lecke, ashtu si gjithë fëmijët e tjerë. Megjithatë, kam patur fëmijëri të lumtur. Prindërit e mi punonin. Mamaja ishte mësuese, kurse babai ishte kapter.
Babai ishte tirans dhe ne kishim shtëpi private. Oborri im ishte i mbushur me pemë; portokalle, mandarina, kumbulla e shumë të tjera. Ishte mrekulli të rrije në dritaren e shtëpisë sime në të gjitha stinët e vitit. Në pranverë pemët ishin të mbushura me lule, në verë e vjeshtë piqeshin frutat. Në dimër kishim portokalle e mandarina, ndërsa shumica e qytetarëve të tjerë i merrnin me racion e u duhej të rrinin në radhë për to.
Shtëpia jonë ishte goxha e madhe. Gjyshi kishte vdekur para se të lindja unë, ndërsa gjyshja më rriti mua, më bëri katër vjeçe dhe ndërroi jetë pas një sëmundjeje të mushkërive.
Më pas shkova në kopësht e shkollë me fëmijët e tjerë të lagjes. Isha e vetmja ndër fëmijët e lagjes që kisha dhomën time të gjumit (ishte ish-dhoma e gjyshes), kisha dhe mobilje dhe veç të tjerave, edhe sëndukun e saj. Edhe sot, kur e kujtoj, më vjen në hundë aroma e rrobave të gjyshes kur hapej sënduku. Babi im ishte fëmijë i vetëm dhe po ashtu edhe unë.
Kështu, unë u rrita e shkova në shkollë dhe dola shkëlqyeshëm jo vetëm se kisha përkujdesjen e mamasë sime që ishte mësuese, por edhe sepse i kisha pasion librat.
Ndonjëherë e mbaj mend të më shanin fëmijët “Mimoza llastica” si në film, kur u thoja që nuk do të dilja të luaja sepse do të lexoja. Kur arrita në klasën shtatë e të tetë, diferenca ime jo vetëm në nota, por edhe në njohuri të përgjithshme ishte shumë e dukshme me fëmijët e komshinjve, kështu që ma hoqën nofkën që më kishin vënë. Edhe në shkollë të mesme kam shkëlqyer në të gjitha lëndët. Sigurisht që më shumë më pëlqente letërsia. Kisha lexuar romane pa fund. Çdo gjë që më binte në dorë e përthithja menjëherë. Konkurrova në Fakultetin e Filologjisë dhe fitova në degën e Gjuhë-Letërsisë. Prindërit e mi nuk ishin dakord me zgjedhjen time. Më thoshin që duhej të studioja në degët e shkencave ekzakte sepse edhe në matematikë e kimi kam qenë shumë e mirë, por mua ma kishin prishur mendjen letërsia franceze e angleze. Duke lexuar shumë romane, më dukej se edhe jeta është si në roman, por në fakt ndodh krejt e kundërta.
Në fakultet, sërish vazhdova të lexoja e të isha studente e mirë dhe e rregullt, por ndryshova shoqërinë dhe, me rritjen, si çdo vajzë tjetër, edhe unë fillova të kërkoja dashurinë e pastër e të kulluar, siç e kisha lexuar në libra.
Dhe dashuria nuk vonoi të vinte. Në fund të vitit të dytë një shoqja ime e kursit më prezantoi me kushëririn e saj që po mbaronte Inxhinieri Ndërtimi. Ishte djalë i pashëm dhe shumë inteligjent. Kishte edhe humor dhe ishte kënaqësi të rrije pranë tij. Pas disa takimesh me të, më hyri në zemër. Në pushimet e asaj vere ai erdhi nga qyteti i tij (sepse është nga një qytet jugor) për të më takuar mua katër herë.
Sigurisht që e vlerësova faktin që vinte për mua. Me shoqërinë e miqësitë e mia fillova të interesohesha se ku mund të gjente punë sepse ai e mbaroi shkollën. Më në fund, një e njohura jonë na tregoi për një firmë private që kërkonte një inxhinier dhe ai filloi punë. Meqenëse filloi punë, ai më tha se tashmë duhej të bënim një zgjedhje: Të martoheshim ose të ndaheshim. Ai tashmë ishte i zoti të mbante familjen sepse kishte një rrogë kurse shtëpinë mund ta blinim avash-avash. Të paktën, kështu më tha mua se ai, në fakt, i kishte bërë mirë planet.
Kur unë fillova vitin e tretë të fakultetit ne vendosëm të fejoheshim. Pas fejesës fillova të njihja edhe pjesën tjetër të familjes së tij. Kishte pesë motra dhe dy vëllezër. Motra e tij e madhe ishte e martuar me një dembel dhe e gjithë familja përpiqej ta ndihmonte, ndërsa motrat e tjera ishin beqare. Vëllai i tij u martua dhe mori gruan e iku në Greqi, ndërsa vëllai i tij i vogël pati fatin e keq të pësonte një aksident dhe vdiq shumë i ri. Vdekja e tij e afroi më shumë të fejuarin tim me prindërit e me familjarët. Ai jetonte në shtëpinë time në Tiranë se unë isha vajzë e vetme dhe prindërit e mi nuk e patën problem që ta fusnin në shtëpi, kështu që ai gjysmën e rrogës e çonte të prindërit dhe gjysmën e sillte në shtëpi. Sa për fillim, edhe unë isha dakord, sepse ata kushtet i kishin shumë të vështira, por shtëpia nuk mbahet me miell hua. Nuk mjaftoi vetëm pjesa e rrogës, por motrat e tij filluan të vinin e të rrinin nga katër-pesë muaj në Tiranë “se mos i sheh njeri e martohen”, thoshte vjehrra ime. Habitesha me këtë lloj logjike, por sërish mendoja se ishte mësuar në fshat. Unë e mbarova fakultetin, menjëherë bëmë dasëm dhe fillova punë në një qendër gjuhësh të huaja si sekretare, por puna nuk zgjati shumë sepse mbeta shtatzënë. Duke shfrytëzuar shtatzaninë time, vjehrra solli e la në shtëpinë e prindërve të mi vajzat akoma më gjatë, me gjithë këmbënguljen time se më ndihmonin prindërit e mi. Por, im shoq me thoshte me të butë që “ato nuk kanë patur asnjë shans e përpiqu t’i kuptosh”.
– Përpiqu t’i kuptosh, thua ti, por nuk mund të ecësh në kurriz të të tjerëve. Si mund të mendosh se prindërit e mi duhet të punojnë edhe për motrat e tua, edhe për ty, edhe për fëmijën tonë? Ti gjysmën e rrogës e çon te prindërit, vajzat i sjellin këtu… Ç’dreq logjike është kjo? – i thoja, por këto filluan të ishin vetëm shqetësimet e para.
Motrat e bashkëshortit tim që bënin sikur ishin të papara e të paditura gjithë pjesën e luanin pas krahëve të mi. Më ngatërruan me burrin jo një herë, por qindra herë.
– Kjo del në dritare sa ikën ti në punë, merret vesh me shenja, – e dëgjova t’i thoshte e motra. – Pastaj, më ngec bebin mua e del e bredh.
Më shpëtoi Zoti që e dëgjova vetë dhe hyra në dhomë ndërkohë që po fliste.
– A mund të më thuash kur ta kam lënë djalin ty? – i thashë. Ajo bëri sikur nuk e dëgjoi pyetjen dhe po paloste ca rroba. – Të thashë të më thuash kur ta kam lënë djalin ty? – kësaj here pyetja ime ishte ulërimë.
Ndërkohë, im shoq u përpoq të më tërhiqte nga krahët për të zbritur në katin e parë dhe për të më thënë që nuk i besonte, por ishte mbushur kupa. Kisha një vit e gjysëm që duroja budallallëqet e fshatit të bëheshin e thuheshin në shtëpinë time, duroja xhelozinë dhe budallallëkun e burrit tim për të mos parë se si ishte e vërteta.
– Nuk zbres poshtë, – i thashë burrit. Ti mblidh plaçkat e tani do të dalësh jashtë. S’më intereson fare se ku do të rrish.
– Nëse nxjerr motrën time jashtë, do të dal edhe unë, – tha burri im.
– Atëherë dilni që të dy. Dhe ti, nëse do që të kthehesh në shtëpi për të rritur djalin bashkë me mua do kthehesh nesër jo më vonë se ora katër e gjysëm, orar kur ti lë punën. Nëse të shkon mendja se do shkosh e do fryhesh edhe më shumë atje te shtëpia e prindërve të tu, me këto katër grifsha që nuk i merr askush, më mirë mos u kthe.
– Do iki dhe ti nuk më nxjerr dot aq kollaj nga shtëpia se edhe unë kam pjesën time, – tha krejt i qetë ai.
– Shtëpia është e prindërve të mi dhe ti nuk ke asnjë pjesë. Dhe mos e ngatërro punën edhe më shumë. Ti e di që s’të takon asnjë pjesë.
Sherri me burrin tim zgjati rreth një vit. Më në fund përfundoi edhe gjyqi i divorcit. M’u duk sikur mora frymë për herë të parë qysh nga koha e shkollës.
Falë Zotit, me njohjet e prindërve fillova punë dhe duke qenë se shtëpinë e kisha, ndihmën e prindërve e kisha, rroga ime dhe e babait ishte e mjaftueshme për të jetuar mirë.
Djali po rritej dhe duhej t’i jepja shpjegim se përse babi nuk ishte në shtëpi asnjëherë. Më dukej shumë e vështirë kur e mendoja se ç’duhej t’i thosha djalit për këtë, por kjo s’kish qenë asgjë para asaj që do të vinte më pas. Ndërsa bënim sherr me tim shoq për divorcin, asnjëherë nuk e besova kërcënimin e tij që edhe ai kishte pjesë në pronën e prindërve të mi. Ne edhe në gjyqin e divorcit nuk bëmë ndarje pasurie sepse nuk e dinim se ç’do të na dilte mbrapa.
Ish-burri im duke qenë se punonte inxhinier dhe ishte në një firmë ndërtimi private, kishte folur me pronarët e vet për të ndërtuar pallat në tokën e prindërve të mi. Ai e kishte thënë dikur si muhabet, por pastaj e mbylli duke thënë se kishte shumë vështirësi në dokumentacion. Dhe ne, që nuk e dinim se ç’dokument kishte firmosur ai me pronarin e firmës së tij, rrinim të qetë.
Një ditë të bukur na erdhi ekskavatori për të shembur shtëpinë se do ndërtohej pallat. Fatmirësisht, në lagje kishim një komshi që punonte në komisariatin e policisë në Tiranë. Ai thirri policinë menjëherë dhe sa për atë ditë sherri u shua. Por prindërit e mi tashmë nuk mund të rrinin të qetë se u pa që diçka luhej pas krahëve të tyre.
Pasi pyetën e paguan shumë avokatë sepse secili thoshte një gjë ndryshe, më në fund e gjetën zgjidhjen. Me një prokurë apo testament që prona e tyre më takonte vetëm mua dhe pa të drejtë të ndryshimit të emrit në asnjë lloj rrethane, në mundëm të ndalonim ekskavatorin edhe 15 herë të tjera që erdhi për të shembur shtëpinë. Në hipotekë ishte grisur fleta e regjistrit. Falë Zotit kishim një kopje të tapisë origjinale në shtëpi të kohës kur e kishte blerë stërgjyshi im, në 1913. Ish-burri i kishte llogaritur mirë gjërat. Kontrata që kishte bërë ishte më shumë në favor të prindërve e motrave të tij sesa në favor të prindërve të mi apo të vetë neve. Nuk kuptoj asgjë nga ai budallallëk që kishte bërë. Me këtë që kishte bërë e pashë se prapa ishte dora e të ëmës dhe motrave, por s’e kuptoj as sot se si një nënë mund të dojë më shumë një fëmijë dhe më pak një fëmijë tjetër. Një kolege që kisha në zyrë kishte kunatën në hipotekë dhe ajo më ndihmoi që të rregulloja dokumentet, më tha edhe se kush e kishte bërë.
Pasi mori fund kalvari i problemeve me shtëpinë, filluam të qetësoheshim e të jetonim si njerëz bashkë me prindërit e mi. Por pikërisht atëherë kur të duket se rregullon gjithçka, del ndonjë gjë e të prish gjithë terezinë. Babai im u sëmur dhe vdiq brenda dy javësh. Humbja e babait ishte e tmerrshme jo vetëm nga ana emocionale, por edhe sepse ai ishte shtylla e shtëpisë. Edhe djali im, megjithëse i vogël, e ndjeu humbjen e gjyshit tij. I mungonin përkëdhelitë e tij, xhirot me gjyshin.
Por jeta vazhdon. Pasi bëmë një vjetorin e babait, u dhashë kafe kolegëve të punës (ata me të cilët më hahej muhabeti më shumë). Në kafe, njëri nga kolegët më tha se kishte kohë që donte të fliste me mua.
– Kam pritur që ta kalosh këtë krizën e humbjes së babait e pastaj të flas unë. Besoj edhe babai yt do të ishte dakord që ti të martohesh…
Mbeta pa fjalë nga këto që dëgjova. Kishim dhjetë vjet diferencë, por ai nuk ishte martuar asnjëherë. Më dukej burrë i mirë, por asnjëherë nuk e kisha menduar se ai mund të dëshironte të martohej me një grua të divorcuar. Por ja që ndodhi.
Kisha gjashtë vjet që punoja në zyrë me të dhe e njihja goxha mirë, kështu që gjërat nuk zgjatën shumë dhe ne u martuam në gjendje civile. Me prindërit e tij në fillim u përpoqa të mbaja distancë meqenëse isha djegur herën e parë, por ndodhi që kishte prindër shumë të mirë. Vëllai dhe motra e tij më shihnin si idhull.
– Shyqyr që vendosi të martohej se do na mbeste kukudh kë shtëpi, – thoshin ata sa herë që bashkoheshim në festa.
Sot jetoj në shtëpinë e prindërve të mi, me tre fëmijë dhe me vjehrren e mamanë time që janë shoqe të ngushta. Megjithëse të dyja janë në moshë, më ndihmojnë për fëmijët. Vazhdoj të shkoj në kinema e teatër si vajzë beqare sepse kam dy mamatë që kujdesen për fëmijët dhe nuk guxoj të debatoj me bashkëshortin, se vjehrra ime fillon e qan:
– Dua t’ju shoh veç të përqafoheni e të putheni. S’dua t’ju dëgjoj të ziheni. Jeta është shumë e shkurtër për t’u zënë.
Dhe unë që i dua të dyja mamatë njësoj, sigurisht që tërhiqem, lë debatin dhe përqafohemi me burrin në sy të dy mamave e fëmijëve dhe përqafimi kalon pastaj me gjithë familjen.