– Jam një zonjë 42 vjeçe. Motra ime ka dalë me HPV. Dua të di, si merret kjo sëmundje dhe cilat janë masat parandaluese? Çfarë mjekimi duhet për të?
Dr. Mehmet Rrodhe Patholog (Citolog): – E nderuar zonjë, HPV ose Virusi i Papilomës Njerëzore, është një prej viruseve më të zakonshme që qarkullojnë e jetojnë në lëkurën e njeriut e mund të transmetohen nga njëri person në tjetrin me anë të çdo prekjeje seksuale. Ka disa tipe të HPV-ve dhe ato ndryshojnë përsa i përket agresivitetit të tyre biologjik dhe llojit të dëmtimit që shkaktojnë në organizëm. Deri më sot janë zbuluar rreth 100 tipe HPV. Sipas rrezikshmërisë së tyre, ato ndahen në dy grupe:
– HPV e tipit 6 e 11 që janë përgjegjëse për shkaktimin e lytheve gjenitale që hasen rreth organeve gjenitale femërore e mashkullore dhe tipet 16-18 (31, 33, 35, 39, 45, 51) si shkaktarët kryesorë të 70 % të kancereve të qafës së mitrës te femrat. HPV-ja kalon nga njëri person te tjetri me kontakt të drejtpëdrejtë dhe në shumicen e rasteve, me kontakt seksual. Tipat e ndryshme të HPV-së vendosen dhe janë të aftë të mbijetojnë vetëm në qelizat sipërfaqësore të lëkurës, të mukozës të qafës së mitrës, të vaginës, të anusit, të vulvës, të penisit, të gojës dhe grykës. Theksojmë se ato nuk rriten në pjesët e tjera të trupit e nuk infektojnë ose të përhapen në rrugët e gjakut apo limfës. Infektimi fillestar nuk mbron ndonjë infektim të mëtejshëm. Në rast se një femër konstaton se është prekur nga HPV-ja, duhet të bëjë një vizitë te mjeku specialist për trajtim dhe duhet të kryejë një Pap-test. Në të njëjtën kohë, edhe burri duhet të trajtohet nga mjeku specialist. Kush rrezikohet më shumë nga infektimi me HPV:
– Femrat që kanë filluar jetën seksuale në moshën nën 18 vjeçe.
– Femrat që kanë më shumë se një partner
– Femrat, partneri i të cilave ka më shumë se një partnere.
– Pirja e duhanit.
– Gjendjet patologjike që dëmtojnë sistemin mbrojtës imunitar të organizmit, veçanërisht të sëmurët me AIDS.
– Personat e infektuar nga virusi HIV.
– Gratë që vuajnë nga diabeti.
– Përdorimi për një kohë shumë të gjatë i kontraceptivëve (tableta që merren pa kontroll mjekësor).
– Gratë me lindje të shumta.
– Gratë me histori sëmundjeje SST (sëmundje seksualisht të transmetueshme)
– Dieta dhe ushqyerja e dobët etj.
Pra, theksojmë se HPV nuk është i njëjtë me HIV sepse problemet dhe simptomat shëndetësore janë të ndryshme. Sot, për mbrojtjen e femrave nga HPV ka dhe dy lloj vaksinash në qarkullim: cardasil, cervarit. Këto bëhen para se femra të ketë aktivitet seksual dhe në konsultë me gjinekologun, po edhe këto nuk të mbrojnë nga të gjitha tipet e HPV-së. Prandaj, çdo grua, nga mosha 25-65 vjeçe duhet të kryejë rregullisht Pap-testin. Duhet të bëni vizita periodike te mjekët specialistë, të detyrueshme sidomos kur keni këto shqetësime: Ka më shumë se një partnere, ka bërë seks të pambrojtur, keni gjakrrjedhje gjatë seksit ose dhimbje, periodat janë të çrregullta, keni qenë seksualisht e abuzuar, vëreni shenja në organet tuaja seksuale apo keni sekrecione dhe kur jeni përdoruese e duhanit. Duhet t’u kushtoni shumë rëndësi të gjitha këtyre shenjave që ju thashë më sipër. Ju faleminderit që më keni shkruar.