Burrat qajnë më vete
Ndoshta qaj për ty, mbështetur në ndonjë mur
Ndoshta pi aq shumë, sa këmbët s’do më mbajnë
Lotët e mi e dashur, s’do t’i shohësh kurrë
Të rrosh m’atë mendimin “burrat jo nuk qajnë”…
Ndoshta edhe përballemi diku në këtë botë
Mos prit që të gëzohem që erdhe e më gjete
Dhe prapë lotët e mi ti s’do t’i shohësh dot
…se burrat qajnë më vete!
Do të them që jam i lumtur, i qeshur në çdo çast
Do t’flas për jetën time ashtu në maja-maja
E mijëra herë të tjera të gjendeshin si ky rast
Me zor do të buzëqeshja e lotët do t’i mbaja! Bledi Ylli
Kënga shqipe
Dashuroj këngën shqipe
Të më dehë gjuha ime
Pret si tehu i një thike
Halle edhe pikëllime.
Adhuroj si zbret bilbili
Nëpër telat e violinës
Më ndriçon porsi kandili
Djeg si zjarr i vetëtimës
Dashuroj një popullore
Se më thotë kush jam unë
Në kët’ tokë arbërore
Zhurmë e shqipes si furtunë
Jam shqiptar me histori
Kënga jonë kulluar shqip
Që nga jugu në veri
Na ka lidhur si me rrip
Se na mban në istikam
Sado botën ta përshkojmë
Këngën shqipe si vullkan
Kurdoherë do ta këndojmë.
Ndaj, këndoni shqiptarishte
Të gjith’ ju që doni këngën
Gegërishte toskërishte
Melhem që shërojnë zemrën… Romeo Gegushi