Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Nuk na e ngjalli babain, siç na premtoi…

Përshëndetje! Jam Ela. Sot vendosa si shumë miq të kësaj gazete, të bëhem pjesë e historive nga jeta pikërisht këtu në gazetën tuaj. Historia ime ka të bëjë me një dhembje të dyfishtë që po më shkatërron shpirtin. Uroj që vëllai im ta lexojë ngjarjen që po shkruaj dhe të reflektojë për dhembjen që na shkaktoi mua, nënës dhe gjithë njerëzve tanë më të dashur. Para njëzet vjetësh mua më vdiq im atë, në një aksident rrugor. Ditën që ndodhi aksidenti, ai ishte nisur për në Greqi. Unë dhe vëllai ishim të vegjël, ai dhjetë vjeç, ndërsa unë shtatë vjeçe. Vetëm një gjë nuk arrij të kuptoj: Pse Zoti na i merr njerëzit më të mirë që mund të ekzistojnë në këtë botë? Jo se ai ishte babai im, po këtë e thonë gjithë njerëzit e familjes, shoqëria dhe kolegët e punës që e kanë njohur nga afër. Dhembja për vdekjen e tim eti ishte e papërshkrueshme. Pikërisht atë ditë, nëna i kërkoi vëllait që të betohej mbi trupin e babait tonë se kur të martohej, nëse do bëhej me djalë, ai do të ngjallte emrin e babait tonë. Genci, edhe pse i vogël, e bëri betimin pa ia kthyer fjalën nënës. Ai atëherë nuk i kuptonte gjërat. Ai ishte i mpirë ashtu si dhe unë, por betimi që bëri vëllai, na krijonte një shpresë sikur me lindjen e një djali në familjen tonë, do na rikthehej njeriu ynë më i dashur, që e humbëm në atë aksident tragjik. Mbas vdekjes së babait, të gjithë e ndihmuan nënën tonë që ajo të mos shkonte në punë, por vetëm të na përkushtohej neve, të na rriste me gjithë të mirat. Ne kishim shtatë halla dhe asnjë xhaxha. Hallat ishin ato që investuan që ne të rriteshim pa na munguar asgjë. Ato na donin shumë e veçanërisht Gencin, e shikonin si dritën e syve. “Ti do na ngjallësh vëllanë”, i thoshin ato gjithmonë. Ne u rritëm në unitet me gjithë fisin, kushërinjtë na u bënë krah dhe mundoheshin të na e lehtësonin dhembjen. Djemtë e hallave ishin më të mëdhenj se ne, ata emigruan dhe na dërgonin lek që ne të mos e ndjenim krizën ekonomike. Nga kjo anë, falënderoj Zotin dhe të gjithë njerëzit e mi, që na u bënë krah që ne të rriteshim pa strese.
Kur Genci u bë njëzet vjeç, shkoi në emigracion te kushërinjtë në Gjermani. Ata e ndihmuan shumë duke i gjetur një punë dhe duke bërë të pamundurën për t’i bërë dokumentet. Por, ashtu siç e dini edhe ju, për të bërë dokumentet në Gjermani është shumë e vështirë, kishin kaluar tre vjet dhe Genci nuk kishte ardhur asnjëherë në Shqipëri. Mamin e kishte marrë shumë malli dhe mua, gjithashtu. E vetmja mënyrë që i kishte mbetur atij për të bërë dokumentet, ishte të martohej me një gjermane. Këtë problem ia zgjidhën kushërinjtë, duke i gjetur një vajzë shtatë vjet më të madhe se ai, vetëm për të rregulluar dokumentet. Ata kishin bërë një pakt me vajzën se do t’i jepnin një shumë lekësh, në këmbim të kësaj martese fallco. Jo pa qëllim, kushërinjtë e mi e kishin gjetur vajzën më të madhe se Genci, në mënyrë që ai të mos tërhiqej prej saj, por ajo që nuk duhet të ndodhte, ndodhi. Vazja gjermane e gjeti Gencin djalë naiv e të parrahur nga jeta dhe e manipuloi duke bërë që ai të binte në dashuri me të. Iu desh që të vinin të dy në Shqipëri për të bërë celebrimin. Unë dhe nëna u gëzuam shumë e i pritëm të dy. Ajo ishte një vajzë e shëndoshë dhe bionde, me Gencin dukeshin si dita me natën, po ç’rëndësi kishte? Ai vetëm për dokumentet e donte dhe neve as që na shkonte në mendje se midis tyre mund të kishte një lidhje intime.
Por fatkeqësisht, gjërat nuk ishin ashtu siç ne e mendonim. Ashtu si pa dashje unë një ditë zbulova se midis tyre kishte më shumë se kaq. Të dy ata ishin në dhomën time, ajo kishte lënë pak derën hapur dhe unë pashë se ata po putheshin si dy të dashuruar. Në ato momente, nuk e doja më veten, mjekra po më dridhej dhe sytë më ishin mbushur me lot, nuk e dija se si do t’ia thoja një gjë të tillë nënës. Edhe dy ditë kishin mbetur dhe ata do të niseshin për në Gjermani. Pa i treguar mamit, bisedova me Gencin dhe ai, pa iu dridhur qerpiku, e pranoi se e donte atë vajzë dhe se martesa e tyre ishte tepër serioze. Mua sa nuk më iku mendja, po më e madhja ndodhi kur e mori vesh mami. Ajo, me lot në sy, i tha Gencit: “Mos harro se më ke bërë një premtim dhe ishte premtim që e bëre para trupit të babait”.
Ne diskutonim dhe gjermania nuk po kuptonte asnjë gjë. Atë ditë, Genci, i revoltuar, mori valixhet dhe shkoi në hotel. Atë natë, pas shumë vitesh, u duk sikur në familjen tonë ndodhi një fatkeqësi e dytë. Ai iku dhe prej asaj dite, nuk patëm më kontakte me të, kushërinjtë i kishin folur duke e kërcënuar se nëse nuk do të na fliste neve, ata nuk do ta ndihmonin më dhe as që nuk do t’i flisnin më me gojë. Pas dy vitesh ai na mori në telefon dhe na njoftoi se martesa me gjermanen kishte marrë fund, madje ata kishin nisur procesin e divorcit. Ne u gëzuam shumë. Të paktën nga ato dy vjet që nuk folëm, doli diçka e mirë. Ai ishte bërë me dokumente të rregulla në Gjermani, madje i kërkoi mamit që t’i gjente një nuse të mirë nga Shqipëria. Mami aq donte dhe vuri në lëvizje gjithë fisin derisa i gjetëm një vajzë shumë të mirë ose të paktën kështu na kishin thënë. Ajo ishte nga fshati, por e rritur në një familje me norma. Ndërkohë, edhe unë isha fejuar dhe prisja ditën e dasmës. Më parë bëmë dasmën e Gencit…
Ju nuk e keni idenë se çfarë dasme u bë. Si gjithmonë, edhe në këtë rast, ishin kushërinjtë dhe hallat ato që kontribuan më shumë. Gëzimi në sytë e tyre ishte i papërshkrueshëm. Për mamin, por edhe për mua, ajo ishte dita më e lumtur mbas vdekjes së babait tonë. Nusja ishte e mirë, e edukuar dhe na respektonte shumë. Të gjithë ne e donim e mezi prisnim që ajo të na gëzonte me një fëmijë. Mbas disa muajsh, ajo shkoi në Gjermani te Genci dhe mbas një viti, na telefonoi për të na dhënë lajmin e gëzuar se më në fund, priste një fëmijë. Mami filloi të qante dhe hallat po ashtu. Të gjithë mezi e kishin pritur këtë ditë; i gjithë fisi ynë e mori Gencin dhe e uronin “me ndonjë djalë”. Kur nusja ishte tre muajshe, ata erdhën në Shqipëri të dy, për të festuar Vitin e Ri dhe një natë para festës, nusja kishte një dhembje të fortë në fund të barkut, që u pasua nga hemorragji. Kur shkoi në spital, doktorët na dhanë lajmin e trishtuar se nusja e kishte humbur fëmijën. Ishte një dhembje shumë e madhe. Pas vdekjes së tim eti, për herë të parë e shikoja Gencin duke derdhur lot. Ata e donin shumë atë fëmijë. Atë vit, zëre se nuk e festuam fare Vitin e Ri. Nusja e Gencit kishte mbetur shtatzënë edhe dy herë të tjera mbas dështimit dhe prapë nuk i kishte mbajtur dot. Kishin kaluar gjashtë vite dhe Genci akoma nuk ishte bërë me fëmijë. Nëna ishte bërë vërtet shumë merak, në mendje vetëm ai i rrinte. Ndërkohë, unë isha martuar dhe isha bërë me vajzë. Një ditë pashë në ëndërr tim atë që më tha “erdha unë!”.
Atë ditë më mori Genci në telefon dhe më tha: “T’ju rrojë nipi, sot unë u bëra me djalë”. Atëherë me erdhi në mendje ëndrra që kisha parë. Unë nuk po u besoja veshëve, ata na e kishin mbajtur të fshehtë shtatzaninë e nuses, me qëllim që ne të mos gëzoheshim para kohe dhe pastaj të zhgënjeheshim prapë. Po ç’rëndësi kishte? Ne fluturuam nga gëzimi për faktin që ishim bërë me nip. Më në fund, do na realizohej betimi që Genci kishte bërë mbi trupin e babait tonë, por për fatin tonë të keq, ai nuk e mbajti premtimin, ai i kishte thënë nënës se nuk deshi nusja që t’i vendosnim emrin e babait, pasi fakti që kishte dështuar disa herë fëmijët ajo kishte përsëri frikë që t’i vendoste emrin e një të vdekuri. Genci edhe sot e kësaj dite, nuk e di për ëndrrën që unë kisha parë. Ai na e theu shumë zemrën, nëna është shumë e mërzitur, i gjithë fisi zjeu nga llafet, sidomos hallat. “E rritëm me gjithë të mirat thonë dhe ja, si na e shpërbleu, nuk na e ngjalli emrin e vëllait tonë të vetëm”, thoshin.
Unë kam një vit që nuk i flas vëllait, se ai na doli i pabesë, nuk e prisnim që ai të sillej në këtë mënyrë. Një ditë ai duhet të na japë shpjegim pse vendosi dëshirën e nuses së tij, para betimit që i dha nënës sonë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (5) View Comments (5)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Shpjegimi i endrrave tuaja...

Next Post

Gjon Karrica: Zgjodha brazilianen, sepse është e nxehtë...

Advertisement