Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Zemrën ma ka shëruar vajza ime

Jam një vajzë e re që jetoj në Berat. Mund t’ju duket e çuditshme, por megjithëse jam vetëm 22 vjeçe, unë kam një vajzë. E kam lindur kur isha njëzet vjeçe, që do të thotë se ajo tani është dy vjeçe. Eljana është gëzimi i jetës sime. E quaj veten me fat që kam një fëmijë, sepse mendoj se fëmijët janë bekim i Zotit. Tani jetoj me prindërit e mi, që e duan vajzën time si jetën e tyre. I kam vënë asaj emrin e të atit, megjithëse ndonjë tjetër, po të kishte qenë në vendin tim, me siguri nuk kishte për ta bërë këtë. Megjithëse Eljani me theu zemrën, e desha me gjithë shpirt dhe them se vajza ime e meritonte të merrte emrin e atij njeriu, dashuria për të cilin qe edhe burimi i jetës së saj…
U njoha me Eljanin dhe u dashurova me të sa e pashë. Isha vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçe dhe kjo qe dashuria ime e parë. Mund ta merrni vetë me mend se sa shumë e desha atë djalë. Dashuria e parë është nga ato dashuri që nuk harrohen kurrë. Nuk e them unë, e kanë thënë edhe shumë të tjerë para meje. Unë vetëm e vërtetova, me atë që ndjeva. Eljani jetonte në të njëjtin pallat me ne dhe e njihnim familjarisht. Kjo ishte njëra nga arsyet se pse i besova plotësisht atij njeriu. Prindërit e tij më donin shumë dhe më përshëndesnin përzemërsisht sa herë shiheshim nëpër shkallët e pallatit. Së ëmës i kishte rënë në sy lidhja jonë dhe, siç më thoshte Eljani, ajo mezi priste që ne të fejoheshim e të martoheshim.
– Nëna çmendet pas teje – më tha ai një ditë, ndërsa qeshte – Nganjëherë më duket sikur më shumë të do ty sesa mua. “Hë pra, kur do të fejoheni?”, më pyet.
– Po hë pra, kur do të fejohemi? – i thashë unë.
– Po ja, të rritesh edhe pak… Je shumë e vogël – më tha ai dhe vazhdoi të qeshte.
Megjithatë, kalonin vite e jo muaj dhe ndërsa unë dashurohesha edhe më shumë me Eljanin, ai largohej e largohej prej meje. Kur prindërit e tij nuk ishin në shtëpi, shkoja shpesh në shtëpinë e tij dhe isha bërë thuajse si bashkëshortja e tij. Prindërit e mi e dinin për lidhjen tonë, por fakti që Eljani nuk e hidhte hapin për të kërkuar dorën time, i stepte disi. Një ditë, babai më mori më vete dhe më pyeti se si po shkonin punët midis nesh. Më erdhi shumë turp dhe i thashë se po shkonim shumë mirë.
– Po ai nuk po bën asgjë për ty – më tha ai – Më duket se thjesht po tallet…
– Ne duhemi… – i thashë dhe sytë m’u mbushën me lot.
– Të do, të do, por jo për grua! – më tha ai. – Zgjidhe këtë problem tani, sa je ende në kohë, se më vonë gjërat do të shkojnë keq e më keq. Ju duhet të ishit fejuar tani. Të gjithë janë në dijeni të lidhjes tuaj dhe s’ka kuptim ta zgjasni më. Ky muhabet duhet ndarë një herë e mirë, ose bashkë e të fejuar, ose të ndarë!
Fjalët e babait më ranë si çekan mbi kokë. Megjithëse as unë nuk ndihesha mirë që ne e vazhdonim lidhjen në atë mënyrë, kurrë nuk e kisha vrarë mendjen seriozisht se çfarë po bëhej me mua. Sapo e takova Eljanin, i thashë se duhet të flisnim për diçka të rëndësishme. Ai u bë menjëherë serioz dhe më hodhi një vështrim thuajse të egër. Në fillim më habiti, por nuk i dhashë shumë rëndësi kësaj. Në fund të fundit, ai nuk e dinte për çfarë doja t’i flisja… Në të vërtetë, kështu mendoja unë, sepse Eljani e dinte shumë mirë për çfarë mund t’i flisja unë. Po atë ditë, babai im kishte shkuar ta takonte në punë dhe e kishte pyetur se çfarë mendonte të bënte me mua, kështu që, kur nisa bisedën, Eljani ishte i përgatitur. Ai kishte përgatitur madje edhe përgjigjen që do të më jepte…
Sapo i thashë se ne duhet të mendonim përtë ardhmen tonë, ma preu shkurt:
– Për të ardhmen tënde mendohu vetë, ndërsa unë mendoj për timen. S’e kuptoj se pse duhet të mendoj unë për të ardhmen tënde…
Mbeta pa fjalë. Nuk e prisja këtë qëndrim të prerë prej tij. Desha të flisja, por lotët nuk më lanë të nxirrja asnjë fjalë. Nuk kisha më forcë të qëndroja pranë tij, ndaj dola me vrap jashtë dhe Eljani, nuk më ndoqi pas, siç mund të kishte bërë herë tjetër. Zbrita shkallët dhe u futa në shtëpinë time. Aty më priste një furtunë tjetër. Im atë ishte i acaruar në kulm dhe më priti me këmbët e para
– Erdhe? – më pyeti sa hyra dhe u bë gati të fliste, por kur pa se sytë i kisha me lot, u step. – Çfarë ke? – më tha, por unë u futa me vrap në dhomë dhe mbylla derën pas meje. Babi, megjithatë, u fut brenda dhe, pa më treguar se çfarë i kishte thënë Eljani kur e kishte takuar, u mjaftua me këto fjalë:
– Ai nuk të meriton! Ai nuk të meriton! – më tha dhe më përqafoi fort. Tërë pasditen e kalova duke qarë. Në mbrëmje, në shtëpinë tonë erdhën prindërit e Eljanit. E ëma, me lot në sy, më përqafoi dhe më tha se do të kishte bërë gjithçka që unë të bëhesha nusja e djalit të tyre, por ai kishte hequr dorë prej meje… Babai im u bë gati të fliste, por ata nuk e lanë.
– Janë të kota fjalët! – tha mamaja e Eljanit – I gjithë faji është i tim biri. Do ta merrni vesh shumë shpejt se pse nuk po fejohet me vajzën tuaj… vetëm diçka mund t’ju them: Ju jeni prindër më të lumtur se ne.
Kaq thanë ata dhe dolën. Shumë shpejt, unë mora vesh se isha shtatzënë, kurse në lagje morëm lajmin se Eljani kishte ikur jashtë shtetit me një vajzë që e kishte dashur dikur dhe që tani punonte si prostitutë në Itali. Prindërit e Eljanit mbetën vetëm dhe tani, që unë kam lindur mbesën e tyre, vijnë ta takojnë atë dhe e duan jashtë mase. I ati i saj nuk ka ardhur kurrë ta shohë, por kjo nuk më bën asnjë përshtypje. Zemrën e kam të shëruar. E ka shëruar vajza ime, që ma ka mbushur jetën me gëzim…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Nuk dua të gërhas më!

Next Post

Kida: S’mendoj hiç për djemtë!

Advertisement