Jam e lumtur që më në fund mora guximin të shkruaja në gazetën “Intervista”. Tanimë jam bërë lexuese e rregullt e saj. Unë jam një vajzë e re, 22 vjeçe, nga Përmeti. Në shkollë të lartë kam studiuar për Gazetari. Fitova konkursin në degën që doja, por meqë jam vajzë e urtë, e mbyllur në vetvete, në fillim mërzitesha shumë në Tiranë. Me kalimin e kohës njoha shumë shokë e shoqe dhe ia kalonim shumë mirë. Edhe me mësime isha mirë. Një shoqja ime, një ditë, më njohu me një djalë që e kishte ajo në klasë. Kur u takuam për herë të parë nuk më bëri përshtypje dhe m’u duk si mendjemadh. Takimet tona me kalimin e kohës u shtuan dhe ai filloi të më pëlqente. Shumë herë fillova ta merrja vetë e para në telefon dhe ta ftoja për kafe. Edhe nga Gerti shikoja një interesim reciprok. Filluam të shkëputeshim nga grupi shoqëror dhe të dilnim vetëm, derisa një ditë ai më propozoi. Unë as e refuzova, por as nuk i ktheva përgjigje pozitive menjëherë. Gerti më tha se do të priste derisa të thoja “po”. Kur e pa që unë nuk po vendosja dot nuk duroi dhe më puthi menjëherë. Në atë moment nuk mund të shmangesha më edhe unë dhe fillova ta puthja. Tek ai djalë më pëlqenin shumë gjëra; ishte i sjellshëm, simpatik, inteligjent. Gerti ishte nga Saranda, por rrinte në Tiranë në konvikt dhe vazhdonte shkollën për Mjekësi. Edhe shoqja ime e ngushtë ishte në konviktin për studentët e mjekësisë, ndaj unë shkoja shpesh atje. Pasi u lidha me Gertin, fillova të rrija gjithë ditën andej dhe ndonjëherë flija te shoqja. Gjatë kësaj kohe që isha të lidhur nuk patëm asnjëherë grindje ose sherre të rënda përveç ndonjë mosmarrëveshjeje të vogël. Lidhja jonë zgjati gati dy vjet. Kurrë nuk më kishte lënë shkas që të dyshoja tek ai dhe as të më bënte xheloze, por as unë nuk e kisha bërë një gjë të tillë. Bënte shumë pas meje, më donte shumë, më kishte prezantuar motrat dhe vëllezërit e tij. Me një fjalë, lidhja jonë po shkonte drejt fejesës, por nuk ishte e thënë që të ndodhte kështu. Gjatë një fundjave kur unë duhet të shkoja në Përmet për të takuar njerëzit e mi, në Tiranë kishin ndodhur shumë gjëra që do t’i jepnin fund lidhjes sonë.
Kur u ktheva pas tre ditësh, e takova, por vura re një ndryshim në sjelljen e tij. Sillej shumë ftohtë me mua. Atë ditë nuk i thashë gjë, pasi mendova se mund të ishte i lodhur, ngaqë ishte sezon provimesh, por në takimin tjetër, kur ishim së bashku me shokët e shoqet, vura re një situatë shumë të dyshimtë. Gjendja dukej si e nderë dhe askush nuk bënte më shaka si më parë. Mendova se mos ata të gjithë më mbanin një të fshehtë dhe vërtet, kishte qenë kështu.
Po atë ditë, e mora më vete të dashurin tim dhe ngulmova që ai të më tregonte të vërtetën, se çfarë kishte ndodhur në mungesën time. Pasi e pa se nuk mund të më shpëtonte aq lehtë, ai më tha se gjatë fundjavës, ai, së bashku me shokët e shoqet kishin qenë në Durrës. Atje kishin pirë dhe ishin shoqëruar me disa vajza durrsake, që i kishin ftuar në shtëpinë e tyre a nuk e di se ku. Atje, i dashuri im kishte shkuar në shtrat me njërën nga këto vajza. Ai m’u lut shumë që ta falja, duke u justifikuar se kishte qenë i dehur dhe se ai ishte mashkull e nuk mund të rezistonte para tundimit, por këto e zbehën edhe më shumë imazhin e tij në sytë e mi. I kërkova të largohej një herë e mirë nga jeta ime, megjithëse ai m’u ul në gjunjë që ta falja dhe më thoshte se kjo nuk kishte për të ndodhur më kurrë. E kisha vendosur që t’i jepja fund një herë e mirë me të, por me sa duket, më kot, pasi dashuria që ndjeja brenda meje ishte më e fortë se unë.
Gerti ngulmonte të më takonte edhe më vonë. Herë pas here vinte te konvikti të më kërkonte, më ndalte në rrugë dhe më thoshte se më dashuronte. Arriti deri aty sa nisi të qante për mua dhe u bë si i çmendur. Në këtë moment, hyri në lojë shoqëria. Të gjithë më sugjeronin që ta falja të dashurin tim për këtë mëkat që kishte bërë, sepse ai vërtet ishte shumë i dashuruar me mua. Pas shumë ngulmimesh, kështu bëra. Kur i thashe se e kisha falur, ai nuk priti, por m’u hodh në qafë dhe me lot në sy, si një fëmijë i vogël, nisi të më thoshte: “Faleminderit shumë, do ta shohësh që nuk do të zhgënjehesh më nga unë”.
Gerti më ftoi të nesërmen në kafe dhe ne e vazhduam lidhjen si më parë. Ai më donte shumë dhe më respektonte, por edhe unë gjithashtu. Nga viti i fundit i fakultetit, vendosëm të fejoheshim. Tani kemi bërë planet për martesë. Edhe unë, edhe Gerti i kemi premtuar njëri-tjetrit se do ta harrojmë përgjithnjë atë që ndodhi.
Advertisement