«E vetmja mënyrë për t’u çliruar nga tundimi, është t’i dorëzohesh atij », thoshte Oskar Uajlld. Pse shërben të ngrënit, nëse më pas ndjen nevojën për të mbajtur dietë? Pse e ndjejmë ne një nevojë të tillë? Ky test duhet t’ju ndihmojë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje…
1. Sipas jush, silueta prej gazele e një gruaje, u ngjall burrave:
a. Admirim
b. Indiferencë
c. Dëshirë
2. Po festoni bashkë me miqtë. Shumë të ftuar, plot për të ngrënë… Ju:
a. Shmangeni pak nga rregullat që i keni vënë vetes.
b. Shijoni pak nga të gjitha, është një ditë e jashtëzakonshme!
c. Evitoni ëmbëlsirat, si zakonisht.
3. Është e sigurtë se partneri i adhuron format tuaja, me kusht që ju:
a. T’i pranoni me humor.
b. T’i doni gjithsesi.
c. Të jeni seksi.
4. Së shpejti, vjen vera. Për t’u ndjerë mirë në plazh, ju filloni me:
a. Lëvizje të përditshme gjimnastikore.
b. Përgatitjen e planit të pushimeve.
c. Një dietë drakoniane.
5. Ngrënia, për ju, është:
a. Mënyrë për të ushqyer trupin.
b. Kënaqësi
c. Shuarje urie.
6. Cilën nga këto tre dieta e gjykoni më efikase për të ruajtur linjën?
a. Dietën e varfër me kripë
b. Dietën makrobiotike vegjetariane, të përbërë kryesisht nga drithërat, perimet dhe frutat.
c. Dietën hipokalorike, që ka sa më pak kalori të mundshme.
7. Kur shihni një burrë/grua obeze, mendoni për:
a. Një skulpturë të Niki de Sent-Fal.
b. Një njeri që di të shijojë jetën
c. Një vullnet të dobët.
8. Sapo keni ngrënë një copë tortë. Menjëherë paskëtaj, ndjeheni:
a. I/e plotësuar
b. I/e kënaqur
c. Fajtor/e
9. E dielë në familje, jashtë bie shi. Pas drekës, jeni ulur qetësisht në divan dhe:
a. Mendoni për kostumin e ri që keni blerë.
b. Shijoni deserin e shërbyer me kafe.
c. Deklaroni se, që nesër, do të filloni dietën.
10. Jeni regjistruar në një klub sportiv dhe shkoni për të gjetur:
a. Pajisjet e duhura për të forcuar muskujt.
b. Miq për të diskutuar.
c. Këshilla dhe ndihmë për t’u dobësuar.
11. Cili objektiv ju duket prioritar në jetë?
a. Të arrini atë që doni.
b. Të jeni i/e lumtur
c. T’u pëlqeni të tjerëve.
Rezultatet
Nëse keni dhënë më shumë përgjigje a. Jeni i/e fiksuar, me raste.
Po, ju mund të jeni i/e fiksuar pas idesë për të mbajtur një dietë, sepse jeni i/e shqetësuar për imazhin tuaj, por kjo ndodh vetëm kur ai nuk ju kënaq, ose kur duhet të kapërceni një problem në jetë. Të tilla mund të jenë mosmarrëveshjet me prindërit, agresiviteti i një motre apo vëllai, një shef i padurueshëm në punë, presioni i një të afërmi ose problemet me lidhjen, që shpesh, kompensohen duke ngrënë shumë, ose duke ngrënë orë e minutë mes vakteve. Ju ndjeheni shpesh i/e zemëruar me veten kur nuk arrini atë që doni, hani pa kufi, pastaj filloni dietën për t’u rikthyer në formë, por duke dëmtuar shëndetin.
Shija juaj për ushqimet varet shumë nga emocionet turbulluese që ndjeni; trishtim, zhgënjim, fatkeqësi, etj. Më pas, keni tendencë të fshiheni pas një diete kur nuk keni më forcën për të afirmuar dëshirat e zgjedhjet, me një fjalë, veten tuaj. Sapo të keni një problem në jetën tuaj sentimentale, seksuale, profesionale, ia vishni fajin siluetës suaj, me një fjalë, filloni një dietë për të ndryshuar trupin tuaj, sipas modeleve që ju joshin, që t’i shtoni vlerat vetes.
Por, për fat të mirë, fanatizimi juaj nuk zgjat kurrë shumë gjatë. Sapo kapërceni shtrëngimet që i keni caktuar vetes, i harroni dhe, të apasionuar pas diçkaje tjetër, duket se dilni nga purgatori i bukurisë dhe rigjeni idealet tuaja të zakonshme. Kështu, kënaqni edhe njerëzit që keni rreth e rrotull. Ndjeheni i/e relaksuar, e pranoni veten ashtu si jeni. Nëse do të bënit një dietë të ekuilibruar, duke mos e detyruar veten me privime të tepruara, do ta ruanit më mirë linjën dhe do të ndjeheshit më mirë, duke mos u varur më nga një llogaritje e thjeshtë kilogramësh për të afirmuar personalitetin tuaj. Kjo është më e rëndësishmja. Mos u trembni, një ditë do t’ia arrini edhe kësaj…
Nëse keni dhënë më shumë përgjigje b. Nuk jeni fare i/e fiksuar
Për fat të mirë, ju nuk jeni fanatik/e pas dietave, bile deri në atë masë, sa nganjëherë ju vjen keq kur shiheni në pasqyrë e ju duket vetja ose shumë i/e shëndoshë, ose e kundërta! Është e vërtetë se nuk fiksoheni seriozisht pas asnjë lloj gjëje, aq më pak pas pamjes së jashtme, sepse nuk shëndosheni kurrë shumë, ose ngaqë nuk i kushtoni shumë vëmendje trupit. Zgjidhje tjetër; ju bëni kaq shumë fizkulturë, sa i digjni të gjitha kaloritë që merrni, gjë që mbetet mënyra më racionale për të ruajtur formën. Sido që të jetë, vlerat që ju preferoni, bazohen më shumë te shpirti sesa te dukja. Lumturia juaj shpirtërore është më e rëndësishme sesa pamja e jashtme. Ju pëlqen të jetoni mirë, keni humor e jeni komunikues/e dhe vetë ideja e mbajtjes së një diete ju duket e papajtueshme me konceptimin tuaj të lirisë.
Keni vendosur, pra, të mos fiksoheni pas dietave, ashtu si të tjerët vendosin të mos pinë alkool apo duhan. Për gjërat e tjera keni besim te metabolizmi juaj. Qofshit i/e dobët, me peshë normale apo mbipeshë, megjithëse nganjëherë ushqeheni pa u menduar, ndjeheni mirë me trupin që keni. Jeni i/e ekuilibruar, i/e kënaqur nga jeta dhe ndjekja e dietave ju duket një shenjë e të qenit i pandërgjegjshëm. Çdo ditë merreni me gjëra më të rëndësishme, bile edhe diskutimi për dietat ju duket kot. Dëshira për të pasur një trup të hollë, të brishtë, si të një adoleshenti, e promovuar nga një shoqëri që adhuron rininë, është për ju një shenjë konformizmi që frenon plotësimin e personalitetit. Megjithëse mungesa e fiksimit është e mirë, e dini edhe që, të hani me masë, është akoma më mirë. Jeni, pra, shumë i/e ditur.
Nëse keni dhënë më shumë përgjigje c. Jeni shumë i/e fiksuar
Ju jeni fanatik/e e dietave, sepse imazhi juaj nuk ju kënaq. Lëkundeni ndërmjet fiksimit e frenezisë dhe, për t’u dobësuar, për të harruar, pra, për ta imagjinuar veten në një trup ideal imagjinar, bëni dietë pas diete. Por, ju shtoni në peshë sapo e ndërprisni atë, pastaj rifilloni një tjetër para se të rimerrni përsëri kilogramët që doni të hiqni qafe.
Ju jetoni mes anoreksisë dhe bulimisë. Jeni i/e fiksuar pas dietave nga frika se nuk do t’ju duan, se nuk do të jeni në lartësinë e duhur në mjedisin që ju rrethon apo në punë. Por, të qenit i dhënë pas dietave është njësoj si të hash shumë, pra, një mënyrë për të mohuar të drejtën për të afirmuar vullnetin duke imponuar personalitetin. Kjo do të thotë se e konceptoni veten më të shëndoshë sesa jeni në të vërtetë. Jeni i/e aftë të merrni masa drastike, ose ta privoni veten nga gjithçka për të mbrojtur, ose për të dënuar veten. Kështu, dëmtoni shëndetin dhe e ndërlikoni më shumë jetën.
Në kulturën bashkëkohore, ku dëshira dhe kënaqësia kanë një rol shumë të rëndësishëm, të kesh një trup që ngjall dëshirën, është një garanci dashurie. Ndërmjet dy alternativave, të pranosh trupin me defektet e tij (që shpesh nuk janë të tilla për partnerin e dashuruar), ose ta refuzosh, ju zgjidhni të dytën, pra, mbani dietë me shpresë se do të keni një jetë e dashuri normale nëse do të keni një trup më të dëshirueshëm.
Për të evituar këtë kurth, shkëmbejini dietat tuaja me nocione të shëndetshme të të ushqyerit dhe vendosni të mos shqetësoheni kaq shumë për peshën apo për sasinë e ushqimit që hani. Jo vetëm do të ndryshoni vetë, por do të konstatoni se edhe bota rrotull jush do të ndryshojë.