Më dërgoi mesazh të ndaheshim
– Kam parë në ëndërr sikur i dashuri im më dërgoi sms ku shkruhej: “Do të ndahemi, nuk mundem më”. Unë u përpoqa t’i telefonoja, por më pengonin disa njerëz. Theksoj se pas sms-së, vetëm qaja. Ju lutem, më ktheni përgjigje, se jam në merak.
– Një ëndërr e tillë tregon se do të bëni një debat me të dashurin, gjë që do t’ju lëndojë paksa. Do të ndiheni si e braktisur, por në fakt, pas kësaj do të lidheni akoma më shumë me njëri-tjetrin. Do të jetë ai që do t’ju ngushëllojë e do t’ju qëndrojë pranë.
Fluturim dhe fushë me jeshilllëk
– Mbrëmë kam parë në ëndërr sikur po fluturoja në një rrugë të ngushtë dhe shikoja rreth vetes fusha të tëra me jeshilllëk. Më pas shikoja lisa të gjatë në të cilët ishin mbështjellë gjarpërinj. Kjo më frikësoi aq shumë saqë ecja me vrap nëpër fushë, por gjithandej shikoja lisa të gjatë dhe gjarpërinj. Ju lutem, më thoni, çfarë kuptimi ka?
– Të fluturuarit, siç e kam thënë edhe herë të tjera, paraqet ndjenjën e lirisë, synimet tuaja në jetë, vështirësitë dhe mënyrën se si i kapërceni ato. Paraqet gjithashtu botën tuaj të brendshme shpirtërore. Lisat e gjatë që keni parë, simbolizojnë jetën e gjatë, stabilitetin, forcën, tolerancën, urtësinë dhe properitetin. Ju jeni person i fortë, keni aftësinë ta ndërtoni çdo gjë në themel të fortë, pavarësisht se në pamje të parë ta jepni përshtypjen sikur trembeni menjëherë. Gjarpëri, sa është simbol erotik, po aq edhe përfaqëson frikën tuaj ose diçka që ju shqetëson dhe të cilën e dini vetëm ju. Ju uroj fat!
Po bëja seks me dy femra
– Çfarë do të thotë të shikosh në ëndërr sikur bën seks me dy femra? Nuk bëj shaka, është e vërtetë që e kam parë këtë ëndërr. Pres një përgjigje dhe ju përshëndes. Theksoj që ëndrra të tilla shikoj shumë shpesh.
– Një ëndërr e tillë, aq më tepër kur e shikoni shpesh, e ka bazën në hormonet tuaja. Jeni në një fazë në të cilën keni nevojë për afrimitet fizik, për intimitet, dashuri, ndoshta sepse në jetën reale ndiheni pak të lënë pas dore në këtë pikë. Një ëndërr e tillë ju bën të shkarkoheni disi nga ana emocionale, pse jo, edhe fizike. Nuk ndiheni i plotësuar në realitet, ndaj është më se normale të shikoni ëndrra të tilla.
Më kishin dalë puçrra
– Pashë në ëndërr sikur shkova te mjeku për shkak të disa puçrrave që më kishin dalë. Në bark sikur po më binte lëkura dhe po më dilte një lëng i çuditshëm. Doktori më tha se ishte sëmundje vdekjeprurëse, por nuk duhet të shqetësohesha sepse nuk ishte e rëndë. Unë, në fakt, herë pas here kam probleme shëndetësore. A ka ndonjë kuptim kjo ëndërr, ju lutem?
– Sigurisht që ka kuptim. Nënndërgjegjja, nëpërmjet ëndrrës, ju transmeton një mesazh pozitiv. Nuk duhet të shqetësoheni për çfarë keni kaluar sepse gjendja juaj shëndetësore po përmirësohet dita-ditës. Mjafton të jeni i kujdesshëm dhe të shkoni herë pas here te mjeku për kontroll. Rënia e lëkurës tregon rigjenerimin. Pra, ju do ta merrni veten, prandaj s’keni pse të shqetësoheni.
Qeni agresiv
– Në ëndërr pashë një qen agresiv që po bënte xhiro nëpër shtëpi. Pastaj, sikur më sulmoi. Në krah kisha edhe vajzën time të vogël e një mace. Qeni u afrua përsëri dhe e gërvishti aq shumë vajzën, sa e vrau fare. Pastaj, unë e përplasa qenin nga njëra portë te tjetra sepse doja ta vrisja.
– E dini tashmë që gjendeni në një situatë shumë të vështirë dhe ëndrra tregon pikërisht këtë gjë. Këtë situatë jua krijon një person që herë pas here ju bën presion dhe që ka lidhje me vajzën tuaj. Ju mundoheni ta mbroni vajzën me ç’të mundeni, por ju duket e vështirë. Duhet të ruani gjakftohtësinë sepse asgjë nuk zgjidhet me agresivitet. Nuk përjashtohet mundësia që qeni të përfaqësojë edhe instiktet tuaja të brendshme në lidhje me çdo gjë që ju rrethon. Në këtë periudhë, besojini instiktit tuaj.