Arditën e takova në një ambient shoqëror. Më bëri përshtypje stili i saj, por nuk e njihja deri në momentin kur erdhi e m’u prezantua, duke më thënë se donte të fliste me mua. U habita nga kërkesa e saj, por në bisedë me të, mësova se sapo i kishin thënë që isha gazetare, kishte vendosur të bënte publike historinë e saj, siç më tha, “për të ndihmuar ato vajza, që ndoshta ndodhen në situatën ku ishte ajo disa vjet më parë”. Kishte të drejtë; historia e saj ia vlen të lexohet nga ju…
Klaudia Malaj: – Përshëndetje zonja Ardita! Faleminderit që pranove të tregosh për ne brengën tënde…
Ardita: – Faleminderit ty, dhe të uroj sukses në profesion.
– Po ju, çfarë profesioni keni?
– Unë mbarova fakultetin për Mësuesi, cikli i ulët. I adhuroja fëmijët dhe më pëlqente të punoja me ta, por asnjë ditë nuk e ushtrova profesionin tim.
– Pse?
– Sepse burri im ka qenë shumë xheloz dhe nuk donte që unë të punoja, por të rrija në shtëpi dhe unë iu binda fjalëve të tij se në të kundërt, të “shante bota”. E kam urryer gjithmonë faktin se për gjithçka që bënim, “na shihte bota”, “e merrte vesh bota”, silleshim me edukatë para botës sepse “do na shante bota”. Kemi jetuar kohë të vështira…
– Asnjëherë nuk e keni ngritur zërin për të drejtat tuaja?
– Po, po, kam folur, por bashkëshorti më është përgjigjur gjithmonë me të bërtitura dhe me shuplaka, sa herë nuk ia dilte të më bindte. S’e kuptoja xhelozinë e tij dhe këmbënguljen për të mos shkuar unë në punë, pasi dëgjonte lart e poshtë se “po u fut gruaja në punë, të tradhton”. Budallallëqe me brirë. Vetëm shpikte dhe asgjë më shumë.
– Po bashkëshorti juaj, çfarë shkolle kishte mbaruar?
– Ai kishte bërë shkollë profesionale dhe e ushtronte profesionin e tij…
– Po vështirësi të tjera, keni hasur në jetë?
– Po. Na u desh të largoheshim nga Shqipëria në emigrim dhe atje ka qenë e vështirë për mua dhe për fëmijët. Për në Itali u larguam pa dëshirën tonë, domethënë, unë dhe dy vajzat, sepse Altini, im shoq, u largua me dëshirë të madhe. Vajzat e kishin të vështirë të mësonin gjuhën dhe të shkonin në shkollë. U ambientuan shumë vonë dhe shoqëri nuk gjetën shpejt, kurse unë doja të punoja në një shtëpi, për pastrim dhe të kujdesesha për plakën e asaj shtëpisë gjatë natës, të flija me të, pra, por im shoq sërish nuk donte të më linte. Ato do më paguanin edhe mirë, gati 600 Euro, por im shoq thonte: “Jo, s’të lë unë aty ty, të më shkosh me italianin ti mua pastaj”. Ç’t’i bësh? Kështu ndodh kur vepron pa u menduar.
– Ju u martuat me dashuri?
– Jo, jam martuar me dhunë nga im atë. Ngaqë unë isha një vajzë që kisha qejf të dilja, të vishesha mirë, kuptohet, me aq kursime dhe në bazë të kushteve që kishim, im atë mendonte se do dilja duarsh dhe do t’i ngelesha në derë, kështu që më martoi pa më pyetur. Sigurisht, më vonë u pendua shumë, por ç’vlerë kishte pastaj?! Ai, thjesht, më shkatërroi jetën dhe ia di “vërtet për nder”. Ai mendonte se do t’i rrija në shtëpi dhe do shthuresha. Me pak fjalë, “do fliste keq bota”…
– Dhe, ia mbylli gojën botës?
– Me sa duket ia mbylli gojën botës dhe më çau zemrën mua. Kjo “bota” më ka ndjekur në çdo hap, duke ma shkatërruar jetën si në derë të babait, ashtu edhe në atë të burrit…
– Si ishte jeta juaj bashkëshortore?
– Në fillim qe e mirë, familja e bashkshortit më donte dhe më respektonte, vetëm se vjerra kërkonte të bënte ligjin dhe fjala asaj i dëgjohej shumë.
– Flisni me prindërit tuaj?
– Me babain, jo, kam vite që nuk flas, sepse ai më shkatërroi jetën. Mamasë i flas dhe kam raporte shumë të mira me të. Edhe ajo ndihej keq që babai më martoi me dhunë, por nuk kishte ç’të bënte, fjala e babait ishte ligj. As ditën e dasmës nuk isha e gëzuar, si shumica e vajzave që martoheshin me dëshirë.
– Po Altini, bashkëshorti juaj?
– Jam ndarë nga Altini. Nuk di se nga bëhet ai. Kam pesë vjet që jam ndarë dhe tani jam në krah të një kanadezi, të cilin ma prezantuan dhëndurët e mi. Njërin nga dhëndrrat e kam kanadez, kurse tjetri është shqiptar, që jeton në Kanada.
– Sa kohë keni që jeni ndarë dhe pse?
– U ndamë qëkur u kthyem nga Italia, sepse filloi të pinte dhe ma bënte jetën të pamundur.
– Ka qenë dakord me ndarjen Altini?
– Edhe po të mos ishte, unë nuk jetoja dot më me të, kështu që edhe unë do të largohesha nga familja e tij dhe nuk do t’ia dija më për asgjë, edhe sikur ai ta kthente botën përmbys.
– Më thatë se kishit dy vajza…
– Kur u ndava nga im shoq, ato jetuan me mua. Tani ato ndodhen në Kanada të dyja dhe janë të martuara. Edhe unë jetoj në Kanada. Në Shqipëri vij veç për pushime.
– Çfarë shkolle kanë mbaruar vajzat?
– Shkollën e lartë vajzat e kanë mbaruar në Shqipëri. Vajza e vogël, Ema, mbaroi për Arkitekturë, e madhja, Alma, ka mbaruar Juridikun.
– Si është jeta juaj e tanishme?
– Jam shumë e lumtur dhe tani e ndjej dashurinë e vërtetë. Majku, burri i dytë, është vërtet lumturia ime. Ai sillet në mënyrë të përkryer me mua dhe më trajton si princeshë. Ai nuk ka qenë më përpara i martuar dhe mua po ma kushton mua të gjithë dashurinë. Tani jam e lumtur dhe e mbushur me tre dashuritë e mia, që janë fëmijët e mi dhe Majku.
– Po tani, me çfarë merreni në Kanada?
– Ja, një ditë e imja është kështu: Zgjohem në 6:30 të mëngjesit. Pimë kafenë e mëngjesit me Majkun. Shkoj te shtëpia e gocës dhe i marr djalin, që e mbaj te shtëpia ime sepse vajza e madhe është në punë dhe s’ka me kë ta lërë Mateon, nipçen tim të ëmbël.
– Po Altini, ju ka kërkuar gjatë këtyre viteve?
– Nuk e di. Nuk kam pyetur kënd dhe nuk jam interesuar tek askush për të. Fundja, ai nuk diti të sillej mirë me mua dhe ashtu siç e meriton vërtet një femër. Tani, për të, ndjej veç urrejtje.
– Pse urrejtje?
– Sepse nuk më la të kisha edhe unë profesionin tim, nuk më dha as mundësinë për ta dashur, por vetëm më ngjallte neveri. Ai nuk më la që ta doja, por më dha mundësinë për ta urryer. Nuk pashë një ditë të bukur dhe të lumtur në krah të tij. E vetmja ditë e lumtur ishte ardhja në jetë e fëmijëve të mi, edhe pse nuk ishin fryt i një dashurie të sinqertë dhe i një dashurie që e ndjeja thellë në zemër.
– Më thatë në fillim të intervistës se doni ta bëni publike historinë tuaj, për ato vajza që ndoshta sot, janë në të njëjtin pozicion që ishit ju, dikur…
– Po, sepse dua t’u them diçka: Kurrë mos dëgjoni fjalët e të tjerëve dhe t’ua bëni qejfin atyre duke shkelur mbi dëshirat dhe mbi pasionet tuaja, sepse askush nuk sakrifikon ëndrrat e veta për t’jua bërë qejfin juve.